Botë

Ukraina vendos sanksione ndaj kompanive që furnizojnë Rusinë me pjesë për raketat dhe dronë

Volodymyr Zelensky

Ukraina ka vendosur sanksione ndaj furnizuesve të huaj të komponentëve për raketat dhe dronët rusë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi të dielën se ka miratuar masa ndëshkuese ndaj disa prodhuesve të huaj që furnizojnë pjesë kyçe për dronët dhe raketat ruse të përdorura kundër Ukrainës.

Në një postim në platformën X, Zelensky tha se prodhimi i këtij armatimi do të ishte i pamundur pa komponentë kritikë të huaj, të cilët Rusia vazhdon t’i sigurojë duke anashkaluar sanksionet ndërkombëtare. Ai theksoi se sanksionet e reja synojnë pikërisht këto kompani, përfshirë furnizues të komponentëve, si dhe prodhues të raketave dhe dronëve, dhe se vendimet përkatëse tashmë janë nënshkruar.

Sipas dy dekreteve të publikuara nga presidenca ukrainase, në listën e sanksioneve përfshihen disa kompani kineze, si dhe kompani nga ish-hapësira sovjetike, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Panamaja. Këto masa vijnë në një kohë kur Rusia ka rritur ndjeshëm intensitetin dhe numrin e sulmeve me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, pavarësisht bisedimeve për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare.

Zelensky bëri të ditur se vetëm gjatë javës së fundit Rusia ka lëshuar mbi 2.000 dronë sulmues, 1.200 bomba ajrore të drejtuara dhe 116 raketa të llojeve të ndryshme ndaj qyteteve dhe fshatrave ukrainase. Sulmet ndaj centraleve dhe nënstacioneve elektrike kanë lënë rajone të tëra pa energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa në kryeqytetin Kiev ndërprerjet e rrymës kanë zgjatur deri në 20 orë.

Presidenti ukrainas shtoi se ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj sektorit financiar rus dhe institucioneve që mbështesin tregun rus të kriptomonedhave dhe aktivitetet e minierave digjitale.