Botë

Policia gjen të dyshuarin për vrasjen e gruas dhe dy vajzave të komentatorit të BBC-së

Vrasja në Angli

Vrasja në Angli

E përditësuar (20:35) - Policia britanike ka bërë të ditur të mërkurën se kishte gjetur një burrë të kërkuar në lidhje me vrasjen e gruas dhe dy vajzave të një komentatori të garave me kuaj të BBC-së.

Oficerët kishin zbuluar tri viktimat, të moshës 25, 28 dhe 61 vjeç, me lëndime të rënda në shtëpinë në Bushey, një qytet disa kilometra në veriperëndim të Londrës, të martën në mbrëmje. Ato kishin vdekur në vendngjarje pak kohë më vonë si pasojë e plagëve.

BBC ka raportuar se gratë ishin Carol Hunt, gruaja e komentatorit, John Hunt dhe dy nga vajzat e tyre.

"Pas hetimeve të gjera, i dyshuari është gjetur dhe askush tjetër nuk është duke u kërkuar në lidhje me hetimin në këtë moment”, ka thënë në një deklaratë inspektori detektiv Justine Jenkins. 


Vriten në Angli gruaja dhe dy vajzat e komentatorit të BBC-së

Tri gra kanë mbetur të vdekura si pasojë e plagëve të shkaktuara nga një burrë i armatosur, të martën mbrëma në Hertfordshire të Anglisë.

Policia ka bërë të ditur se viktimat janë gruaja dhe dy vajzat e një gazetari të BBC-së.

Zyrtarë policorë kanë thënë se janë vënë në kërkim të një 26-vjeçari, të quajtur Kyle Clifford, në lidhje me vdekjet.

Policia ishte thirrur në një shtëpi në Bushey, Hertfordshire, të martën në mbrëmje, ku u gjetën tri gra të plagosura rëndë, të cilat më vonë vdiqën nga plagët e tyre.

Viktimat e vrasjes së trefishtë u identifikuan si gruaja dhe dy vajzat e komentatorit të garave të BBC-së, John Hunt, ka bërë të ditur transmetuesi publik i Mbretërisë së Bashkuar të mërkurën. Policia tha më herët se të ndjerat, të moshës 25, 28 dhe 61 vjeç, u vranë në atë që besohet të ketë qenë një “incident i shënjestruar”.

Një hark besohet të jetë përdorur në vrasjen e trefishtë, megjithëse policia ka thënë të mërkurën se mund të jenë përdorur edhe armë të tjera.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që të mos i afrohen të dyshuarit.

Sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, ka thënë se ajo po mbahet “plotësisht e përditësuar” nga policia për rastin.