Botë

Zëvendëspresidenti i SHBA-së mbërrin në Izrael në mbështetje të armëpushimit të brishtë në Gazë

JD Vance

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, mbërriti në Izrael të martën për të ndihmuar në ruajtjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Marrëveshja për armëpushim, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, është lëkundur ditët e fundit pas disa sulmeve që u raportuan javën e kaluar.

Vizita e Vances vjen pas mbërritjes së dy të dërguarve të tjerë të rëndësishëm nga Shtëpia e Bardhë. Ai pritet të qëndrojë në rajon deri të enjten.

E të martën, Izraeli njoftoi se ka identifikuar trupin e një pengu që u lirua gjatë natës nga militantët palestinezë, raporton AP.

Pala izraelite ka konfirmuar se Hamasi ka dorëzuar trupin e Tal Haimit, i cili ishte vrarë në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023  -  ngjarje që nisi luftën. Ai ishte rrëmbyer nga Kibuci Nir Yitzhak, pranë kufirit me Gazën. Tal Haimi ishte 42 vjeç. Ai kishte katër fëmijë, përfshirë një që lindi pas sulmit.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli ende po pret që Hamasi të dorëzojë trupat e 15 pengjeve të vdekur. Deri tani, që nga fillimi i armëpushimit, janë dorëzuar 13 trupa.

Pas shkëmbimeve të fundit me raketa, përfaqësuesit e Hamasit përsëritën se janë të përkushtuar që lufta të përfundojë njëherë e mirë.

“Kemi qenë të vendosur dhe të përkushtuar që nga dita kur nënshkruam marrëveshjen e Sharm el-Sheikh”, tha kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Hayya, për televizionin egjiptian Al-Qahera News, të hënën mbrëma.

Ai tha se samiti në Sharm el-Sheikh, i mbajtur nga presidenti egjiptian Abdel-Fattah el-Sissi dhe presidenti amerikan Donald Trump, tregoi se “vullneti ndërkombëtar është që lufta në Gaza të marrë fund”.

Sipas al-Hayyas, Hamasi ka marrë garanci nga ndërmjetësuesit dhe nga presidenti Trump që i japin besim se lufta ka përfunduar përfundimisht.

Ai shtoi se Izraeli ka lejuar futjen e ndihmave në Gaza, sipas marrëveshjes, por kërkoi nga ndërmjetësuesit që të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të sjellë më shumë ndihma mjekësore dhe pajisje për dimrin, përpara se të ndryshojnë kushtet e motit.