COSMO

Peja – midis bukurive natyrore e telasheve

Peje

I aprovuar nga Qeveria në gusht të 2016-s, projekti për ndërtimin e qendrës së skijimit “Borea”, me vlerë investimi mbi 54 milionë euro, nëntë vjet pas ka pamjen e një grope në një zonë që i ngjan deponisë së bërllokut. Hisedarë në mosrealizimin e kësaj qendre u bënë pothuajse të gjithë udhëheqësit e ekzekutivit, nisur rreth një dekadë më parë nga bashkëpartiakët e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, e deri te qeverisja aktuale

Rrëzë Bjeshkëve të larta të Rugovës e rreth 900 metra larg qytetit të Pejës ka mbetur si humnerë projekti që u pati proklamuar si më i rëndësishmi në fushën e turizmit, jo veç në pjesën e Dukagjinit.

I aprovuar nga Qeveria në gusht të 2016-s, projekti për ndërtimin e qendrës së skijimit “Borea”, me vlerë investimi mbi 54 milionë euro, nëntë vjet pas ka pamjen e një grope në një zonë që i ngjan deponisë së bërllokut.

Hisedarë në mosrealizimin e kësaj qendre u bënë pothuajse të gjithë udhëheqësit e ekzekutivit, nisur rreth një dekadë më parë nga bashkëpartiakët e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, e deri te qeverisja aktuale.

Përgjegjësinë nuk e mori askush e projekti që u vlerësua lart për ndikimin që do ta ketë në zhvillimin e turizmit, mbeti veç në letër.

Përfaqësues të partive opozitare në Pejë thonë se projekti që në fillim ka qenë i destinuar për të mos u realizuar, e fajin për këtë ia hodhën kryetarit Muhaxheri.

“Kemi projektin Borea, i cili na ka gëzu të gjithëve kur është fillu si projekt, mirëpo edhe atëherë ne e kemi pas skepticizmin tonë që kjo do të realizohet, për shkak se kryetari nuk ka qenë, mendoj që nuk e ka pas përkushtimin dhe aftësinë e duhur për me i realizu këto projekte”, ka thënë Drin Veselaj, asamblist i AAK-së në Pejë.

E kryetari Muhaxheri thotë se për realizimin e projektit telashe janë krijuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, e cila, sipas tij, zonën e Gubavcit, që preket nga ndërtimi i projektit, e ka shpallur të mbrojtur.

Për këtë arsye, ai thotë se në emër të funksionalizimit të projektit, Komuna obligohet të bëjë ndryshime që nuk i pëlqejnë dhe që nuk e ka të sigurt nëse do të pranohen nga investitori.

“Ka qenë projekt unikat, ku prej qendrës së qytetit ngjitesh në një lartësi prej 2480 metra. Domethënë, ajo ka mujt me qenë promovim, si prej një qyteti gati me 100 mijë banorë, mundesh me kalu natën në qytet, me çu në mëngjes, me shku me skiju, prapë mu kthy në qytet edhe me dal… Domethënë kjo ka qenë ideja. Tash është zhvendos fillimi i qendrës së skimit për nja tri kilometra deri në fshatin Zagërm. Të shohim sa është interesimi i kompanisë fituese për me vazhdu punimet dhe me realizu këtë projekt”, ka deklaruar Muhaxheri.

Rastet sikurse ky në Pejë, njohësi i turizmit dhe themeluesi i “Balkan Nature adventure”, Virtyt Gacaferri, i kualifikon si shëmbëlltyrë të paaftësisë së klasës politike për t’i jetësuar projektet e mëdha.

Akuza për paaftësi politike

“Ne, si Kosovë, kemi mbërri ta bëjmë vetëm një projekt të madh, që është autostrada. Unë mendoj që ajo nuk ka vyjtë me qenë projekti jonë më i madh, ka pasur projekte tjera që kanë qenë të mëdha të realizuar. Mirëpo, qoftë Borea, qoftë Brezovica, qoftë përkrahja e investimeve në Brod, në Sharr, nuk kanë pasur përkrahje të qeverive njëra mbas tjetrës dhe kjo është shumë keq për Kosovën”, ka theksuar Gacaferri.

E derisa “Borea” e pret dritën e gjelbër për nisjen e punimeve, me telashe është duke u përballur edhe simboli identifikues i Pejës dhe i turizmit në Kosovë - Rugova.

Rruga kryesore që çon nga qyteti drejt Grykës së Rugovës, përveçqë është e dëmtuar, është edhe vështirë e kalueshme po qe se përshkohet me automjete të rënda.

Në raste të tilla, qytetarët që me vetura e synojnë ngjitjen detyrohen të bëjnë kthim prapa për disa kilometra për t’u krijuar hapësirë kalimi automjeteve më të rënda.

Në shoqërinë civile dhe në partitë opozitare në Pejë kanë akuzuar qeverisjen aktuale të qytetit se në Rugovë ka investuar bazuar në interesa private e jo të banorëve, të vizitorëve dhe të turizmit.

“Po ta shohim rrugën Pejë-Kuqishtë, turistët do të ikin, jo të shkojnë në turizëm, por do të ikin nga turizmi. Po t’i shohin zhvillimet brenda hapësirave se si do të duhej të duken fshatrat turistikë, komuna nuk ndikon fare në atë drejtim dhe shpesh rrugë të cilat shtrohen për interesa shumë të ngushta dhe interesa votave dhe mbesin shpesh shumë familje dhe pa rrugë. Praktikisht do të thotë, unë mendoj që jo larg edhe kryetarëve tjerë të komunave tjera të Kosovës, edhe kryetari i Pejës, nganjëherë i ka prioritetet e veta më të rëndësishme sesa vetë prioritetet e qytetarëve që janë”, ka thënë Veton Mujaj, drejtues i organizatës “Syri i Vizionit”.

Pushteti komunal është fajtor edhe sipas Drin Veselajt, asamblist i AAK-së në Pejë.

“Ka pasë shumë premtime tjera për projekte turizimit, domethënë na falë Zotit i kemi bukuritë më të mëdha në rajon domethënë në pjesën e Rugovës edhe të Radavcit, mirëpo komuna nuk është angazhu që këto bukuri me i shpërfaqë. Do me thënë, me ju kriju mundësi vendeve tjera që vijnë me na vizitu, me pas mundësi me pas një turizëm ma të mirëfilltë. Peja gëzon shumë turistë të cilët vijnë, mirëpo jo falë angazhimit të komunës, mirëpo falë bukurive që na ka falë Zoti”, ka thënë ai.

Problemet me rrugën i pranon edhe kryetari Muhaxhiri, porse thotë se është qeveria ajo që nuk ka investuar në të për rreth shtatë vjet.

“Qeveria duket këtë herë ka nda një buxhet, po po shihni veç jemi në muajin qershor dhe nuk ka asnjë intervenim, në të vërtetë është tu u bo një sanim prej diku nja tetëmbëdhjetë pozicioneve që janë konë të damtume dhe është tu bo një intervenim në rregullimin e disa mureve mbrojtëse ndërsa shtatë vjet domethënë nuk është investu për rehabilitim dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge, që është magjistrale”, ka deklaruar kryetari i Pejës, Muhaxheri.

Opozita shfajëson nivelin qendror për dështimet në Pejë

Por në opozitë e kundërshtuan bartjen e përgjegjësisë te niveli qendror.

“Unë po e shoh, po më shoh, po rregullohet lumi i Deçanit, goxha bukur e ka rregullu, krejt Qeveria e ka bo, projekti ka ekzistu, i kanë kërku. Krejt besoj unë bëhen me koordinim. Ne nuk jemi të ardhur nga Bagdadi, qeveria është shqiptare edhe Komuna është shqiptare, me u kombinu”, ka thënë Nezir Jahmurataj, asamblist i LVV-së në Pejë.  

Veselaj i AAK-së, po ashtu thotë se ka mungesë vullneti nga niveli lokal për bashkëpunim me atë qendror.

“Kur ekziston vullneti për t’u realizu një çështje që është jetike për qytetarët, unë e besoj që nuk kish pas pengesa, për shkak se me një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës kishin mujt edhe me zgjedh, me zgjedhë këtë pjesë”, ka thënë Veselaj.

Turizmi nuk është problemi i vetëm në Pejë. Qeverisja aktuale, e cila nuk ka ndryshuar që prej vitit 2016, është kritikuar edhe për mosrealizimin e premtimeve dhe për lënien anash të prioriteteve për qytetarët.

Veton Mujaj, drejtues i organizatës joqeveritare “Syri i Vizionit”, thotë se sikurse në komuna të tjera, edhe në Pejë vendosja e prioriteteve bëhet në bazë të shënimit të përfitimeve në zgjedhje.

“Shpesh po i habitin ato prioritete me të cilat janë dhe kalojnë në prioritete tjera dhe mendoj që vështirësia kryesore është që ajo humbja në oborr e rrugës vetë njerëzve t’u deshtë me bo, me i plotësu shumë më shumë kërkesa atyre që në të ardhme mundem me kanë votues potencial të tyre e t’u harru prioritetet që me të vërtetë ka nevojë për zhvillimin e një komune, në këtë rast: trafik më të rregullt që në Pejë është katastrofë, parkingje, hapësira të gjelbra”, ka theksuar Mujaj.

Partite opozitare akuzojnë pushtetin komunal edhe për projekte që nuk shkojnë në favor të qytetarëve.

“Nuk mund të flasim për ndonjë projekt kapital të komunës, përderisa qytetarët nuk i gëzojnë edhe gjërat më elementare që ekzistojnë. Për shembull, e kemi rastin me Lugun e Baranit, i cili tash e 12 vite domethënë është njëfarë forme i mashtruar nga ky pushtet se do të bëhet këtë vit e atë vit do të bëhet përurimi i ujësjellësit mirëpo ato fshatra të Lugut të Baranit ende nuk kanë ujë të pijes”, ka thënë Veselaj i AAK-së.

“Shkolla po ndërtojnë, shkollat janë thatë, mos të harxhojmë para shumë, se kemi momentalisht sipërfaqe të mjaftueshme, mungojnë kabinete, të ndërtojmë kabinete, bile qeta fëmijët çka i kemi, se shumë pak është kah zvogëlohet numëri, bile që ta t’i emancipojmë, t’i shkollojmë ashtu siç duhet për një kohë më të ardhme”, ka shtuar Jahmurataj i LVV-së.

Problemi me menaxhimin e bërllokut

E njohësi i turizmit Gacaferri e kualifikon mbrojtjen e ambientit si thelbësor për Pejën.

“Për mua probleme më të mëdhaja janë problemi i menaxhimit të bërllokut, sidomos në parkun nacional dhe sidomos në pikat të cilat, me të cilat Peja është krenuar, siç është Liqeni i Liqenatit ku unë më nuk i këshilloj klientët të shkojnë, sepse thjesht na shkon fytyra sa bërllogu ashtu është aty. Sa i përket pjesës urbane, përveç bërllokut, problem tjetër është edhe qenët endacak të cilit i japin një imazh shumë të keq të qytetit”, ka deklaruar Gacaferri.

Me gjithë kritikat, kryetari Muhaxheri thotë se gjatë qeverisjes së tij, veçmas në mandatin e fundit, janë bërë punë të mëdha dhe janë realizuar projekte të rëndësishme.

“Projektet kryesore që janë është rregullimi i shtratit të lumit dhe ndriçimi në këto, në këtë shtrat të lumit që e kemi punu, është vazhdimi i shëtitores së re që është tu punu, besoj që brenda dy muajve përfundon komplet dhe janë dy ura të reja për automjete që jemi tu i mbaru këtë vjet që e ndryshojnë dukshëm qarkullimin në qytetin e Pejës. .. i kemi bo përmbi dhjetë shpronësime e që këto ditë domethënë kemi fillu rrënimin e atyre objekteve. Janë lirim i hapësirave publike për krijimin e shëtitoreve, për krijimin e hapësirave gjelbëruese, për rritjen e oborreve të shkollave”, ka theksuar Muhaxheri.

Në Pejë, sikurse në komuna të tjera, qytetarët do të zgjedhin në tetor të sivjetmë përbërjen e udhëheqjes lokale. Në zgjedhjet e 12 tetorit, ata përpara vetes do të kenë dy zgjedhje: t’ia japin besimin për mandatin e katërt radhazi kryetarit aktual apo ta largojnë atë pas 12 vjetësh qeverisjeje.

“Kryetari i komunës besoj që i ka ardhë koha me dorëzu mandatin edhe me zgjedhjet e 12 tetorit, unë e besoj fuqishëm që qytetari do ta ndëshkojë këtë qeverisje edhe do të jemi qeverisje e re, e cila premton zhvillim më të madh, e cila i realizon projektet të cilat domethënë, qytetari ka ëndërruar për këta 12  vjet që ka qenë në pushtet”, është shprehur Veselaj.

“Qytetarët e Pejës le të zgjedhin, qysh t’ia marrë mendja vetë, se jonë të lirë e kanë mundësinë, ka dashtë Zoti se e kanë mundësinë e lirë nuk ka, nuk ka më të shenjtë se me votu. Edhe le të llogariten për jetën e vet për katër vjet e ardhshme, cilin subjekt, cilin kryetar, dojnë ata janë, të cilët vendosën për të ardhmen e tyre për çdo katër vjet”, ka shtuar Jahmurataj.

E Veton Mujaj, nga organizata “Syri i Vizionit”, thotë se për ndryshime apo për përmirësim të gjendjes, opozita aktuale duhet të bëjë angazhim më aktiv.

“Uroj që opozita të marrë një rol më të fuqishëm për me shty kushdo që fiton vitin e ardhshëm... Përndryshe mendoj që nëse të gjitha partitë kanë seriozitet në kandidaturë, atëherë mund të ketë balotazh, mund të ketë balotazh në Pejë, e që është shumë i rëndësishëm, besoj, për me ul njëfarë komoditeti që ka pasë ky pushtet për 12 vjet”, ka thënë Mujaj.

Muhaxheri beson se do të fitojë edhe një mandat – të katërtin

Ndonëse garën zgjedhore e sheh si interesante, kryetari Muhaxheri shprehet i sigurt në atë që do ta presë Pejën, pas 12 tetorit.

“E pret që katër vjet e ardhshëm ka me udhëheq një kryetar që e ka një përvojë tash veç dymbëdhjetëvjeçare për udhëheqjen e komunës. Besoj që ka me bo projekte edhe më të mira sesa ç’ka qenë deri më sot... Kemi gjithmonë projekte, ka shtatë a tetë që janë të mëdha dhe ndikojnë shumë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Komunën e Pejës. E kemi ndonjëherë edhe një projekt shumë, shumë të madh, që kalon në suazat e Komunës së Pejës edhe po mundohem që ato me i çu dhe me i realizu”, ka thënë Muhaxheri.

E tek foli për vështirësitë me të cilat thotë se është përballur si kryetar, Muhaxheri i veçoi telashet me nivelin qendror dhe dëmet që i ka shkaktuar kontrata kolektive.

Ai thotë se humbja e parave nga përmbarimi në arsim dhe në shëndetësi ka pasur ndikim në mosrealizimin e projekteve të parapara.

Por pavarësisht se kush e siguron pushtetin në Pejë pas tetorit, Gacaferri thotë se për të mirën e qytetit do të duhej të realizoheshin disa projekte. Mes tyre, ai i veçon hapjen e rrugës Pejë-Plavë dhe rregullimin e shtegut për ecje te “Majat e Ballkanit”, që kalon nëpërmjet Kosovës, Malit të Zi e Shqipërisë.

“Ajo rrugë do ta gjallëronte Pejën, pasi një numër i madh i turistëve, të cilët shkojnë në Mal të Zi dhe në Shqipëri, do të kalonin nga Peja, pasi tash mund të shkosh, ngase me këtë rrugë, domethënë, po flas për një kalim kufitar të ri në Çakorr, kjo rrugë do të lidhte Pejën me Plavën, prej Plavës nëpërmes Vërmoshit në Shkodër apo edhe prej Plavës në Podgoricë dhe pastaj në bregdetin e Malit të Zi”, ka thënë Gacaferri.

Bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë në Kosovë, Peja është komuna e katërt më e madhe për nga numri i banorëve, me gjithsej 82 mijë e 745 syresh që janë rezidentë. Prej tyre, rreth 60 mijë janë të moshës mbi 19-vjeçare.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor. Nga të dhënat që i ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kësaj gare zgjedhore partitë kryesore politike do t’i hyjnë si të vetme, pa koalicione mes vete.