Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina sulmon portin rus Ust-Luga, goditet terminali i naftës

Ukraine

Foto: Associated Press

Dronët ukrainas kanë goditur të martën portin rus në Detin Baltik, Ust-Luga, për herë të pestë brenda 10 ditësh, dhe burime nga industria i kanë thënë Reuters se ishte goditur një terminal ngarkimi nafte, gjë që ka gjasa të shtojë vështirësitë e Rusisë në eksportin e naftës bruto.

Kievi ka rritur sulmet ndaj infrastrukturës së eksportit të naftës së Rusisë gjatë muajit të fundit, duke ndërmarrë sulmet më të rënda me dronë të luftës, që zgjat prej më shumë se katër vjetësh, ndaj porteve baltike të Ust-Luga dhe Primorsk.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas llogaritjeve të Reuters bazuar në të dhënat e tregut, të paktën 40% e kapacitetit të eksportit të naftës së Rusisë është ndalur për shkak të sulmeve me dronë, një sulmi të diskutueshëm ndaj një tubacioni të madh dhe sekuestrimit të tankerëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën se disa nga aleatët e Kievit kishin dërguar “sinjale” për mundësinë e zvogëlimit të sulmeve me rreze të gjatë ndaj sektorit të naftës së Rusisë, pasi çmimet globale të energjisë janë rritur për shkak të luftës me Iranin.

E guvernatori rajonal, Alexander Drozdenko ka thënë se tre persona, përfshirë dy fëmijë, morën trajtim për lëndime dhe disa ndërtesa u dëmtuan gjatë sulmeve gjatë natës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka quajtur sulmet “akte terroriste”, duke shtuar se Rusia po punon për të mbrojtur infrastrukturën e saj kritike.

“Kjo nuk do të thotë që këto objekte mund të mbrohen 100% nga sulme të tilla terroriste. Megjithatë, po bëhet punë intensive, dhe kjo vlen jo vetëm për portin ... por për të gjitha objektet e tjera kritike të infrastrukturës”, ka thënë ai gjatë një konference të përditshme me gazetarët.

Tri burime nga industria i kanë thënë Reuters se dronët ukrainas goditën në sulmin e fundit objektet e ngarkimit të naftës bruto të operuara nga monopoli rus i tubacioneve Transneft.