Ukraina do të kërkojë edhe 20 miliardë dollarë shtesë në ndihmë ushtarake nga aleatët e saj gjatë një takimi që do të mbahet javën e ardhshme, me qëllim që të ruajë atë që e konsideron si avantazhin aktual në fushën e betejës ndaj Rusisë, bëri të ditur një burim nga sektori ukrainas i mbrojtjes.
Kërkesa do të paraqitet të enjten në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, aleancë prej më shumë se 50 shtetesh, ku koordinohen ndihma financiare dhe ushtarake për Kievin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kemi një mundësi të mirë në front gjatë muajve të ardhshëm, prandaj na duhet mbështetje financiare urgjente”, tha burimi.
Sipas tij, përparimi i forcave ruse në vijën e frontit është ngadalësuar ndjeshëm gjatë këtij viti dhe praktikisht ka stagnuar muajin e kaluar, raporton Reuters.
Kjo, sipas Ukrainës, ka ndodhur për shkak të sulmeve me dronë me rreze të mesme veprimi, të cilët kanë dëmtuar zinxhirët e furnizimit dhe logjistikën ruse pranë frontit.
Njëkohësisht, sulmet ukrainase me dronë me rreze të gjatë veprimi po ushtrojnë presion të konsiderueshëm mbi sektorin energjetik të Rusisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi javën e kaluar se forcat ruse vazhdojnë të avancojnë çdo ditë në fushën e betejës dhe se ekonomia e vendit nuk përballet me rrezik. Megjithatë, ai pranoi se sulmet ukrainase po shkaktojnë dëme.
Burimi ukrainas tha se disa prej aleatëve do të ftohen të kontribuojnë me shuma që variojnë nga 2 deri në 6 miliardë dollarë secili, qoftë në formën e ndihmës direkte, qoftë përmes kredive, për të arritur objektivin prej 20 miliardë dollarësh.
Kjo kërkesë ishte raportuar fillimisht nga Politico.