Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Pse bëri bujë deklarata e Schweinsteigerit?

Bastian Schweinsteiger

Një deklaratë e ish-yllit gjerman, Bastian Schweinsteiger, nuk është pritur mirë te përfaqësueset afrikane, sidomos te Bregu i Fildishtë. Dhe deklarata e gjermanit të njohur tashmë po komentohet në të gjitha mediat e mëdha.

Para ndeshjes mes Gjermanisë dhe Bregut të Fildishtë, Schweinsteiger ishte pyetur se çka mund të presin lojtarët gjermanë nga kundërshtarët e tyre. Pyetja i ishte bërë nga transmetuesi gjerman, ARD.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pak futboll afrikan, pak të pazakonshëm, pak të egër dhe ndoshta edhe jo shumë të ndikuar nga taktika. Duhet të jemi të përgatitur që të jetë kundërshtar i paparashikueshëm”, kishte thënë Schweinsteiger.

Më 20 qershor Gjermania kishte fituar me vështirësi, 2:1, ndaj Bregut të Fildishtë. Golin e fitores gjermanët e shënuan në minutën e 94-t.

Të enjten mbrëma, Bregu i Fildishtë fitoi 2:0 ndaj Kurasaot, derisa Gjermania pësoi 2:0 nga Ekuadori. Tutje avancuan Gjermania dhe Bregu i Fildishtë me nga gjashtë pikë dhe Ekuadori me katër.

Selektori i Bregut të Fildishtë, Emerse Fae, është pyetur për deklaratat e Schweinsteigerit pas fitores ndaj Kurasaot. Ka thënë se ajo deklaratë mund të konsiderohet raciste.

Bregu i Fildishtë për herë të parë e ka kaluar grupin në Botëror. Dhe Fae tha se është i zhgënjyer nga deklarata e ish-mesfushorit. Ai sugjeroi se komentet e gjermanit janë të ndikuara nga paragjykimet në lidhje me futbollin afrikan.

“Mendoj se është e trishtueshme. Schweinsteiger ishte lojtar shumë i mirë. Gjithmonë e kam dashur atë si mesfushor dhe mënyrën se si e kuptonte futbollin. Kur dëgjova komentet e tij, u zhgënjeva nga ky njeri. Është e çuditshme që ai flet në atë mënyrë. Do ta quanim raciste nëse do të thoshim të vërtetën”, ka theksuar Fae.

Ai ka shtuar se ekipet afrikane nuk janë vetëm fizike në fushë.

“Nuk pajtohem me të, por nuk kam zgjidhje tjetër përveçse të punoj me gjërat ashtu siç janë. Ekipet afrikane në fushë nuk janë vetëm fizike. Ne jemi teknikë dhe taktikë. Mund vetëm të shpresoj të jetë deklaratë e pamenduar, në vend që të jetë diçka që e ka në mendje. Nëse kjo është ajo që mendon, ai është i lirë ta bëjë këtë”.

Fae gjithashtu sugjeroi që komentet e Schweinsteigerit kishin për qëllim të ishin kundërthënëse për të tërhequr vëmendje.

Mediat gjermane u morën jo pak me deklaratën e Schweinsteigerit.

Jurgen Klopp refuzoi të përgjigjej në një pyetje mbi këtë temë.