Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, ka konfirmuar të mërkurën se një dron i tipit Shahed, i lansuar nga Rusia, ka shpërthyer në Poloni brenda natës së kaluar, ka shkruar The Guardian.
“Rusia po i provokon përsëri vendet e NATO-s pas incidenteve me dronë që kanë ndodhur në Rumani, Lituani dhe Letoni”, ka thënë ai.
“Kjo po ndodh në një moment veçanërisht të rëndësishëm, kur diskutimet për paqen po vazhdojnë. Kjo po ndodh në një kohë kur ka shpresë se lufta e nisur nga Rusia – kundër shtetit të Ukrainës, por gjithashtu një luftë e cila kërcënon sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s – ka gjasë të përfundojë”, ka shtuar Kosiniak-Kamysz.
Më herët gjatë ditës kryediplomati polak, Radosław Sikorski, ka shkruar në rrjetin social X se “shkelja e radhës e hapësirës sonë ajrore nga Lindja e konfirmon se misioni më i rëndësishëm i Polonisë brenda NATO-s është mbrojtja e territorit të saj”.
Sikorski ka bërë të ditur se do të ketë protestë zyrtare “kundër autorit të krimit”, pa e përmendur fare vendin që besohet se qëndron pas incidentit.
E kjo s’është hera e parë që raportohet për incidente të këtilla në Poloni. Më 15 nëntor të vitit 2022, një raketë ruse kishte goditur fshatin polak të Przewodów, afër kufirit me Ukrainën, duke lënë të vrarë dy persona.