Botë

Trumpi me "paralajmërim të fundit" për Hamasin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dhënë paralajmërimin e tij të fundit” për Hamasin, teksa Izraeli ka pranuar kushtet e tij, raportoi "Euronews".

Mesazhi është dërguar në një postim në Truth Social, i cili nuk specifikon se cilat janë kushtet.

Trumpi ka thënë se Hamasi duhet pranuar një propozim të ri për armëpushim, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, për të cilin ai thotë se Izraeli tashmë ka rënë dakord.

“Të gjithë duan që pengjet të kthehen në shtëpi. Të gjithë duan që kjo luftë të mbarojë! Ky është paralajmërimi im i fundit. Nuk do të ketë një tjetër”, ka shkruar Trumpi në rrjetet sociale. 

Propozimi thuhet se iu dërgua Hamasit të dielën nga i dërguari special i SHBA-së, Steven Witkoff.

Siç bëhet e ditur, SHBA-ja do të mbështesë përfundimin e operacionit ushtarak të Izraelit në këmbim të lirimit të menjëhershëm të të gjitha pengjeve.

Nga ana tjetër, Izraeli do të lironte deri në 3,000 të burgosur palestinezë.

Aktualisht në Gazë kanë mbetur 48 pengje, por besohet se vetëm rreth 20 prej tyre janë ende gjallë.

Kjo nuk është hera e parë që Trumpi ka lëshuar ultimatum të tillë, pasi pati bërë një paralajmërim të ngjashëm në mars.

Mesazhi tani ushtron presion të fortë publik mbi Hamasin që t’i përgjigjet një marrëveshjeje, që Uashingtoni thotë se mund t’i japë fund konfliktit.