Botë

Trumpi padit BBC-në për shpifje, kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim

Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paditur të hënën transmetuesin britanik BBC, duke kërkuar dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh nën akuzat për shpifje si dhe praktika tregtare mashtruese dhe të padrejta, raporton agjencia “AP”. 

Padia prej 33 faqesh akuzon BBC-në se ka transmetuar një “përmbajtje të rreme, shpifëse mashtruese, përçmuese, nxitëse dhe dashakeqe për presidentin Trump”, ndërsa e ka quajtur “përpjekje të paturpshme për të ndërhyrë dhe ndikuar” në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2024. 

BBC akuzohet për bashkimin e dy pjesëve të ndara të fjalimit të Trumpit të 6 janarit të vitit 2021 gjatë trazirave në Kongres. Padia thotë se qëllimi ishte “për të keqinterpretuar qëllimisht kuptimin e asaj që tha presidenti Trump”. 

BBC-ja nuk ka lëshuar ende ndonjë reagim lidhur me padinë. 

Transmetuesi britanik i kishte kërkuar Trumpit falje muajin e kaluar për ndërhyrje në fjalimin e 6 janarit. Por, transmetuesi publik hodhi poshtë pretendimet për shpifje. 

Kreu i BBC-së, Samir Shah, e kishte quajtur atë një “gabim vlerësimi”. Shkaku i atij gabimi në emisionin Panorama, pasuan dorëheqjet e kryeredaktorit dhe po ashtu drejtorit të lajmeve. 

Trump kishte mbajtur fjalimin para se disa nga mbështetësit e tij ta sulmonin Capitolin në SHBA, ndërsa Kongresi ishte gati ta certifikonte fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020. Trump kishte pretenduar se fitorja i ishte vjedhur. 

BBC kishte transmetuar dokumentarin njëorësh me titullin “Trump: Një shans i dytë?”, disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së të vitit 2024. 

Në atë dokumentuar ishin bashkuar tri citate nga dy pjesë të ndryshme të fjalimit të vitit 2021, fjalim që kishte zgjatur afro një orë. 

Në dokumentar ishte krijuar një citat në të cilën jepej përshtypje se Trump po u bën thirrje mbështetësve të marshonin dhe të “luftonin”. 

Midis dy pjesëve të prera të fjalimit ishte një pjesë që Trump u tha protestuesve se do që të protestojnë në mënyrë paqësore. 

Trump kishte thënë më herët të hënën se po padiste BBC-në për shpifje. 

“Ata në fakt më vunë fjalë të tmerrshme në gojë që kishin të bënin më 6 janarin, fjalë që unë nuk i thash dhe janë fjalë të bukura në atë fjalim të cilat i thash apo jo? Janë fjalë të bukura, që flasi për patriotizmin dhe të gjitha gjërat e mira që unë thash. Ata nuk e thanë këtë, por vuan fjalë të tmerrshme në gojën time”, tha Trump. 

Padia është ngritur në Florida.  BBC-ja më herët kishte njoftuar se ka fshirë dokumentarin nga të gjitha platformat.