Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ushtria libaneze dislokohet në një "zonë pilot" pas tërheqjes izraelite

Ushtria libaneze

Foto: Associated Press

Ushtria e Libanit ka njoftuar se trupat e saj kanë filluar të vendosen në një "zonë pilot" në jug të vendit, pas tërheqjes së forcave izraelite, në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e arritur muajin e kaluar.

Në një deklaratë nga komanda e ushtrisë është bërë e ditur se njësitë ushtarake kanë hyrë në fshatin Zawtar al-Gharbiyeh, në distriktin Nabatieh, të martën në mëngjes.

Të hënën në mbrëmje, ushtria izraelite ka konfirmuar nisjen e planit për "zonën pilot", i cili parashikon tërheqjen e trupave izraelite nga një pjesë e vogël e territorit të pushtuar gjatë konfliktit me Hezbollahun, si dhe çarmatimin e grupit të mbështetur nga Irani.

Ky zhvillim vjen para një takimi në Washington midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij libanez, Joseph Aoun.

Aoun pritet t'i kërkojë Trumpit të ushtrojë presion mbi Izraelin që të tërhiqet nga pjesa tjetër e Libanit jugor dhe të ofrojë mbështetje për ushtrinë libaneze, në mënyrë që ajo të marrë kontrollin e plotë të zonave ku Hezbollahu ushtron ndikim.

Edhe Ushtria libaneze tërhiqet nga fshati jugor pas kërkesës së Izraelit për evakuim Botë 1 muaj më parë Ushtria libaneze tërhiqet nga fshati jugor pas kërkesës së Izraelit për evakuim

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar të hënën pasdite se "operacionet në zonën pilot" kishin filluar në Zaëtar al-Gharbiyeh dhe në dy fshatra të tjerë libanezë, Froun dhe Srifa, në përputhje me marrëveshjen e kuadrit trepalësh midis Izraelit, Libanit dhe SHBA-së.

Aty thuhej se ky "hap i rëndësishëm" ishte rezultat i drejtpërdrejtë i diskutimeve të zhvilluara javën e kaluar në Romë midis përfaqësuesve izraelitë dhe libanezë.