Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan, Donald Trump do të targetojë "institucionet globaliste" dhe do të diskutojë "vizionin e tij për botën" në fjalimin e tij të parë që nga viti 2020, para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të martën.

Fjalimi i tij pritet të fillojë rreth orës 15:50 me kohë të Kosovës, në ditën e parë zyrtare të debatit të përgjithshëm vjetor të Asamblesë së liderëve botërorë, raporton BBC.

Presidenti amerikan do të flasë i dyti, pas presidentit Lula të Brazilit, si pjesë e një tradite të gjatë.

Udhëheqës të tjerë do të flasin dhe do të zhvillojnë takime gjatë gjithë javës.

Trumpi do të mbajë një fjalim "duke lavdëruar ripërtëritjen e forcës amerikane në të gjithë botën", sipas sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Ai gjithashtu do të mbulojë "arritjet e tij historike në vetëm tetë muaj, duke përfshirë përfundimin e shtatë luftërave dhe konflikteve globale", ka thënë Leavitt në një deklaratë të hënën.

"Presidenti do të përmend gjithashtu se si institucionet globaliste e kanë shkatërruar ndjeshëm rendin botëror dhe do të artikulojë vizionin e tij të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv për botën", ka shtuar ajo.

Trumpi njofton përpjekjen për të luftuar armët biologjike përmes inteligjencës artificiale

1 muaj më parë / 23 sht 2025 17:07
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se administrate e tij do të udhëheqë "një përpjekje ndërkombëtare për të zbatuar Konventën e Armëve Biologjike" përmes një sistemi verifikimi të inteligjencës artificiale.

"Ndërsa kërkojmë të zvogëlojmë kërcënimin e armëve të rrezikshme sot, unë gjithashtu po i bëj thirrje çdo kombi të bashkohet me ne në përfundimin e zhvillimit të armëve biologjike një herë e përgjithmonë", ka thënë Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke nxitur gjithashtu "ndërprerjen e zhvillimit të armëve bërthamore".

"Unë shoh armë që janë aq të fuqishme sa thjesht nuk mund t'i përdorim kurrë. Nëse i përdorim ndonjëherë, bota fjalë për fjalë mund të marrë fund", ka thënë Trump. 

"Nuk do të kishte Kombe të Bashkuara për të cilat të flitej. Nuk do të kishte asgjë”.

Ai ka thënë se SHBA-ja ka armatimin më të fortë në botë por që ka shtuar se urren t’i përdorë ato. 

Kritikat e ashpra të Trumpit për OKB-në

1 muaj më parë / 23 sht 2025 16:56
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nisur fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën, duke kritikuar ashpër organizatën botërore.

Teksa ka folur për përfundimin e shtatë luftërave gjatë mandatit të tij të dytë, Trumpi ka thënë se OKB-ja nuk ka bërë asgjë për t’i ndalur ato. 

Ai madje i ka quajtur Kombet e Bashkuar një organizatë me fjalë të zbrazëta. 

"Është shumë keq që më është dashur t'i bëj këto gjëra në vend që t'i bënin Kombet e Bashkuara”, ka thënë Trumpi, në fjalimin e tij të parë para OKB-së që nga viti 2020. 

"Mjerisht, në të gjitha rastet, Kombet e Bashkuara as nuk u përpoqën të ndihmonin”, ka shtuar Trumpi.

Ai gjithashtu ka vënë në dukje me përbuzje se dy gjërat që mori nga Kombet e Bashkuara sot ishin: një shkallë lëvizëse e keqe dhe një teleprompter i keq.

Kjo pasi, teksa po hynte në ndërtesën e OKB-së, bashkë me Zonjën e Parë, Melania Trump, nuk funksiononin shkallët lëvizëse.

Gjatë fjalimit të tij, ai ka vazhduar kritikat duke akuzuar OKB-në për lehtësimin e “pushtimit” të vendeve perëndimore nga migrantët.

Trumpi pretendon se OKB-ja po financon një sulm ndaj vendeve perëndimore dhe kufijve të tyre, duke akuzuar organin botëror se u jep karta parash migrantëve që vijnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

"OKB-ja supozohet të ndalojë pushtimet, jo t'i krijojë ato dhe jo t'i financojë ato", është shprehur ai.

Trump: Lufta Rusi-Ukrainë ishte menduar të ishte një përleshje e shpejtë dhe e vogël

1 muaj më parë / 23 sht 2025 16:47
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se lufta Rusi-Ukrainë duhet të kishte qenë një “përleshje e vogël dhe e shpejtë”, me Rusinë që do të fitonte brenda pak ditësh. 

Në vend të kësaj, është bërë një luftë që ka zgjatur disa vite, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur pikën e tij të fushatës së vitit 2024 se pushtimi i Ukrainës nga Rusia nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse ai do të kishte qenë president nga viti 2021 deri në vitin 2025. 

Në të njëjtën kohë, Trumpi ka shprehur habinë që nuk ka qenë në gjendje të negociojë një marrëveshje paqeje pasi këmbënguli gjatë gjithë fushatës se do ta përfundonte luftën shpejt, nëse jo që në “Ditën e Parë”.

“Mendova se kjo do të ishte më e lehtë për shkak të marrëdhënies sime me presidentin Putin, e cila kishte qenë gjithmonë e mirë”, tha Trump me vete.

Trump kritikon aleatët: Njohja e Palestinës është shpërblim për Hamasin

1 muaj më parë / 23 sht 2025 16:39
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ka qenë i përfshirë në përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gazë dhe se palët negociuese "duhet ta bëjnë këtë".

Ai ka përmendur faktin se disa vende të fuqishme dhe aleate kanë njohur ditët e fundit shtetin palestinez.

“Ky do të jetë një shpërblim për mizoritë e Hamasit”, ka thënë Trumpi para OKB-së të martën.

"Në vend që t'u dorëzohet kërkesave të Hamasit për shpërblim", Trumpi ka thënë se "ata që duan paqe duhet të bashkohen në një mesazh: të lirojnë pengjet tani".

Ai ka shtuar se nuk do ta harrojnë kurrë 7 tetorin e vititi 2023, kur Hamasi ka sulmuar jugun e Izraelit, duke vrarë 1,200 persona dhe duke marrë peng më shumë se 250 të tjerë. 

Trumpi para OKB-së: U dhashë fund shtatë luftërave, Kosovë-Serbi mes tyre

1 muaj më parë / 23 sht 2025 16:20
Donald Trump

Donald Trump duke folur para OKB-së, 23 shtator 2025

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur në fjalimin e tij para OKB-së të martën, se u ka dhënë fund shtatë luftërave gjatë mandatit të tij të dytë. 

Ai ka shtuar se njerëzit i kishin thënë se këto konflikte ishin "të pafundme".

Ai ka rënditur konfliktet midis: Kamboxhias dhe Tajlandës, Kosovës dhe Serbisë, Pakistanit dhe Indisë, Izraelit dhe Iranit, Egjiptit dhe Etiopisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, dhe "luftën e egër të dhunshme" midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës.

"Asnjë president tjetër nuk ka bërë kurrë diçka të ngjashme me këtë", ka thënë Trumpi.

Ai ka shtuar se OKB-ja "as nuk u përpoq të ndihmonte" në asnjërën prej tyre.

Trumpi ka thënë se ka qenë shumë i zënë këtë mandat duke u përpjekur të shpëtojë miliona jetë.

Ai madje ka thënë se të gjithë ia përmendin se e meriton çmimin "Nobel".

“Të gjithë thonë se unë duhet të marr çmimin Nobel për Paqen për secilën prej këtyre arritjeve. Por për mua, çmimi i vërtetë do të jenë bijtë dhe bijat që jetojnë duke u rritur me nënat dhe baballarët, sepse miliona njerëz nuk po vriten më në luftëra të pafundme dhe të lavdishme. Ajo që më intereson nuk është fitimi i çmimeve, por shpëtimi i jetëve”, është shprehur Trumpi.

Trumpi ka folur edhe për ekonominë amerikane gjatë mandatit të tij të dytë, duke thënë se ndodhet në një gjendje më të mirë se asnjëherë më parë.

Ai e ka quajtur “Epoka e Artë e Amerikës” periudhën e administrimit të tij të dytë. 

Trumpi nis fjalimin e tij në OKB

1 muaj më parë / 23 sht 2025 16:13
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nisur fjalimin e tij në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. 

Ai pritet të flasë për ekonominë e SHBA-së, dhe çështjet ndërkombëtare, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Trumpi mbërrin në OKB

1 muaj më parë / 23 sht 2025 16:04
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbërritur në selinë e OKB-së në New York.

Atë po e shoqëron bashkëshortja e tij, Melania Trump.

Presidenti amerikan do të mbajë një fjalim para liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ky do të jetë fjalimi i tij i parë para OKB-së që nga viti 2020.

Shërbimi Sekret Amerikan eliminon kërcënimet para Asamblesë së OKB-së

1 muaj më parë / 23 sht 2025 15:12
Shërbimi Sekret Amerikan eliminon kërcënimet para Asamblesë së OKB-së

Photo: Associated Press

Shërbimi Sekret i SHBA-së ka shkatërruar një rrjet të gjerë me më shumë se 300 servera SIM në New Yorku, të aftë për të çaktivizuar kullat e telefonisë celulare dhe për të ndërprerë shërbimet e emergjencës.

Pajisjet, të cilat përfshinin 100,000 karta SIM në vende të shumta, ishin të vendosura brenda 56 kilometrave nga vendi i takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ka njoftuar Shërbimi Sekret.

Hetimi erdhi pas kërcënimeve të shumta telekomunikative kundër zyrtarëve qeveritarë, duke përfshirë incidente me goditje ajrore dhe kërcënime me bomba.

"Duke pasur parasysh kohën, vendndodhjen dhe potencialin për ndërprerje të konsiderueshme të telekomunikacionit në New York të shkaktuar nga këto pajisje, agjencia veproi shpejt për të ndërprerë këtë rrjet”, ka thënë agjencia e zbatimit të ligjit në një deklaratë.

Agjencia ka thënë se përmes serverave mund të kryeheshin kërcënime anonime telefonike dhe të çaktivizoheshin kullat e celularëve. 

“Kishin potencialin të ndalnin rrjetin celular në New York City", sipas Matt McCool, agjentit special të Shërbimit Sekret në New York.

Labirinti elektronik i fshehur ishte aq i fuqishëm sa mund të kishte dërguar një mesazh të koduar dhe anonim te çdo qenie njerëzore në Shtetet e Bashkuara brenda 12 minutash, sipas McCool.

Agjencia nuk ka specifikuar se kush ishte përgjegjës për rrjetin. 

Shtohet frika se Trumpi mund ta njohë kontrollin izraelit mbi Bregun Perëndimor

1 muaj më parë / 23 sht 2025 14:55
Bregu Perendimor

Photo: Associated Press

Zyrtarët britanikë kanë frikë se presidenti amerikan, Donald Trump, mund ta njohë kontrollin izraelit mbi vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor, në hakmarrje për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe të tjerëve për të njohur Palestinën.

Zyrtarë të brendshëm në qeverinë britanike besojnë se presidenti amerikan po shqyrton njohjen zyrtare të komuniteteve izraelite atje, duke i dhënë, siç ka thënë, një goditje serioze perspektivës për një zgjidhje me dy shtete.

Disa besojnë se Trumpi mund ta ngrejë këtë perspektivë në fjalimin e tij në OKB të martën, pavarësisht se udhëheqësit arabë dhe perëndimorë janë angazhuar në një diplomaci intensive për t'u siguruar që kjo të mos ndodhë.

Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar kanë thënë për The Guardian, se disa nga aleatët e presidentit po ushtronin presion mbi të për të njohur vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor teksa udhëheqësit arabë po kundërshtojnë një gjë të tillë.

"Si gjithmonë me këtë president, është e vështirë të dihet se cilën rrugë do të ndjekë, por ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë", ka thënë njëri nga zyrtarët.

Një numër vendesh kanë njohur shtetësinë palestineze ditët e fundit, pak para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. 

Administrata Trump e ka quajtur “performues” këtë veprim.