Botë

Trump: Venezuela do t’i dorëzojë SHBA-së naftë në vlerë rreth 2,8 miliardë dollarësh

Donald Trump

Foto: Associated Press

"Të kesh një Venezuelë që është prodhuese nafte është mirë për Shtetet e Bashkuara sepse e mban çmimin e naftës të ulët"

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Venezuela "do t'i dorëzojë" deri në 50 milionë fuçi naftë me vlerë rreth 2.8 miliardë dollarë SHBA-së, pas një operacioni ushtarak për të rrëzuar presidentin Nicolas Maduro nga pushteti.

Nafta do të shitet me çmimin e saj të tregut, ka shkruar Trumpi në rrjetet sociale, duke shtuar se do të kontrollonte paratë e mbledhura dhe do t'i përdorte ato për popullin e Venezuelës dhe SHBA-në.

Komentet e tij vijnë pasi ai tha se industria amerikane e naftës do të "vihej në punë" në Venezuelë brenda 18 muajsh dhe se priste që investime të mëdha të bëheshin në vend.

Analistët i kanë thënë BBC-së se mund të duhen dhjetëra miliardë dollarë, dhe potencialisht një dekadë, për të rikthyer prodhimin e mëparshëm të Venezuelës.

"Jam i kënaqur të njoftoj se Autoritetet e Përkohshme në Venezuelë do t'i dorëzojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar me cilësi të lartë. Kjo naftë do të shitet me çmimin e saj të tregut dhe këto para do të kontrollohen nga unë, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të siguruar që përdoren në dobi të popullit të Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara!", ka shkruar Trumpi në Truth Social.

Komenti i tij erdhi një ditë pasi Delcy Rodriguez, ish-nënpresidente e Venezuelës, u betua si presidente e përkohshme e saj. 

Maduro është dërguar në SHBA për t'u përballur me akuzat për trafik droge dhe armësh.

Të hënën, presidenti amerikan i ka thënë NBC NEWS se "Të kesh një Venezuelë që është prodhuese nafte është mirë për Shtetet e Bashkuara sepse e mban çmimin e naftës të ulët."

Përfaqësues nga kompanitë kryesore të naftës amerikane planifikuan të takoheshin me administratën Trump këtë javë, ka raportuar CBS News.