Një zyrtar i lartë i forcave të sigurisë në grupin militant Hamas ka thënë se grupet e armatosura palestineze kanë humbur 80 për qind të kontrollit mbi Rripin e Gazës.
Koloneli ka thënë se sistemi komandues dhe kontrollues i Hamasit ka dështuar pas sulmeve të pareshtura izraelite ndër muaj, që kanë shkatërruar lidershipin politik, ushtarak e të sigurisë të grupit islamik.
Zyrtari ishte plagosur në fillim të luftimeve, që nisën më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau mbi 1200 izraelitë në sulmet ndaj Izraelit. Që nga ajo kohë ai nuk ka kryer detyrat si pasojë e problemeve shëndetësore.
Në një mesazh për BBC-në, zyrtari ka thënë se Hamasi është afër kolapsit total.
“Le të jemi realistë – s’ka mbetur pothuajse asgjë nga struktura e sigurisë. Shumica e lidershipit, rreth 95 për qind, tani janë të vdekur... figurat aktive janë vrarë të gjithë”, ka thënë ai. “Prandaj, çka po e ndal Izraelin që ta vazhdojë këtë luftë?”
Sipas zyrtarit, Hamasi ka tentuar të rigrupohet gjatë armëpushimit që zgjati 57 ditë. Por qëkur Izraeli i dha fund armëpushimit në mars, ka sulmuar ashpër strukturat e mbetura komanduese të Hamasit.
“Sa i përket situatës së sigurisë, më lini të jem i qartë: Ka kolapsuar tërësisht. Gjithçka ka shkuar. Nuk ka më kontroll askund”, ka thënë ai.