Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Shtylla e Xhemailit ndaj Argjentinës në Botërorin 2014

Blerim Xhemaili

Më 1 korrik të vitit 2014, Argjentina e Zvicra po përballeshin në Sao Paulo të Brazilit, në kuadër të një të tetës së finales në Kupën e Botës në futboll. Ndeshja ishte e fortë dhe skajshmërisht dramatike.

Pas 90 minutave rezultati ishte i barabartë. Ndërkohë Angel Di Maria e kaloi në epërsi 1:0 Argjentinën me gol të minutës së 118-të.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zvicra, që ishte kundërshtare e denjë, po bënte përpjekje për të barazuar. Në minutat shtesë të vazhdimeve, Xherdan Shaqiri bëri krosim mjeshtëror nga krahu i djathtë. Topi erdhi në shtyllën e dytë, ku Blerim Xhemaili ishte i vetëm. Ai goditi, por topi përfundoi në shtyllë. U kthye në këmbën e Xhemailit dhe prej saj përfundoi afër portës.

Kështu fitorja 1:0 i takoi Argjentinës që në përbërje kishte lojtarë si Lionel Messi, Javier Mascherano, Gonzalo Higuain, Angel Di Maria dhe yje të tjerë. 

Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka e Admir Mehmedi startuan te Zvicra. Në minutën e 113-të, Xhemaili e zëvendësoi Mehmedin. Legjendari Ottmar Hitzfeld ishte selektor i Zvicrës.

Argjentina e Zvicra përballen sërish të dielën në mëngjes. Këtë herë në çerekfinale të Botërorit. Pjesë e Botërorit është edhe Xhemaili, por si analist i futbollit për “Blick” dhe “RSI”.

“Për fat të keq, kryesisht e kujtoj goditjen me kokë. Kështu është në jetën e futbollit, gjëra të tilla ndodhin. Është përvojë negative, por sporti shkruan tregime. Është një prej tregimeve të mia dhe të përfaqësueses”, ka thënë Xhemaili për ”Blue Sport”.

Ndikimi i shqiptarëve te Zvicra po bëhej gjithnjë e më i rëndësishëm gjatë Botërorit 2014. Gradualisht ka nisur të zvogëlohet, ndonëse Granit Xhaka është kapiten dhe lider i pakontestueshëm i Zvicrës. Ardon Jashari është po ashtu në Botëror, por ai dëshpëroi pasi e fitoi rastin në ndeshjen e kaluar. 
Me Behramin, Shaqirin, Xhakën, Mehmedin dhe Xhemailin, prania “shqiptare” në përfaqësuesen e Zvicrës ishte shumë e madhe.

“Ishte situatë që mori pak kohë për ta pranuar. Por kishte përfunduar. Dhe për mua jeta vazhdoi. Ky është futbolli. Për mua ishte e qartë në atë moment: luajtëm ndaj një ekipi të shkëlqyer. Dhe i kemi bërë shumë presion. Ishte relativisht e lehtë të kalohet ai moment, ndonëse në fillim është ndier sikur e gjithë bota është shkatërruar për mua”, ka thënë Xhemaili.

Ish-mesfushori ka theksuar se gjërat shkuan keq për të në atë moment. Ka përmendur edhe mungesën e fatit.

Xhemaili thekson se Messi në atë kohë ishte në kulm të karrierës dhe më i miri i të gjitha kohërave. 

“Por Messi është i jashtëzakonshëm edhe tani. Mendoj se ende mund ta bëj dallimin dhe kjo është e mahnitshme për futbollin. Është e jashtëzakonshme edhe për ne që mund ta shohim këtë. Dhe secili duhet ta shijojë të luajë kundër një lojtari si Messi”, ka theksuar Blerim Xhemaili.

Ai vlerëson se Zvicra ka shanse ndaj Argjentinës, që ka pasur gabime në dy ndeshjet e kaluar. 

Xhemaili ka folur edhe për Xhakën dhe Ricardo Rodriguezin, që ishin në atë ndeshje dhe vazhdojnë të jenë te Zvicra edhe tani.

“Ata janë të pabesueshëm. Nuk ishin prej lojtarëve tanë më të rëndësishëm për pak vjet, por për mbi 15 vjet. Nuk kemi çka të flasim për Granitin. Për mua është lojtari më i mirë i Zvicrës i të gjitha kohërave”, ka thënë Xhemaili.

Ai po e shijon punën si analist televiziv. Ndërkohë shpreson se do ta analizojë një fitore të Zvicrës ndaj Argjentinës.