Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar një ditë më parë se nuk do të merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror vjetor në Davos dhe se do të qëndronte në Kiev për t’u përqendruar në krizën energjetike në Ukrainë, ku sulmet ajrore ruse ndaj infrastrukturës elektrike kanë lënë pjesë të mëdha të kryeqytetit dhe rajone të tjera pa energji elektrike.
Zelensky kishte thënë se do të udhëtonte drejt Davosit vetëm nëse do të ekzistonte mundësia për të nënshkruar një marrëveshje me Trumin për zgjidhjen e luftës gati katërvjeçare, e cila do të përfshinte garanci sigurie dhe financim për rindërtimin e Ukrainës pas luftës.
Megjithatë, të mërkurën Trumpi ka njoftuar se do të takohej me liderin ukrainas në Davos. Zëdhënësi i Zelenskyt ka thënë në një deklaratë se lideri ukrainas do të takohej me Trumpin në orën 13:00 sipas kohës lokale, përpara se të mbajë një fjalim në orën 14:30.
Ndërkohë, Witkoff ka zhvilluar ditët e fundit bisedime me zyrtarë ukrainas në Davos, pas diskutimeve të fundjavës në Florida.
Ai pritet të udhëtojë në Moskë më vonë gjatë së enjtes, së bashku me të dërguarin tjetër amerikan, Jared Kushner, për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, mbi një plan të mundshëm për t’i dhënë fund konfliktit, më vdekjeprurësin në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kremlini ka thënë se takimi i Putinit me Witkoff dhe Kushner do të zhvillohet pas orës 19:00–20:00 sipas kohës së Moskës.
Zelensky kritikon ashpër Evropën e për planin e paqes thotë se është thuajse gati
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka krahasuar situatën në Ukrainë me filmin “Groundhog Day” – ku karakteri kryesor rijeton ditën e njëjtë vazhdimisht, derisa e ka kritikuar ashpër Evropën.
“Askush nuk do të donte të jetonte ashtu, duke ripërsëritur të njëjtën gjë për javë e muaj dhe sigurisht për vite. Kjo është pikërisht si po jetojmë tani. Dhe është jeta jonë”, ka thënë ai pas takimit me Trumpin.
Ai e ka kritikuar Evropën për mungesë të veprimeve në ndjekje penale në Rusi, derisa i ka dhënë zë kritikave të Trumpit për Evropën duke thënë se “Evropa do të diskutojë për të ardhmen, por i shmanget veprimit sot”.
Zelensky i ka akuzuar shtetet e bllokut se janë të ndara dhe më të shqetësuara që të mos e ofendojnë njëra-tjetrën sesa të veprojnë me vendosmëri.
“Është e vërtetë se shumë takime janë zhvilluar, por Evropa ende nuk ka arritur në pikën për të pasur një shtëpi për tribunal. Çfarë po mungon? Koha apo vullneti politik? Shumë shpesh në Evropë, diçka tjetër gjithmonë është më urgjente se drejtësia”, ka theksuar Zelensky në një fjalim të pazakontë kritikues nga aleatëve të tij.
Duke vazhduar me kritika, Zelensky ka thënë se veprimet definojnë të ardhmen.
“Pse presidenti Trump mund t’i ndalojë cisternat nga flotat dhe të sekuestrojë naftë, por Evropa jo? Nafta ruse po transportohet përmes brigjeve evropiane. Ajo naftë e financon luftën kundër Ukrainës, ajo naftë ndihmon destabilizimin e Evropës”, ka shtuar ai.
Presidenti ukrainas ka shtuar tutje se askush nuk po sheh as veprim të NATO-s.
“Nëse Putini vendos ta marrë Lituaninë ose ta godasë Poloninë, kush do të përgjigjet?”
Ndërkaq, sa i përket planit të paqes në Ukrainë Zelensky ka theksuar se është afër përfundimit.
“Dokumentet që synojnë përfundimin e luftës janë pothuajse gati dhe kjo vërtet ka rëndësi. Ukraina po punon me sinqeritet të plotë dhe vendosmëri dhe kjo sjell rezultate”, ka thënë ai.
Trumpi pas takimit me Zelenskyn: Të gjithë duan që lufta të mbarojë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se të gjithë duan që lufta të mbarojë në Ukrainë, pas takimit disa orësh me homologun Volodymyr Zelensky.
Trumpi e Zelensky u takuan në kuadër të Forumit Ekonomik të Davosit në Zvicër.
I pyetur se çfarë u diskutua në takim, ai u ka thënë gazetarëve se do të duhet të shohin se çfarë do të ndodhë.
“Të gjithë duan që lufta të mbarojë”, ka thënë Trump.
Presidenti amerikan bëri të ditur se nesër do të takohen me delegacionin rus.