Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke lënë në fuqi gjobën prej 6,000 euro të shqiptuar për përfshirje të fëmijëve në dy tubime zgjedhore.
PZAP i kishte pranuar si të bazuara ankesat e Organizatës Joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të cilat kishin të bënin me pjesëmarrjen e fëmijëve në dy tubime zgjedhore të organizuara nga LVV-ja më 3 qershor në Podujevë dhe Lipjan. Pas bashkimit të procedurave, PZAP-ja kishte konstatuar se pjesëmarrja e të miturve në këto aktivitete përbënte shkelje të Rregullores Zgjedhore për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV pretendoi se dispozita e lartcekur nuk ndalon çdo prani të të miturve në aktivitete politike, por vetëm angazhimin e tyre aktiv nga subjekti politik, dhe se në rastin konkret nuk ishte provuar një angazhim i tillë.
Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjeve në ankesë dhe provave të administruara në lëndë, Gjykata Supreme gjeti se ankesa është e pabazuar.
“Gjykata vlerësoi se PZAP ka zbatuar drejt dispozitat relevante të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se qëllimi i nenit 5 paragrafi 3 është mbrojtja e të miturve nga përfshirja në aktivitete politike dhe zgjedhore. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, interpretimi i kësaj dispozite duhet të bëhet në përputhje me qëllimin e saj mbrojtës dhe me parimin e interesit më të mirë të fëmijës, të garantuar nga instrumentet vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, thuhet në vendim.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se përgjegjësia e subjektit politik nuk përjashtohet nga fakti nëse të miturit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre apo nëse iniciativa për pjesëmarrje ka ardhur nga vetë ata.
Gjykata Supreme gjithashtu vlerësoi se PZAP, gjatë caktimit të gjobës, ka marrë parasysh natyrën dhe peshën e shkeljes, ndikimin e mundshëm në procesin zgjedhor, si dhe faktin se subjekti politik ishte i njoftuar me obligimet ligjore dhe ishte sanksionuar edhe më parë për shkelje të ngjashme.
Për këto arsye, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe ka refuzuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje si të pabazuar.
Vetëvendosje ishte gjobitur me 5,100 euro ditë më parë për përfshirje të një të miture në fushatë zgjedhore. Edhe asaj here, pas ankesës së LVV-së, Supremja pati lënë në fuqi gjobën.