Botë

Zelensky: Marrëveshja e paqes me Rusinë është 90 për qind gati

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë është “90 për qind gati”, në fjalimin e tij të Vitit të Ri, i cili ishte i përqendruar kryesisht në rezistencën ndaj pushtimit të plotë rus.

Zelensky ka thënë se 10 për qindëshi i mbetur i marrëveshjes, që synon t’i japë fund gati katër vjetëve konflikt, do të “përcaktojë fatin e paqes, fatin e Ukrainës dhe të Evropës”.

Ndërkohë, në fjalimin e tij të Vitit të Ri, presidenti rus Vladimir Putin u ka thënë trupave ruse se “ne besojmë në ju dhe në fitoren tonë”.

Më herët gjatë ditës, Moska ka publikuar atë që e ka cilësuar si prova se Ukraina ka përdorur dronë për të synuar shtëpinë private të Putinit pranë Liqenit Valdai, në veriperëndim të Rusisë, akuza të cilat Kievi i ka mohuar fuqishëm.

Materialet e publikuara përfshijnë një hartë që, sipas autoriteteve ruse, tregon se dronët janë nisur nga rajonet ukrainase Sumy dhe Chernihiv, si dhe një video ku shihet një dron i rrëzuar në një zonë pyjore të mbuluar me borë. Një ushtar, i cili shfaqet pranë mbetjeve, pretendon se bëhet fjalë për një dron ukrainas të tipit “Chaklun”.

Kremlini ka deklaruar se, si pasojë e këtij incidenti të dyshuar, Rusia do ta rishqyrtojë qëndrimin e saj në lidhje me negociatat e vazhdueshme të paqes.

Por shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka cilësuar të mërkurën pretendimet ruse si një “shpërqendrim të qëllimshëm” dhe një përpjekje për të sabotuar procesin e paqes.