Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Cannes për “Duan”, histori suksesi që nis me çmim

“Dua”, të mërkurën mbrëma, është konfirmuar si film me të ardhme të sigurt që prej premierës botërore në këtë seksion paralel prestigjioz të Festivalit të Filmit në Cannes

“Dua”, të mërkurën mbrëma, është konfirmuar si film me të ardhme të sigurt që prej premierës botërore në këtë seksion paralel prestigjioz të Festivalit të Filmit në Cannes

Filmi “Dua” nën regji të Blerta Bashollit po e përmbyll suksesshëm rrugëtimin e premierës botërore në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Cannes. Të mërkurën ka marrë çmimin “SACD” në “Semaine de la Critique”, seksionin paralel të ngjarjes së njohur, i cili mbahet tash e 65 vjet. Është një fillim i mbarë dhe ftesat – ashtu sikurse edhe kritikat pozitive – tashmë kanë vërshuar. Faleminderit secilit që e ka mbështetur filmin dhe posedimi i një çmimi nga Shoqata e Autorëve është një nder i madh për ne”, ka thënë Basholli

Historia e sinqertë, e përshkruar me sytë dhe ndjesinë e një adoleshenteje të fundviteve të shekullit të kaluar, ka arritur të marrë vëmendje të madhe në hapësirat ku është mbledhur bota e filmit këto ditë. “Dua”, nën regji të Blerta Bashollit, ka marrë çmimin “SACD” në Cannes. Është çmimi për skenar që ndahet nga seksioni paralel i Festivalit të Cannes, “Semaine de la Critique” (Java e Kritikës). Çmimi është dorëzuar nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë për skenaristët Blerta Basholli dhe Nicole Borgeat. Kësisoj, “Dua”, të mërkurën mbrëma, është konfirmuar si film me të ardhme të sigurt që prej premierës botërore në këtë seksion prestigjioz. Por nga ajo që ka përjetuar ekipi i filmit në Cannes dhe nga ftesat që kanë pasur, filmi së shpejti do të vazhdojë në festivale prestigjioze.

“Filmi flet për njerëzit që, duke u rritur në një konflikt, provojnë të mbrojnë ëndrrat e tyre, dinjitetin dhe humanitetin. Bashkë me Nicole Borgeat provuam fort që ta bashkojmë këtë histori, e cila ishte shumë personale dhe e ndjeshme për mua. Faleminderit secilit që e ka mbështetur filmin dhe posedimi i një çmimi nga Shoqata e Autorëve është një nder i madh për ne. Faleminderit shumë”, u është drejtuar të pranishmëve regjisorja Basholli, derisa ka marrë çmimin në ceremoninë e mbajtur të mërkurën pasdite. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky çmim hyn ndër katër kryesorët, ku ndahen çmimet për filmin më të mirë, skenarin më të mirë, distribuimin dhe aktorin ose aktoren më të mirë.

“Dua”, që në përzgjedhje për të qenë pjesë e garës kryesore të “Semaine de la Critique”, pati një shenjë shumë pozitive. Të dhënat flasin për aplikime të 1050 filmave nga 106 vende dhe “Dua” është renditur midis 7 konkurrentësh në këtë seksion. Filmi, i cili është shfaqur shtatë herë gjatë këtyre ditëve, që nga e mërkura e kaluar kur pati premierën botërore, ka rrëfyer një realitet që e ka përjetuar thuajse secili adoleshent që fati e ka përplasur me vitet ’90 në Kosovë. Askush nuk ka qenë i lirë të dalë në një “pub” apo disko për të testuar veten në vallëzim apo për t’u njohur me dikë. E kur ka dalë, është përballur me ndjekjet e policisë serbe, gjoja për prishje të rendit publik. Por problemi i pushtetit të asaj kohe kishte të bënte vetëm me etninë. Shqiptari paraqiste rrezik edhe nëse vallëzonte, madje edhe nëse i ofronte një puthje dikujt.

Dua (Pinea Matoshi), si personazh 13-vjeçar i filmit që mban po këtë emër, nuk arrin ta ketë as puthjen e parë pa presionin për t’i ikur policisë serbe, sikur puthja të ishte ndonjë krim. Dhe e gjithë kjo është shpërblyer.

“Çmimi për regjinë më të mirë dhe skenarin më të mirë janë çmime të autorit. Filmi ka fituar në Cannes. Mendoj se do të ketë ndikim shumë të madh në fokusin për filmin. Është një prej shtatë filmave që ka garuar. Kjo do t’i ndihmojë shumë filmit për distribuim e po ashtu edhe për festivale. Mendoj që është moment historik për kinematografinë e Kosovës e në veçanti, për Blerta Bashollin”, ka thënë producenti Valon Bajgora në një bisedë me KOHËN, pak pas ceremonisë. Ai ka rrëfyer se të martën vonë kanë marrë një sinjal që të mos kthehen në Prishtinë dhe të qëndrojnë në rivierën franceze. Këtë ua ka bërë me dije bashkëprodhuesi francez.

“Para kësaj, komentet kanë qenë shumë pozitive. Mediat ndërkombëtare kanë pasur shumë kritika pozitive. Po ashtu edhe mediat franceze kanë pasur kritika shumë të mira. Më kanë befasuar sa të mira kanë qenë. Ka pasur gjashtë shfaqje dhe e kanë shtuar edhe një tjetër”, ka thënë Bajgora. Ai ka treguar se këto ditë kanë marrë ftesa edhe për një festival të njohur dhe janë në diskutim për t’i thënë “po”, pasi bëhet fjalë për garën kryesore.

“Kemi marrë shumë ftesa dhe i analizojmë bashkë me strategjinë se ku do të shkojë filmi. Që tani kemi nisur përgatitjet për ‘Oscar’, pasi mendojmë se ‘Dua’ duhet të jetë kandidati i Kosovës për këtë çmim”, ka thënë Bajgora.

Filmi, me producentë Valon Bajgorën dhe Yll Ukën nga “Ikonë Studio”, si dhe bashkëprodhues Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga “Alva Film” në Zvicër dhe Amaury Ovise nga “Kazak Productions” në Francë, nga mediat ndërkombëtare është përshkruar si një rrëfim shumë i sinqertë. Me kastën e aktorëve, ku ndër të tjerë bëjnë pjesë Arben Bajraktaraj, Kaona Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Fiona Abdullahu dhe Mila Saviq, “Dua” ka marrë vëmendje të madhe mediale.

Pas çmimit në Cannes, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar duke thënë se nga Cannes erdhi një lajm i mirë për kinematografinë e Kosovës.

“Ky është një çmim i rëndësishëm për autorësinë kinematografike, që vlerëson zërin autorial dhe origjinalitetin krijues të filmit. Urime Blertës, Pineas dhe gjithë ekipit të filmit. Suksesi i tyre është edhe një hap i rëndësishëm për praninë e Kosovës në kinematografinë ndërkombëtare”, ka shkruar Haxhiu në rrjetet sociale.

Ndërsa ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka shkruar se ky çmim, i ndarë nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në Francë, vlerëson veprat me skenar origjinal dhe qasje të fuqishme autoriale, duke e vendosur filmin “Dua” në mesin e prodhimeve të dalluara të këtij viti në një nga platformat më prestigjioze të filmit në botë.

“Ky vlerësim është dëshmi e vazhdueshme e cilësisë dhe potencialit krijues të kinemasë kosovare, si dhe e rrugëtimit gjithnjë e më të sigurt të artistëve dhe filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar ministrja Bogujevci.

Sipas Qendrës Kinematografike të Kosovës, ky është një moment shumë i veçantë për gjithë ekipin që ka punuar me përkushtim e dashuri në këtë film dhe një arritje e madhe për kinematografinë e Kosovës.

Krahas filmit “Dua”, i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe i shfaqur në seksionin paralel të festivalit, Kosova sivjet ka vazhduar traditën e pjesëmarrjes me stendë në “Marché du Film”. QKK-ja, bashkë me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, ka hapur stendën për herë të 15-të.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Cannes edhe sivjet, në edicionin e 79-të, sjell filma nga e mbarë bota, përfshirë edhe nga regjisorë të njohur si Paweł Pawlikowski, Ryusuke Hamaguchi dhe Pedro Almodóvar. Regjisori rus Andrey Zvyagintsev rikthehet në garë me filmin “Minotaur”.

Në krye të jurisë që do të vendosë fituesin e “Palmës së Artë” të shtunën është regjisori koreano-jugor Park Chan-wook, ndërsa anëtarë janë edhe Demi Moore, Chloé Zhao dhe Stellan Skarsgård.

Festivali u hap me filmin francez të viteve ’20, “The Electric Kiss”. Në ceremoninë hapëse, Cannes ka nderuar me çmimin për karrierë “Palma e Artë” regjisorin Peter Jackson.

Kosova i është kthyer Cannesit pas dy vjetësh. Më 2024, filmi “Rrugës” nga Samir Karahoda ishte pjesë e konkurrencës zyrtare për filmin e shkurtër. Ndërsa më herët, me “Pa vend”, ai bëri histori si produksioni i parë vendor që garoi për “Palmën e Artë” në vitin 2021.