Zyrtarë të lartë amerikanë dhe ukrainas të dielën thanë se po bëhet përparim drejt përfundimit të luftës Rusi – Ukrainë, por dhanë shumë pak detaje, ndërsa diskutuan propozimin amerikan për paqe. Propozimi u diskutua pavarësisht shqetësimeve nga aleatët evropianë se plani ishte shumë pajtues për Moskën.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se bisedimet në Gjenevë ishin “shumë të vlefshme” dhe përbënin ditën më produktive për “një kohë shumë të gjatë” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve.
“Jam shumë optimist se mund të arrijmë diçka”, tha Rubio.
Të dielën në Gjenevë u takuan zyrtarët amerikanë, ata ukrainas dhe aleatët evropianë, për ta diskutuar planin e propozuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës.
Rubio nuk ofroi shumë informata mbi çka u diskutua, por tha se diskutimet do të vazhdojnë të hënën (sot) dhe po ashtu ndoshta më vonë gjatë javës.
Ai po ashtu sugjeroi se roli i Evropës dhe përgjegjësitë, siç përcaktohen sipas planit të SHBA-së, mund të ndahen nga aspektet që përfshijnë më drejtpërdrejtë përgjegjësitë e Rusisë dhe Ukrainës.
Ai tha se çdo produkt përfundimtar, kur të jetë i gatshëm, duhet t’i paraqitet Moskës.
“Natyrisht rusët kanë të drejtë vote këtu”, tha Rubio.
Përpjekja e Rubios për të gjetur një ton kaq pozitiv, ndonëse nuk u ofrua asnjë provë për një përparim, përbënte një qasje më ndryshe nga ajo e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Ende pa filluar mirë bisedimet e të dielës, Trump, kritikoi ashpër Ukrainën për mungesë mirënjohje për ndihmën ushtarake amerikane, ndërkohë që u shmang nga kritikat ndaj Rusisë.
Trump ka vendosur një afat deri të enjten që Ukraina t’i përgjigjet planit. Por, sugjeroi se afati mund të ndryshonte nëse ka dëshmi për përparim të vërtetë dhe se plani nuk ishte oferta e tij e fundit.
Rubio ndërkohë në paraqitjen e tij të dytë para mediave të dielën, u pyet për reagimin e Trumpit. Ai tha se Trumpi është i kënaqur me përparimin e bërë.
Disa mbështetës amerikanë dhe evropianë të Ukrainës e kanë kritikuar planin si shumë të favorshëm për Moskën.
Pyetjet u intensifikuan pasi një grup dypartiakë i senatorëve amerikanë tha se Rubio u kishte thënë atyre të shtunën se plani e kishte origjinën nga Rusia dhe se ishte “një listë dëshirash” për Moskën, në vend të një shtytjeje serioze për paqe.
Kreu i delegacionit të Ukrainës, Andrii Yermak, tha se përparime janë bërë.
“Vendimet finale do të merren nga presidentët tanë”, tha Yermak, shef i stafit i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
E Zelensky ishte mjaft aktiv në rrjete sociale të dielën, pas reagimit të Trumpit.
Ai tha se “Ukraina i është shumë falënderuese SHBA-së, çdo zemre amerikane, dhe personalisht presidentit Trump”. Më pas shtoi se “falënderon çdokënd në Evropë”.
“Është me rëndësi të mos harrojmë qëllimin kryesor – ta ndalojmë luftën e Rusisë dhe të ndalojmë atë që të rinisë luftë”, tha Zelensky.
E në një postim të mëvonshëm tha se ka “sinjale që ekipi i presidentit Trump po na dëgjon”.
Ai tha se është mirë që diplomacia është aktivizuar dhe se pret që të hënën të jetë një ditë aktive.
Sekretari amerikan i shtetit Rubio ndërkohë është pyetur nëse SHBA-ja është e gatshme të ofrojë garanci të sigurisë.
Ai tha se të gjithë e njohin nevojën që “Ukraina të ndihet e sigurt”.
“Kjo është qartë diçka që duhet diskutuar. Mendoj se kemi bërë përparim substancial në këtë dhe pikët tjera”, tha Rubio.
Plani 28-pikësh i hartuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare ka shkaktuar alarm në Kiev dhe kryeqytetet evropiane.
Zelensky ditë më parë tha se vendi i tij mund të përballet me një zgjedhje të vështirë mes mbrojtjes së të drejtave të tij sovrane dhe ruajtjes së mbështetjes amerikane e cila i duhet.
Propozimi, që buron nga negociatat mes Washingtonit dhe Moskës, pranon shumë kërkesa ruse që Zelensky ka refuzuar kategorikisht në dhjetëra raste, duke përfshirë heqjen dorë nga një pjesë e madhe e territorit.
Para se të takohej me zyrtarët amerikanë, Yermak dhe ekipi i tij u takuan me këshilltarë të sigurisë kombëtare nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania. Aleatët po kërkojnë të rishikohet plani, që shihet si favorizues për Moskën.
Zelensky mund ta vizitojë SHBA-në javën e ardhshme
Zyrtarë amerikanë dhe ata ukrainas janë duke diskutuar mundësinë që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ta vizitojë SHBA-në javën e ardhshme, raporton “CBS News”.
Udhëtimi i Zelenskyt varet nga rezultati i negociatave që po zhvillohen në Gjenevë, mes delegacioneve ukrainase, amerikane dhe zyrtarëve evropianë.
Rubio: Ditë shumë e mirë, Trumpi mjaft i kënaqur me përparimin
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka vlerësuar se negociatorët kanë pasur “një ditë shumë të mirë” të dielën dhe ka pasur “një përparim të jashtëzakonshëm" në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë, raporton “BBC”.
Në paraqitjen e dytë para mediave të dielën nga Gjeneva, Rubio ka thënë se gjatë 96 orëve të fundit ka pasur një angazhim të gjerë me Ukrainën.
Ai ka thënë se të dielën, në takimin mes zyrtarëve të lartë ukrainas dhe aleatëve perëndimorë në Gjenevë, qëllimi ishte të merreshin me pikat e planit të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ai tha se u përpoqën ta ngushtonin dallimin te “pikat e hapura”.
Thotë se palët e përfshira arritën këtë në një mënyrë të konsiderueshme, por shtoi se çdo marrëveshje finale duhet të miratohet nga presidentët dhe se ka ende çështje të cilat duhet të trajtohen.
“Ende ka punë për t’u bërë, por sot në këtë kohë jemi shumë më përpara sesa ishim kur filluam në mëngjes dhe ku ishim javë më parë”, tha Rubio.
Rubio pranon se disa çështje janë ende duke u diskutuar. Ai nuk ka dashur të flasë se cilat çështje mbeten temë diskutimi.
Ai tha se plani ndryshon çdo ditë ndërsa palët e interesuara japin kontributet e tyre.
I pyetur për komentet e mëhershme të presidentit amerikan Trump, që tha se Ukraina është mosmirënjohëse për mbështetjen e SHBA-së, Rubio tha se ka folur me Trumpin që kur ai bëri ato komente.
Ai tha se presidenti është “mjaft i kënaqur” për përparimin e bërë në bisedimet.
Rubio është pyetur nëse SHBA-ja është e hapur ndaj idesë së ofrimit të garancive të sigurisë.
“Ne të gjithë e pranojmë se një pjesë e përfundimit final të kësaj lufte do të kërkojë që Ukraina të ndihet e sigurt. Kjo është e qartë dhe është diçka që duhet diskutuar. Mendoj se kemi bërë përparim të konsiderueshëm në këtë dhe në pikat tjera”, tha Rubio, që ka shtuar se bisedimet në Gjenevë do të vazhdojnë edhe nesër.
Rubio ka thënë se nuk ka parë asnjë kundërpropozim nga pala evropiane.
E presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një postim në rrjete sociale, para konferencës së dytë të Rubios, shkroi se "ka sinjale që ekipi i Trumpit po na dëgjon".
Ai tha se diplomacia është "aktivizuar" dhe pret që nesër të jetë një ditë aktive.
Rubio e quan “produktiv” takimin me delegacionin ukrainas për planin 28-pikësh
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar të dielën në Gjenevë se takimi me delegacionin ukrainas lidhur me bisedimet e paqes ishte një nga më produktivët deri më tani në këtë proces.
"Kemi pasur ndoshta takimin më produktiv dhe kuptimplotë deri më tani në të gjithë këtë proces”, ka thënë Rubio.
Ai ka shtuar se ata kanë një "produkt" të ndërtuar mbi një "themel kontributi" nga të gjitha palët e përfshira dhe ata kanë "bërë përparim të mirë" duke kaluar nëpër pikat që përmban.
Rubio ka thënë se tani po shqyrtojnë "disa nga sugjerimet që u janë ofruar" dhe po bëjnë disa "ndryshime" dhe përshtatje për t'iu afruar diçkaje me të cilën si Ukraina ashtu edhe SHBA-ja ndihen rehat.
Ai ka thënë se ekziston edhe ana ruse e ekuacionit, por ata mendojnë se kanë disa "kuptime mjaft të konsiderueshme" për atë që është e rëndësishme për ta.
"Ka ende punë për të bërë”, ka thënë Rubio.
Ndërkaq, kreu i delegacionit ukrainas, Andriy Yermak, ka thënë se takimi ka qenë shumë produktiv duke shtuar se gjërat po shkojnë drejt një "paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme".
Ai ka shprehur mirënjohje ndaj SHBA-së, duke i shprehur falënderimet e tij personale presidentit Trump.
Sipas tij, delegatët do të punojnë sot dhe gjatë ditëve në vijim mbi një propozim të përbashkët me SHBA-në dhe aleatët evropianë.
Zelensky: Mirënjohës ndaj çdo lideri që mbështet Ukrainën
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është mirënjohës ndaj deklaruar se është mirënjohës ndaj çdo lideri në botë që ka mbështetur Ukrainën dhe qëndrimet e saj parimore.
"Ne mbështetemi në një rezultat që do të hapë rrugën për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme", ka thënë Zelensky.
Deklarata e tij ka ardhur vetëm pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se udhëheqësit ukrainas kishin shprehur “zero mirënjohje” ndaj përpjekjeve të SHBA-së për fundin e luftës në Ukrainë.
Trumpi e ka bërë deklaratën gjatë kohës sa në Gjenevë zhvilloheshin bisedime ndërmjet delegacioneve të Ukrainës me delegacionet evropiane dhe atë të SHBA-së për ta diskutuar planin 28-pikësh të Trumpit për paqen.
Trumpi akuzon udhëheqësit ukrainas për mosmirënjohje
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar Ukrainën se kanë “zero mirënjohje” për përpjekjet e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai ka shkruar se “Udhëheqja e Ukrainës ka shprehur zero mirënjohje për përpjeket tona dhe Evropa vazhdon të blejë naftë nga Rusia.
“Unë trashëgova një luftë që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, një luftë që është një humbëse për të gjithë, veçanërisht miliona njerëz që kanë vdekur deri më tani”, ka shtuar ai.
Deklarata e tij vjen në kohën kur në Gjenevë po zhvillohen bisedimet ndërmjet zyrtarëve evropianë, ukrainas dhe të SHBA-së lidhur me planin 28-pikësh të administratës Trump për fundin e luftës në Ukrainë.
Merzi skeptik se mund të ketë marrëveshje për Ukrainën deri të enjten
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, thotë se është “skeptik” se një marrëveshje për Ukrainën mund të arrihet deri në afatin e së enjtes të vendosur nga Trumpi, duke shtuar se “jemi shumë larg kësaj”.
Duke folur në margjinat e G20-s në Johanesburg, Merzi ka thënë se “Kjo nuk do të thotë se është plotësisht e pamundur të arrihet...”.
Donald Trumpi i ka dhënë Ukrainës afat deri të enjten - që është Dita e Falënderimeve në SHBA, për të rënë dakord me planin e propozuar prej 28 pikash.
Ai ka thënë se plani nuk përfaqëson një “ofertë përfundimtare” dhe afatet mund të zgjaten nëse gjërat “shkojnë mirë”.
Ndërkohë Merzi ka thënë se fokusi tani duhet të jetë në hartimin e një dokumenti të pranueshëm për Ukrainën, që më pas mund të përdoret për të negociuar një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Von der Leyen: Kufijtë s’mund të ndryshohen me forcë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thotë se çdo plan paqeje "i besueshëm" duhet të "ndalojë vrasjet", ndërkohë që "nuk mbjell farat për një konflikt të ardhshëm".
Në një deklaratë lidhur me planin amerikan për fundin e luftës në Ukrainë, ajo ka theksuar tre elementë kryesorë që Komisioni dëshiron të përfshihen: kufijtë e Ukrainës nuk mund të ndryshohen me forcë, asnjë kufizim në forcat e armatosura të Ukrainës që do ta linte atë "të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme", dhe “qendrshmëria" e Bashkimit Evropian në sigurimin e paqes për Ukrainën "duhet të reflektohet plotësisht", me Ukrainën "që përfundimisht t'i bashkohet Bashkimit tonë"
Ajo gjithashtu ka bërë një thirrje për "kthimin e çdo fëmije ukrainas të rrëmbyer nga Rusia", duke thënë se "dhjetëra mijëra djem dhe vajza mbeten të bllokuar" në vend.