Pas dy ditësh tentime, konklava në Vatikan ka zgjedhur papën e ri. Robert Prevost nga SHBA-ja u bë amerikani i parë papë në histori. Papa i ri, që do të njihet me emrin Leoni XIV, konsiderohet lider me eksperiencë të madhe që ka kaluar të gjithë karrierën në Amerikën Latine dhe ka shërbyer në zyrën e Vatikanit. Pritet të jetë vazhdues i reformave të nisura nga Papa Françesku

Robert Francis Prevost nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zgjedhur papa i 267-të. Të enjten, ai doli në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan si lider i mbi 1.4 miliard katolikëve. Nga tani do të njihet si Papa Leoni XIV.

Prevosti, 69-vjeçar nga Chicago, Illinois, është papa i parë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka prindër me rrënjë nga Ekuadori dhe Franca.

Leoni u zgjodh pas vetëm dy ditësh qëkur grupi prej 133 kardinalësh u mblodh në konklavë për të zgjedhur udhëheqësin e ri. Pas zgjedhjes, tymi i bardhë doli nga oxhaku i Kapelës Sistine pasditen e së enjtes. Bota u njoftua se është zgjedhur papa i ri e njerëzit nisën të grumbulloheshin në sheshin Shën Pjetri. Që nga tymi i bardhë u desh të kalonte një orë para se ai të dilte para turmës. “Habemus papam!” ishte thirrja që u përsërit (Kemi një papë), para se të prezantohej papa i ri.

Nën ovacione të shumta, papa i ri doli i buzëqeshur por qartësisht nën emocione të shumta. Në fjalët e para si papë, Leoni iu drejtua turmës në sheshin Shën Pjetri: “Paqja qoftë me të gjithë ju”.

Duke iu adresuar turmës, ai nderoi Papa Françeskun, duke u kërkuar njerëzve të kujtojnë trashëgiminë e pararendësit të tij, duke vënë theksin te vizioni i tij për Kishën Katolike.

“Duhet të përpiqemi së bashku të jemi një kishë misionare. Një kishë që ndërton ura dhe dialog”, ka thënë ai. Duke folur në gjuhën italiane para mijëra besimtarëve katolikë, Leoni u bëri thirrje njerëzve të “tregojnë bamirësinë” ndaj të tjerëve “dhe të dialogojnë me dashuri”.

Periudha e zgjedhjes së papës së ri përkon me dy të shkuarat. Kjo nënkupton se Prevosti shpejt mori vëmendjen gjatë procesit sekret të zgjedhjes.

Françesku dhe Benedicti XVI ishin prezantuar po ashtu në mbrëmjen e ditës së dytë të enklavave, përderisa Gjon Pali II, papa më jetëgjatë i kohëve moderne, u zgjodh në ditën e tretë më 1978.

Emri Leon është nderim për Shën Leonin e Madh, duke sinjalizuar vazhdimësi me qëndrimet e tij të forta tradicionale të ruajtjes së parimeve të Kishës. Para Prevostit, Leoni XIII ishte italian që udhëhoqi kishën në periudhën 1878 deri më 1903, e që pati zbutur qëndrimin konfrontues të katolicizmit ndaj modernitetit – sidomos ndaj shkencës dhe politikës. Ai kishte hedhur themelet për mendimin shoqëror modern katolik.

“Emri është shenjë e thellë e angazhimit ndaj çështjeve sociale. Mendoj se do të jetë emocionuese të shohim një lloj tjetër të katolicizmit amerikan në Romë”, ka thënë Natalia Imperatori-Lee, profesoreshë për studime fetare në Universitetin e Manhattanit.

“Lider i jashtëzakonshëm”

Si lider me përvojë botërore, Prevosti e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si misionar në Amerikën Latine dhe së fundmi udhëhoqi zyrën më të fuqishme të Vatikanit për emërimet e peshkopëve. Ai pritet të vazhdojë punën mbi reformat e Papa Françeskut.

Prevosti në të kaluarën kishte punuar për një dekadë në Trujillo të Perusë dhe më pas ishte zgjedhur peshkop në Chiclayo, tjetër qytet peruan, ku shërbeu në periudhën nga viti 2014 deri më 2023. Në vitin 2015, pati marrë edhe shtetësinë peruane.

Papa i ri është anëtar i Urdhrit Augustinian – të cilin e udhëhoqi për më shumë se një dekadë si gjenerali i tyre, që ia dha eksperiencën e udhëheqjes së një urdhri gjithandej nëpër botë.

I vlerësuar lart si udhëheqës i kompletuar dhe shumë i aftë, Prevosti së fundmi udhëhoqi zyrën e fuqishme të Vatikanit për emërimet e peshkopëve të rinj, Dikasterin për Peshkopë, duke vlerësuar kandidatët dhe duke i bërë rekomandime papës së ndjerë. Ai ka shërbyer gjithashtu si president i Komisionit Papnor për Amerikën Latine.

Përderisa shpesh thuhet se zgjedhësit e kardinalëve gjithmonë hezitojnë të zgjedhin një papë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të ndikimit të madh politik të SHBA-së në botë, eksperienca e gjatë e Prevostit në Peru mund të ketë qenë pikërisht arsyeja përse kjo frikë është zbutur te zgjedhësit.

“Ai është dikush i cili, edhe pse vjen nga Perëndimi, është shumë i vëmendshëm ndaj nevojave të një kishe botërore”, ka thënë Elise Allen, analiste e Vatikanit për CNN-in. “Po flasim për dikë që ka kaluar më shumë se gjysmën e karrierës së tij kishtare jashtë vendit si misionar në Peru”.

Allen ka shtuar se ai shihet si një udhëheqës i aftë në qarqet e Vatikanit, sepse “është në gjendje të realizojë gjëra pa qenë domosdoshmërisht autoritar në mënyrën se si i bën gjërat”.

“Prevost njihet si një lider i jashtëzakonshëm. Nga një moshë shumë e re, ai u emërua në role udhëheqëse”, ka thënë Allen. “Ai shihet si dikush që është i qetë dhe i ekuilibruar, që është i paanshëm dhe që është shumë i qartë në atë që mendon se duhet bërë... por, ai nuk është shumë detyrues në përpjekjen për ta bërë këtë që të ndodhë”.

Prevost e ka marrë diplomën e tij të bachelorit në matematikë nga Universiteti i Villanovas në Pennsylvania dhe ka diplomuar në teologji në Unionin Teologjik Katolik të Chicagos.

Ai u dërgua më vonë në Romë për të studiuar të drejtën kanonike në Universitetin papnor të St. Thomas Aquinas dhe u shugurua prift në qershor të vitit 1982. Më vonë në karrierën e tij, ai ka dhënë mësim të drejtën kanonike në seminarin në Trujillo, Peru.

Në një intervistë për “Vatikan News”, pak pasi u bë udhëheqës i Dikasterit të Peshkopëve, Prevost ka thënë se e konsideron veten misionar.

Ditë festive

Ditët në vijim do të jenë ditë festive; emri i Leonit do të përmendet në predikimet dhe meshat në të gjithë botën katolike dhe do të ngjallë veçanërisht gëzime në vendin e tij të lindjes. Festimeve dhe kalendarit të angazhimeve të papës së ri u shtohet fakti se viti 2025 është vit jubilar për kishën – një festë e veçantë e shpallur nga Papa Gjon Pali II 25 vjet më parë, e cila parasheh orar të ngjeshur ngjarjesh të organizuara nga Vatikani.

Por, të udhëheqësh në këtë epokë të paparashikueshme do të kërkojë vendime të vështira dhe të rëndësishme. Papa i ri trashëgon udhëheqjen e një kishe, imazhi dhe ambiciet e së cilës u transformuan nga paraardhësi i tij. Françesku i ka larguar prioritetet e kishës nga çështjet sociale si aborti, homoseksualiteti, rolet gjinore dhe kontracepsioni, duke avokuar në vend të kësaj për të varfrit, të zhvendosurit dhe ata në nevojë.

Vazhdimi apo jo i kësaj trajektoreje do të jetë një zgjedhje përcaktuese për papën e ri. Refuzimi i pasurisë nga Françesku dhe toni i tij më i butë në çështjet sociale bënë që ai të lavdërohej nga liderët perëndimorë, por mbetet një fraksion në kishë që avokon për një qëndrim më të rreptë kur bëhet fjala për çështjet si gjinia, martesat apo migracioni.

I pyetur për kontributet e tri grave që u bënë anëtare të Dikasterit të Peshkopëve, Prevost i kishte thënë “Vatican News”: “Mendoj se emërimi i tyre është më tepër sesa një gjest nga ana e Papës për të thënë se tani ka edhe gra këtu. Ekziston një pjesëmarrje e vërtetë, e sinqertë dhe kuptimplotë që ato ofrojnë në takimet tona kur diskutojmë për dosjet e kandidatëve”.

Ai gjithashtu duhet të zgjedhë me kujdes se kur të ndërhyjë në skenën botërore. Françesku u bë gjithnjë e më politik në vitet e fundit të papatit të tij, duke argumentuar për të drejtat e emigrantëve, duke kërkuar një armëpushim në luftën Izrael – Hamas dhe duke sugjeruar – për zemërimin e Kievit – që Ukraina duhet ta valojë “flamurin e bardhë” dhe të bëjë lëshime për t’i dhënë fund luftës, të cilën e nisi Rusia në Ukrainë.

Këto konflikte që po vazhdojnë, dhe rritja e popullizmit dhe autoritarizmit në mbarë botën, krijuan një kontekst të ndërlikuar në të cilin do të veprojë papa i ri – që vetë është një figurë e rëndësishme në diplomacinë globale.

Dhe ai duhet të merret edhe me kriza të brendshme. Dështimi i Françeskut për t’i dhënë fund skandalit shumëvjeçar të abuzimeve seksuale të fëmijëve në kishë do të jehojë edhe në papatin e pasardhësit të tij. Megjithëse ai foli në mbrojtje për të kaluarën e tij në këtë çështje dhe ndërmori disa hapa të rëndësishëm për t’i trajtuar çështjet sistematike që përfshijnë abuzimin, papa i mëparshëm u akuzua nga grupet e të mbijetuarve se nuk i mbajti përgjegjës peshkopët dhe kardinalët e akuzuar për mbulimin e abuzimeve.

Duke folur në të kaluarën për përgjegjësitë për luftimin e abuzimeve nga klerikët, Prevost i pati thënë “Vatican News”: “Ka vende ku është bërë punë e mirë prej vitesh dhe rregullat po vihen në praktikë. Në të njëjtën kohë, besoj se ka ende shumë për të mësuar”.

Vitin e kaluar, komisioni i Françeskut për mbrojtje të fëmijëve pati thënë në raportin e tij të parë se pjesë të kishës ende nuk po sigurojnë që abuzimi të raportohet si duhet dhe pati ngritur shqetësime për një “mungesë transparence” në mënyrën se si Vatikani i trajtoi rastet.

Qysh në ditën e zgjedhjes, është caktuar agjenda e papës së ri. Papa Leoni XIV do të mbajë meshën të premten me kardinalët në Kapelën Sistine. Ai, sipas zëdhënësit të Vatikanit, planifikon të japë bekimin e parë të mesditës të dielën në Bazilikë. Ai planifikon të mbajë një tubim me mediat të hënën.

Reagimet në botë

Liderë të shumtë botërorë kanë uruar papën e ri për marrjen e detyrës. “Nder që papa i ri është amerikan”, ka thënë presidenti i SHBA-së, Donald Trump në urimin për papën e ri, Leoni XIV. Në një postim në “Truth Social”, Trumpi ka thënë se mezi e pret takimin me udhëheqësin e Kishës Katolike.

“Urime kardinalit Robert Francis Prevost, që vetëm sa është zgjedhur papë. Nder i madh me të mësuar se është papa i parë amerikan. Çfarë emocioni, çfarë nderi i madh për vendin tonë. Pres me padurim të takohem me papën Leoni XIV. Do të jetë një moment shumë domethënës”, ka shkruar Trump.

Presidentja e Perusë, Dina Boluarte, e ka quajtur zgjedhjen e Papa Leonit XIV si “moment historik për Perunë dhe për botën”.

“Në tokat tona ai mbolli shpresë, duke ecur përkrah atyre më në nevojë dhe i përjetoi gëzimet e popullit tonë. Zgjedhje e tij për Perunë nuk është vetëm formale, por thellësisht shpirtërore dhe njerëzore. Ai ka zgjedhur të ishte një prej nesh, të jetonte mes nesh dhe të mbante në zemër besimin, kulturën dhe ëndrrat e këtij kombi”, ka thënë Boluarte në një adresim pas zgjedhjes së Papa Leonit XIV.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në urim ka thënë se shteti i tij e vlerëson qëndrimin e vazhdueshëm të Vatikanit për rendin botëror, për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbrojtjen e të drejtave të civilëve të pafajshëm.

“Në këtë moment vendimtar për shtetin tonë, ne shpresojmë që të vazhdohet përkrahja morale dhe shpirtërore e Vatikanit për përpjekjet e Ukrainës për të rivendosur drejtësinë dhe për të arritur paqe të qëndrueshme”, ka shkruar Zelensky në urimin e tij.

Urim për papën e ri ka pasur edhe presidenti rus, Vladimir Putin. “Jam i bindur se dialogu konstruktiv dhe bashkëpunimi i vendosur në mes të Rusisë dhe Vatikanit do të vazhdojë të zhvillohet mbi bazat e vlerave kristiane që na bashkojnë”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, në një shkrim në X ka thënë se me zgjedhjen e papës së ri nis një kapitull i ri.

“Papa Leoni XIV është papa i parë amerikan. Ky është moment i rëndësishëm. Siç tregoi edhe papati i Papa Françeskut, Selia e Shenjtë ka rol të veçantë për të luajtur në bashkimin e njerëzve dhe kombeve për të adresuar çështjet kryesore të kohës sonë, veçanërisht mbi ndryshimet klimatike, zbutjen e varfërisë dhe promovimin e paqes dhe drejtësisë në të gjithë botën”, ka shkruar ai.

Ndër udhëheqësit shtetërorë që kanë uruar Papa Leonin XIV ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Derisa ka uruar në emër të popullit të Kosovës, ajo ka thënë se zëri i tij do të ketë peshë të madhe.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet e mia të sinqerta Shenjtërisë së Tij, Papa Leoni XIV për zgjedhjen e tij. Në një kohë kur bota dëshiron paqe, unitet dhe dhembshuri, zëri i tij do të ketë peshë të madhe. Papniteti i tij le të shënohet nga qartësia morale, udhëheqja e palëkundur dhe një angazhim i thellë ndaj dinjitetit të të gjithë njerëzimit”, ka shkruar Osmani në platformën X.

E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në urimin për papën e ri ka shprehur bindjen se “Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, do të kontribuojë me gjithë fuqinë dhe autoritetin e tij në shërbim të kauzës sublime të forcimit të klimës së bashkëjetesës paqësore të të gjitha besimeve”.

Papa i ri ka marrë urime edhe nga liderë të tjerë evropianë, përfshirë spanjollin Pedro Sanchez, polakun Andrzej Duda, hungarezin Viktor Orban, portugezin Luis Montenegro, austriakun Christian Stocker, çekun Petr Fiala, holandezin Dick Schoof e shumë të tjerë.

Trumpi: Nder i madh që Papa i ri është amerikan

4 o. më parë / 8 maj 2025 19:49
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka uruar Papën e ri Leoni XIV. Trump në një postim në “Truth Social” ka thënë se është nder i madh për SHBA-në, që Papa i ri është nga SHBA-ja. 

“Urime kardinalit Robert Francis Prevost, që vetëm sa është zgjedhur Papë. Nder i madh me të mësuar se është Papa i parë amerikan. Çfarë emocioni, çfarë nderi i madh për vendin tonë. Pres me padurim të takohem me Papën Leoni XIV. Do të jetë një moment shumë domethënës”, ka shkruar Trump. 

“Paqja qoftë me ju”, fjalët e para të Papës së ri

4 o. më parë / 8 maj 2025 19:31
Papa Leo XIV i

Photo: Associated Press

Papa Leoni XIV i është drejtuar për herë të parë turmës së mbledhur në Vatikan.

“Paqja qoftë me ju” ishin fjalët e para pas prezantimit si papë.

“Do të doja të ofroja një përshëndetje paqeje për familjet tuaja, të gjithë ju, kudo që jeni. Paqja qoftë me ju”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje që Kisha Katolike të “ndërtojë ura” dhe të angazhohet në dialog. 

Robert Prevost - Papa i ri

5 o. më parë / 8 maj 2025 19:14
Robert PRevost

Photo: Associated Press

Kardinali Robert Francis Prevost nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zgjedhur papa i 267-të në histori. 

69-vjeçari nga Chicago është Papa i parë nga SHBA-ja. Ai do të njihet si Leoni XIV.

Konsiderohet si lider me eksperiencë të madhe që ka kaluar të gjithë karrierën në Amerikën Latine dhe ka shërbyer në zyrën e Vatikanit. Pritet të jetë vazhdues i reformave të nisura nga Papa Françesku.

Ka shërbyer për dy dekada në Peru.

“E konsideroj veten si misionar. Thirrja ime është si ajo e çdo krishterit, të jem misionar, ta shpall Ungjillin kudo që të jesh”, pati thënë ai në një intervistë të fundit për Vatikan News.

Çka simbolizon emri Leon i Papës së ri

Emri është nderim për Shën Leonin e Madh, duke sinjalizuar vazhdimësi me qëndrimet e tij të forta tradicionale të ruajtjes së parimeve të Kishës.
 

Kush e prezanton Papën e ri?

5 o. më parë / 8 maj 2025 19:09
Dominique Mamberti

Photo: Associated Press

Do të jetë kardinali francez Dominique Mamberti që do ta prezantojë Papën e ri para botës.

Ai do ta përdorë frazën historike “Habemus Papam!” (Kemi një Papë).

Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse është Mamberti personi i zgjedhur për Papë.

Këtu do të shihet për herë të parë Papa i ri

5 o. më parë / 8 maj 2025 18:43
Ballkoni

Udhëheqësi i 267-të i Kishës Katolike do të shfaqet së shpejti në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit dhe do të prezantohet para botës.

Pamja e parë vlen shumë. Kur Papa Françesku ishte prezantuar më 2013, ai ishte shfaqur në rroba të thjeshta të bardha, krejt ndryshe prej pararendësve.

Ai pati zgjedhur emrin Françesku në nder të Françeskut të Azisit.

Françesku i ishte adresuar turmës me përshëndetjen e thjeshtë në gjuhën italiane “Buona Sera” (Mirëmbrëma).

Bota po e pret emrin e Papës së ri

5 o. më parë / 8 maj 2025 18:32
Papa

Photo: Associated Press

Emri i Papës së ri do të bëhet i ditur pas pak kur top-kardinali do të brohorasë “Habemus papam!” që nga latinishtja nënkupton “Kemi një Papë”. Aty do të bëhet i ditur emri i Papës së ri.

Një total prej 133 kardinalësh nga 70 vende u mblodhën në Kapelën Sistine të Vatikanit për të votuar për një kryesues të ri të 1.4 miliardë katolikëve të botës. Kjo konklavë është më e larmishmja gjeografikisht në historinë 2000-vjeçare të besimit, në krahasim me 115 nga 48 vende sa morën pjesë në konklavën e vitit 2013, që është një rritje e cila pasqyron përpjekjet e ish-Papës Françesku për të zgjeruar ndikimin e kishës në rajone të largëta me pak katolikë.

Papa i ri do ta zëvendësojë Papa Françeskun që vdiq më 21 prill.

Tashmë turma njerëzish janë mbledhur në shesh dhe po presin emrin e Papës së ri.