Botë

Trump heq dorë nga tarifat: Jemi pajtuar për kornizën e një marrëveshjeje për Grenlandën

Trump and Rutte

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka tërhequr kërcënimin e tij për të vendosur tarifa të gjera ndaj tetë vendeve evropiane, duke pretenduar se ka një dakordim për siç ka thënë, “kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme” mbi Grenlandën. Katër ditë pasi ishte zotuar të vendoste taksa të larta importi ndaj një sërë aleatësh të SHBA-së për shkak të mbështetjes së tyre për vazhdimin e statusit të Grenlandës si territor autonom danez, presidenti u tërhoq.

SHBA-ja nuk do të vendosë tarifa prej 10% ndaj Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Holandës dhe Finlandës nga 1 shkurti, siç kishte paralajmëruar më parë Trump në platformën e tij Truth Social. Gjatë fundjavës, ai kishte kërcënuar gjithashtu se do t’i rriste tarifat në 25% nga 1 qershori.

Kërcënimi kishte shkaktuar shqetësim të gjerë; kritika nga politikanë të lartë evropianë, të cilët deklaruan se nuk do të lejojnë “të shantazhohen”, si dhe paralajmërime nga ekonomistët.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian patën kërcënuar se do të përdornin të ashtuquajturin instrument anti-shtrëngues (ACI), i cili do t’i lejonte BE-së të kundërpërgjigjej ndaj masave shtrënguese përmes sanksioneve të jashtëzakonshme tregtare.

Pas asaj që e quajti një takim “shumë produktiv” me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën, në margjina të Forumit ekonomik në Davos, Trumpi ka pretenduar se ka formuar “kornizën” e një marrëveshjeje për Grenlandën, pa dhënë më shumë informacion.

“Në bazë të këtij mirëkuptimi, nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt”, ka theksuar Trumpi.

Ai nuk ka dhënë detaje të tjera për marrëveshjen, por ka theksuar se do të vazhdojnë bisedimet për “Kupolën e Artë” me bazë pjesërisht në Grenlandë. 

Ai ka theksuar se marrëveshja do të ishte në fuqi “përgjithmonë”. “Kemi një koncept të një marrëveshjeje. Mendoj se do të jetë një marrëveshje shumë e mirë për Shtetet e Bashkuara, por edhe për ata”, i ka thënë Trumpi CNBC-së. “Është paksa komplekse, por do ta shpjegojmë më vonë”, ka shtuar ai.

Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, ka theksuar se diskutimet mes aleatëve të NATO-s mbi kornizën që ka përmendur Trumpi do të përqendrohen në garantimin e sigurisë në Arktik, siç ka thënë, “përmes përpjekjeve kolektive të aleatëve, veçanërisht të shtatë aleatëve arktikë”.

“Negociatat mes Danimarkës, Grenlandës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë me synimin që Rusia dhe Kina të mos fitojnë kurrë një bazë – ekonomike apo ushtarake – në Grenlandë”, ka shtuar ajo
Edhe ministri i Jashtëm i Danimarkës ka theksuar se Trumpi ka dërguar sinjale pozitive duke thënë se nuk do të përdorte forcë ushtarake për të marrë Grenlandën.

“Trumpi tha se do ta ndalë luftën tregtare. Ai tha ‘Nuk do ta sulmoj Grenlandën’. Këto janë mesazhe pozitive”, i tha Lars Lokke Rasmussen televizionit publik danez DR. Trump “gjithashtu pati një bisedë të mirë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s”,  shtoi ai, pa dhënë detaje tjera.

Gjatë ditës, të mërkurën, në një fjalimi të gjatë e të çrregullt në Davos, Trump ka thekuar se SHBA-ja nuk do të përdorte forcë për të marrë Grenlandën, por theksoi se ende planifikonte të përdorte fuqinë ekonomike dhe diplomatike të vendit të tij për ta siguruar atë.

Trumpi gjatë fjalimit ka bërë thirrje për bisedime të menjëhershme me aleatët evropianë për të negociuar blerjen e ishullit gjysmautonom të Danimarkës.

“Po kërkoj negociata të menjëhershme për të diskutuar edhe një herë blerjen e ishullit. Nuk do të marrim asgjë. Vetëm nëse vendosi të përdorë forcë të tepruar, atëherë do të ishim të pandalshëm. Por, nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Trumpi. 


Danimarka e mirëpret njoftimin e Trumpit për tarifa

‍Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke ‌Rasmussen, ka deklaruar se e mirëpret njoftimin e Trumpit për të hequr dorë nga vendosja e tarifave shtesë ndaj tetë vendeve evropiane lidhur me Grenlandën, raporton BBC.

Në një intervistë me transmetuesin kombëtar danez DR, ai përsërit se ajo që është e rëndësishme për Danimarkën është t'i japë fund kësaj në një mënyrë që respekton popullin e Grenlandës.

"Nuk do të ndodhë që SHBA-të ta zotërojnë Grenlandën. Kjo është një vijë e kuqe", shton ai.

Ai thotë se premtimi i Trumpit se nuk do të përdorë forcën është një gjë e mirë, por është e qartë se presidenti ka ambicie që Danimarka nuk mund t'i akomodojë.


Suedia mirëpret mosvendosjen e tarifave nga Trumpi

Ministrat e jashtëm evropianë e kanë mirëpritur lajmin se Trumpi nuk do t’i vendosë tarifat me të cilat kishte kërcënuar vendet që mbështesin Danimarkën dhe Grenlandën.

Ministrja e jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard tha në një postim në platformën X, se rezistenca pati ndikim.

 "Kërkesat për zhvendosjen e kufijve kanë marrë kritika të merituara. Kjo është edhe arsyeja pse e kemi përsëritur se nuk do të shantazhohemi. Duket se puna jonë së bashku me aleatët ka pasur ndikim", ka shkruar Stenergard.

NATO: Korniza e rënë dakord me SHBA-në do të përqendrohet në ofrimin e sigurisë në Arktik

1 j. më parë / 21 jan 2026 23:02
NATO

Photo: Associated Press

Një zëdhënës i NATO-s i ka thënë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se korniza e rënë dakord me SHBA-në do të përqendrohet në ofrimin e sigurisë në Arktik përmes përpjekjeve kolektive të aleatëve.

Ai ka shtuar se negociatat midis Danimarkës, Grenlandës dhe SHBA-së do të vazhdojnë me qëllim sigurimin që Rusia dhe Kina të mos fitojnë kurrë një bazë, ekonomikisht ose ushtarakisht, në Grenlandë.

Kujtojmë se presidenti Trump ka mbajtur qëndrimin se interesi i tij për Grenlandën nxitet nga dëshira për të forcuar sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Paraprakisht, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se nuk do të vendosë tarifa ndaj vendeve të Evropës, që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt.

Në një postim në Truth Social, ai ka shkruar se në një siç tha – takim shumë produktiv me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kanë formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Grenlandën.

Gjatë forumit ekonomik në Davos, Trumpi ka folur me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë asaj që ai e përshkroi si një “udhëtim i jashtëzakonshëm”.

Rutte i tha Trumpit se ai mund të jetë i sigurt që nëse SHBA-ja ndonjëherë sulmohet, “aleatët tuaj do të jenë me ju”, duke shtuar se nën udhëheqjen e Trumpit, aleanca e NATO-s është më e fortë.