E mbajtur çdo dy vjet në lokacione të ndryshme, edicioni i 14-të i bienales evropiane nomade “Manifesta” tani ka ardhur në Prishtinë. Brenda 100 ditëve, duke filluar nga 22 korriku e deri më 30 tetor të këtij viti, janë organizuar dhe po vazhdojnë të organizohen aktivitete të ndryshme të kësaj bienaleje.
Programi i këtij edicioni mban titullin “Si të tregojmë histori të ndryshme” (how to tell stories otherwise), duke pozicionuar rrëfimin si element kryesor të mënyrës se si jetojmë si shoqëri. Krijimet e tregimeve janë konceptuar si një mënyrë për të hapur mendjen tonë ndaj formave të reja të të menduarit dhe nxitje e imagjinatës sonë drejt së ardhmes ndryshe për Kosovën.
Ndërhyrjet artistike në objekte të ndryshme karakterizojnë “Manifestan” e një ndër toështë biblioteka “RomaMoMa” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Kjo bibliotekë u krijua në vitin 2021 për të përkujtuar 50-vjetorin e Kongresit të Parë Botëror Rom dhe përfshin libra mbi trashëgiminë letrare, artistike dhe kulturore rome. Qëndrimin e saj në Bibliotekën Kombëtare e shoqërojnë portretet e shquara të grave rome të pikturuara nga artistja Farije Mehmeti.
Përveç artistëve, punë të madhe në “Manifesta” kanë edhe vullnetarët e rinj. Më shumë rreth punës së tij si vullnetar na tregoi Valdrin Rrahmani, i cili u shpreh se pjesëmarrja e tij në këtë Festival është shumë domethënëse.
Përveç bibliotekës, hapësirë tjetër që është përzgjedhur për të realizuar ndërhyrje artistike është edhe hoteli “Grand” në Prishtinë. Kati i tretë i këtij hoteli është shndërruar në një vend të mbushur me instalacione me tematikën “Tranzicion”, fjalë kjo shumë e përdorur në Kosovë. Secila ndërhyrje përpiqet t’i dhurojë përgjigje pyetjeve si: Çfarë ndjenje është të jetosh brenda një shoqërie tranzicionale?, Si e pastrojmë toksicitetin?, Si e riparojmë dëmin? dhe Si e shërojmë dhimbjen?
Të gjitha këto ndërhyrje tregojnë rrëfime të ndryshme e për të orientuar vizitorët drejt tyre edhe në këtë hapësirë ka vullnetarë të angazhuar.
Me përfshirjen e një stafi shumë të madh, “Manifesta” është në rrugëtim të përmbushjes së misionit të saj; për të hedhur dritë mbi hapësirat publike të harruara të Prishtinës.