Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur të martën frustrim ndaj aleatëve që nuk kanë qenë të gatshëm të bëjnë më shumë për t’i mbështetur përpjekjet ushtarake të SHBA-së, duke u thënë atyre “shkoni merrni vetë naftën tuaj”. Ai e ka bërë këtë deklaratë teksa konflikti me Iranin dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit çuan çmimin mesatar të benzinës në SHBA në mbi 4 dollarë për gallon (1 gallon = 3.78 litra).
Postimi i Trumpit në rrjetet sociale erdhi pasi sulmet amerikane goditën një qytet që mban një nga objektet kryesore bërthamore të Iranit, duke shkaktuar një shpërthim të madh zjarri, ndërkohë që Teherani sulmoi një tanker nafte kuvajtian në Gjirin Persik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLufta nisi mbi një muaj më parë, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit. Konflikti ka lënë më shumë se 3,000 të vdekur dhe ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin global me naftë dhe gaz natyror, duke tronditur tregjet botërore.
Trumpi, qëndrimet e të cilit janë lëkundur mes pretendimeve për përparim në bisedimet diplomatike me Iranin dhe kërcënimeve për zgjerimin e luftës, ka shpërndarë të martën pamje të sulmit në Isfahan.
Ky qytet qendror është shtëpia e një prej tre objekteve të pasurimit bërthamor që u sulmuan nga SHBA-ja gjatë një ofensive të mëparshme në qershor, dhe analistët besojnë se një pjesë e madhe e uraniumit të pasuruar të Iranit ruhet aty.
Lufta po trondit tregun e naftës
Kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit – rruga ujore përmes së cilës kalon një e pesta e naftës botërore në kohë paqeje, ka rritur çmimet globale të naftës, ashtu si edhe sulmet e Teheranit ndaj infrastrukturës energjetike në rajon. Kjo ka tronditur tregjet e aksioneve në mbarë botën dhe ka rritur koston e shumë mallrave bazë.
Çmimet e naftës Brent, standardi ndërkombëtar, kanë arritur në rreth 107 dollarë për fuçi të martën, më shumë se 45% më lart që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.
Trumpi ka fajësuar aleatët e SHBA-së si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca që kanë refuzuar të hyjnë në luftë.
“Do t’ju duhet të mësoni të luftoni për veten tuaj, SHBA-ja nuk do të jetë më aty për t’ju ndihmuar, ashtu siç ju nuk ishit për ne. Irani është, në thelb, i shkatërruar. Pjesa më e vështirë ka përfunduar. Shkoni merrni vetë naftën tuaj!” - ka shkruar Trumpi në Truth Social.
Ai ka veçuar Francën për moslejimin e fluturimit mbi territorin e saj të avionëve që transportonin furnizime ushtarake drejt Izraelit, duke thënë se Parisi ka qenë “shumë jondihmues” dhe se “SHBA-ja do ta mbajë mend këtë”.
Aleatët refuzojnë të përfshihen
Franca ka lejuar Forcat Ajrore të SHBA-së ta përdorin bazën Istres në jug të Francës, pasi kishte garanci se avionët që uleshin aty nuk do të përdoreshin për sulme.
E Spanja, e cila është bërë një nga kritiket më të zëshme në Evropë ndaj luftës në Iran, ka thënë të hënën se kishte mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në konflikt.
Italia gjithashtu ka refuzuar së fundmi të lejojë përdorimin e bazës ajrore Sigonella në Sicili për një operacion të lidhur me ofensivën, sipas një zyrtari që konfirmoi raportimet e mediave lokale.
Refuzimi ishte bërë disa ditë më parë dhe kishte të bënte me avionë amerikanë, përfshirë bombardues, që pritej të ndaleshin në bazë para se të vazhdonin drejt Lindjes së Mesme.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka thënë se Italia vazhdon të lejojë përdorimin e bazave të saj nga SHBA-ja dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta.
Valë sulmesh mbi Iran dhe Liban
Izraeli dhe SHBA-ja vazhduan sulmet ndaj Iranit, duke goditur Teheranin në orët e para të mëngjesit të së martës.
Ushtria izraelite ka thënë se kishte goditur objektiva të përshkruara si infrastrukturë e Hezbollahut në Bejrut. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se Izraeli planifikon ta kontrollojë zonën në jug të lumit Litani.
Izraeli kishte pushtuar jugun e Libanit pasi Hezbollahu nisi sulme me raketa ndaj veriut të Izraelit. Shumë libanezë frikësohen nga një okupim i ri i gjatë.
Irani mund ta ruajë uranium në Isfahan
E një imazh satelitor sugjeron se Irani kishte transportuar uranium të pasuruar në një objekt afër zonës së sulmit, në Isafhan.
Analistët besojnë se uraniumi ishte pasuruar deri në 60% pastërti, një hap i shkurtër teknik nga niveli për armë bërthamore.
Trumpi ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një armëpushim “së shpejti” dhe nëse Ngushtica nuk rihapet, SHBA-ja mund ta zgjerojë ofensivën, duke përfshirë sulme ndaj infrastrukturës së eksportit të naftës.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk ka pranuar të thoshte nëse forcat tokësore amerikane do të përfshiheshin.
“Nuk duam të bëjmë më shumë ushtarakisht sesa është e nevojshme”, ka thënë ai. “Por nuk isha duke bërë shaka kur thashë se ndërkohë do të negociojmë me bomba”, ka shtuar.
Irani sulmon tanker pranë Dubait
E derisa sulmet në Iran kanë vazhduar, s’ka munguar edhe ofensiva e Iranit. Një dron iranian ka goditur një tanker nafte kuvajtian pranë Dubait, duke shkaktuar një zjarr që më vonë është shuar. Raportohet se nuk ka pasur derdhje nafte.
Katër persona janë plagosur nga mbetjet e një droni të rrëzuar, ndërsa shpërthime të tjera janë dëgjuar në zonë.
Sirena alarmi janë dëgjuar në Bahrein, ndërsa Arabia Saudite ka thënë se kishte penguar tri raketa balistike drejt kryeqytetit të saj.
Në Izrael janë dëgjuar shpërthime pas paralajmërimeve për sulme nga Irani.
Në Iran janë vrarë më shumë se 1,900 persona, ndërsa në Izrael janë raportuar 19 të vdekur.
Në shtetet e Gjirit dhe në Bregun Perëndimor kanë vdekur dhjetëra persona. Në Liban janë vrarë mbi 1,200 njerëz dhe më shumë se 1 milion janë zhvendosur.
Dhjetë ushtarë izraelitë kanë humbur jetën në Liban, ndërsa 13 ushtarë amerikanë janë vrarë.