(Tekst i përditësuar) - Sot Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur të rihapë gjykimin ndaj Halil, Kastriot e Kreshnik Mehemtaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, në vitin 2021.
Kjo është vendosur në seancën ku ishte paraparë të shpallje aktgjykimi për rastin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjyqtari Leon Përlaska ka thënë se arsyeja pse është vendosur për rihapje të gjykimit është fakti që në fjalën përfundimtare Prokuroria ka paraqitur një provë të cilën më herët nuk i ka kërkuar Gjykatës që ta administrojë.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për një video-incizim ku shihet i pandehuri Kreshnik Mehmetaj duke gjuajtur me armë në bjeshkë dhe se prokuroria pretendon se arma që shihet në video është arma e përdorur për kryerjen e krimit.
“Dhe ky pretendim për herë të parë formalisht paraqitet në fjalën përfundimtare. Në fazën e hetimeve nga ana e policisë është kontrolluar vendi, ku i pandehuri Kreshnik shihet duke gjuajtur me armë dhe gjatë atij kontrolli rrjedhimisht janë gjetur gëzhoja, ky raport është në shkresat e lëndës por nuk është propozuar nga Prokuroria për administrim”, ka deklaruar Përlaska.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kryen sulmin për motive hakmarrjeje, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se cak i vrasjes ishte qenë shoferi i autobusit, tani i ndjeri Gani Gjokaj dhe se vrasja ka ndodhur për hakmarrje, pasi familja Mehmetaj e ka fajësuar atë si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tyre Heroina Mehmetaj.
Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Halil Mehmetaj, ishte betuar në hakmarrje ndaj tani të ndjerit Gjokaj, si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës, vajzës së tij, në arkivolin e saj ka vendosur orën e tij të dorës.
Po ashtu në aktakuzë përshkruhet se si të akuzuarit në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin kanë studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi, duke i zënë priten autobusit që vinte nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit dhe pastaj njëri nga ta kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke i lënë të vdekur tre persona.
Sipas organit të akuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj pasi ka marrë pushkën automatike AK-47, është nisur në këmbë deri tek vendi i ngjarjes dhe me të vërejtur dritat e autobusit, ka dalë në mes të rrugës i kthyer më shpinë nga automjeti dhe me qëllim që ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndalojë, ka bërë sikur është i dehur. Dhe kur shoferi fillimisht e ka sinjalizuar me drita të gjata e pastaj edhe ka ulur shpejtësinë, sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj në distancë prej rreth 6 metrash ka marrë në shënjestër shoferin e autobusit, tani të ndjerin Gani GJokaj dhe e ka goditur për vdekje, e po ashtu godet edhe dy nxënës L.H. 17-vjeçar dhe G.M. 17-vjeçare, si dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore F.T.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj ka ikur në drejtim të fshatit Shaptej, ku në mes të rrugës ishte duke e pritur me veturë i pandehuri Kreshnik Mehmetaj dhe pasi ka mbërritur në shtëpi ka shkatërruar armën.
E i pandehuri Halil Mehmetaj, nga data 14 qershor 2020, gjerë më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, ka shtyrë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, në vrasjen e tani të ndjerit Gani Gjokaj, të cilin para tyre e ka fajësuar si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tij Heroina Mehmetaj.