Botë

Trumpi me tarifë prej 50% ndaj mallrave të Indisë si ndëshkim për blerje të naftës ruse

Donald Trump dhe Narendra Modi

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump ka vendosur tarifa prej 50% për shumicën e importeve amerikane nga India, duke përmbushur kërcënimin e tij për të ndëshkuar një nga ekonomitë më të mëdha në botë për blerjet e naftës ruse me çmime të ulëta.

Tarifat, të cilat kanë hyrë në fuqi menjëherë pas mesnatës të së mërkurës në Uashington, rrezikojnë të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në ekonominë indiane dhe të prishin më tej zinxhirët globalë të furnizimit, raporton The Guardian.

Tarifat amerikane prej 25% për mallrat indiane hynë në fuqi në fillim të këtij muaji, por Trumpi ka njoftuar plane për të dyfishuar normën, duke përmendur blerjen e naftës ruse nga Nju Delhi, për të cilën Shtëpia e Bardhë ka argumentuar se po financon në mënyrë indirekte luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Presidenti amerikan ka rritur ndjeshëm tarifat amerikane për mallrat nga pjesa më e madhe e botës që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, duke tensionuar marrëdhëniet me aleatët dhe rivalët dhe duke nxitur frikën e inflacionit më të lartë.

Ky veprim i fundit i lë eksportuesit indianë përballë një ndër detyrimeve më të larta të SHBA-së që Trumpi ka vendosur për mallrat nga jashtë shtetit. Brazili po përballet gjithashtu me tarifa prej 50% për eksportet e tij në SHBA. 

Ministrat në Indi argumentojnë se ajo është veçuar padrejtësisht për marrëdhënien e saj tregtare me Rusinë dhe zyrtarët paralajmërojnë se vendi ka të ngjarë të punojë më ngushtë me Moskën dhe Pekinin - dhe si rezultat të largohet më shumë nga Uashingtoni.

Shumica e eksporteve të mallrave indiane në SHBA, me vlerë 87.3 miliardë dollarë në vitin e kaluar, sipas përfaqësuesit të tregtisë së SHBA-së, tani përballen me detyrime të larta, megjithëse disa produkte të rëndësishme, përfshirë telefonat inteligjentë, do të kursehen, për momentin.

Ky veprim, i konfirmuar në një njoftim nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së në fillim të kësaj jave, i shtyu disa ekonomistë të parashikojnë një rënie të menjëhershme të tregtisë midis dy vendeve.