Botë

Vriten shtatë berberë në një provincë në Pakistan

Vrasja në Pakistan

Vrasja në Pakistan

Shtatë berberë janë vrarë me armë zjarri të enjten në një shtëpi, në një provincë në Pakistanin jugperëndimor, kanë bërë të ditur policia dhe zyrtarë qeveritarë.

Vrasjet kanë ndodhur afër portit të qytetit Gwadar në provincën Baluchistan, ka thënë zyrtari policor, Mohsin Ali, raporton AP.

Të gjithë berberët ishin nga provinca Punjab dhe jetonin e punonin së bashku. 

Policia ka thënë se beson që sulmi ndaj berberëve nuk kishte të bënte me punët e tyre.

“Disa persona të panjohur kanë hyrë në një ndërtesë dhe kanë hapur zjarr ndaj berberëve që ishin duke fjetur”, ka thënë një gazetar lokal. 

Ministri i Brendshëm, Ziaullah Langau, i ka dënuar vrasjet dhe ka thënë se policia po heton se kush qëndron prapa sulmit. 

Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. 

Separatistët në Baluchistan shpesh kanë vrarë punëtorë dhe të tjerë në Punjab, si pjesë e fushatës së tyre për t’i detyruar që të largohen nga provinca. 

Provinca ka përjetuar për vite me radhë një kryengritje të nivelit të ulët nga Ushtria Çlirimtare e Baluchistanit dhe grupe të tjera që kërkojnë pavarësi nga qeveria qendrore në Islamabad. 

Muajin e kaluar, Ushtria Çlirimtare e Baluchistanit mori përgjegjësinë për vrasjen e nëntë personave nga provinca Punjab, të cilët u rrëmbyen nga një autobus në Baluchistan, duke thënë se kishte informacione se në autobus ndodheshin spiunë. 

Në janar, persona të armatosur vranë gjashtë berberë në një ish-bastion të talebanëve pakistanezë në veriperëndim të vendit, pranë kufirit me Afganistanin. 

Militantët pakistanezë vite më parë ndaluan shkurtimin e mjekrës dhe prerjen e flokëve në stilet perëndimore.