Manjati i mediave Ted Turner, i cili revolucionarizoi kulturën moderne të lajmeve 24-orëshe kur themeloi kanalin CNN, ka vdekur në moshën 87-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga CNN të mërkurën.
Turner lansoi “Cable News Network” si kanalin e parë të dedikuar për lajme të vazhdueshme, në vitin 1980, i cili shpejt u bë një pjesë qendrore e peizazhit mediatik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ted ishte një udhëheqës jashtëzakonisht i përfshirë dhe i përkushtuar, i guximshëm, i patrembur dhe gjithmonë i gatshëm të mbështeste një parandjenjë dhe t’i besonte gjykimit të vet”, tha në një deklaratë drejtori ekzekutiv dhe kryetari i CNN-it, Mark Thompson.
“Ai ishte dhe gjithmonë do të jetë fryma udhëheqëse e CNN. Ted është gjigandi mbi supet e të cilit qëndrojmë, dhe sot do të ndalemi të gjithë për të njohur ndikimin e tij në jetët tona dhe në botë”.
CNN fillimisht hasi vështirësi, por e dëshmoi vlerën e saj duke ofruar përditësime të shpejta dhe të vazhdueshme për ngjarje si tentativa për vrasjen e presidentit të SHBA-së, Ronald Reagan, në vitin 1981, dhe katastrofa e anijes kozmike “Challenger” në vitin 1986.
Rrjeti u pjek vërtet me mbulimin e drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm nga Iraku gjatë Luftës së Gjirit Persik të viteve 1990–1991.
Presidenti George Bush njëherë tha se mësoi më shumë nga CNN sesa nga CIA.
Suksesi i CNN çoi që kanale të tjera lajmesh të ndiqnin shembullin, si Fox News, i lansuar në vitin 1996 nga rivali i gjatë i Turner, Rupert Murdoch.
Por CNN ishte larg të qenit e vetmja sipërmarrje e Turnerit. Ai e filloi karrierën duke marrë drejtimin e kompanisë së suksesshme familjare të billboard-eve pasi babai i tij kreu vetëvrasje, më pas bleu një stacion radioje në Atlanta.
Brenda një dekade, ai stacion u bë themeli i Sistemit të Transmetuesve Turner (TBS) dhe drejtuesi i saj u bë një nga manjatët më të mëdhenj të mediave në Shtetet e Bashkuara.
Perandoria e tij televizive përfshinte gjithashtu kanalet TBS dhe TNT, Turner Classic Movies dhe Cartoon Network.
Ai bëri një blerje të shkurtër dhe të pasuksesshme prej 1.5 miliardë dollarësh të studiove filmike Metro-Goldwyn-Mayer në vitin 1985. Më pas bleu kompani filmike dhe televizive Castle Rock Entertainment dhe Neë Line Cinema në vitet ‘90, përpara se kompania e tij të bashkohej me Time Warner.
Përtej mediave, Turner ishte i njohur për lundrim, duke fituar America's Cup në vitin 1977, dhe ishte pronar i ekipit të bejsbollit Atlanta Braves, ekipit të basketbollit Atlanta Hawks dhe ekipit të hokejit mbi akull Atlanta Thrashers.
Ai ishte i martuar me aktoren Jane Fonda nga viti 1991 deri në vitin 2001.