Shporta e konsumit është bërë më e kushtueshme për qytetarët, kanë treguar të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave. Me inflacionin që ka arritur në 6 për qind dhe me paralajmërimet për rritje të mëtejshme të çmimeve, ekspertët vlerësojnë se mungesa e rritjes së pagave dhe pensioneve po e dobëson fuqinë blerëse.
Pjesë më e madhe e produkteve në markete, nuk mbajnë çmimin e njëjtë nga muaji në muaj. E për një vit, ajo janë ngritur në nivelin 6 për qind, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave.
Një nga qytetarët që bëri pazarin e ditës ka thënë se pagat janë të pamjaftueshme për t’i përballuar çmimet që vazhdimisht rriten.
“Normal që ndikojnë, edhe shumë se jo pak. Sikur të shkonin në të njëjtin nivel si pagat si çmimet, e kështu çmimet në qiell e pagat qaty, shumë keq për këta njerëz që s’kanë punë, që s’kanë asgjë para shpirtit, e vetëm presin ndihmë”, ka thënë ai.
Sipas Agjencisë së Statistikave, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 për qind në muajin qershor, krahasuar me muajin e njëjtë të 2025-s. Sipas kësaj agjencie, shtrenjtimet më të mëdha janë vërejtur te transporti me 13,7 për qind, e energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse me 11,1 për qind.
Këtë javë, çmimet e naftës kanë shënuar rritje nga dita në ditë, pas rikthimit të sulmeve në Iran.
Edhe
Çmimet në qershor u rritën 6 për qind krahasuar me vitin që shkoi
Eksperti i ekonomisë, Fidan Qerimi, ka thënë se krizat dhe konfliktet në Lindjen e Mesme do të kenë ndikim të mëtejmë në inflacion.
“Duke pasur parasysh që lënda e parë e bujqësisë, një pjesë e furnizimit botëror varet nga kjo pjesë e botës, do të thotë pritjet e mija janë që do të ketë inflacion edhe më të lartë në të ardhmen”, ka thënë ai.
Qerimi ka thënë se niveli i pagave, pensioneve dhe skemave sociale nuk janë të mjaftueshme për t’i përballuar çmimet që vazhdimisht ngrihen.
“Inflacioni prej 6% është relativisht i lartë dhe tregon se kostoja e jetesës po rritet më shumë, më shpejtë, se sa të ardhurat e qytetarëve. Nëse pagat dhe pensionet nuk rriten, do të kemi një rënie të fuqisë blerëse. Do të thotë produktet të cilat i kemi ble me 100 euro vitin e kaluar, tash duhet të paguajmë 106 euro”, ka shpjeguar ai.
E të shtunën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Kongresin e 9-të zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i ka cilësuar punëtorët si shtylla kryesore të zhvillimit të vendit, duke e lavdëruar qeverisjen e tij për rritjen e pagës minimale.
Edhe
Mes krizës së çmimeve, Trumpi thotë se e do inflacionin
“Që nga viti 2011, paga minimale ka qëndruar në nivelet 130 euro dhe 170 euro, varësisht nga mosha e punëtorit, përkatësisht a je më shumë apo më pak sesa 35 vjeç. Kjo periudhë e gjatë stagnimi ka krijuar vështirësi të rënda për punëtorët e sektorit privat”, ka thënë Kurti duke shtuar se gjatë qeverisjes së tij “paga minimale është ngritur nga 130 euro dhe 170 euro, në 250 euro, më pas në 350 euro, pastaj në 425 euro, e nga 1 korriku sivjet, paga minimale është 500 euro bruto dhe nga kjo rritje përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”.
E tek ka folur për “ndihmat e anëtarëve të familjeve të punëtorëve”, Kurti ka përmendur shtesat për fëmijë e gra lehona dhe rritjen bazike të pensioneve në 150 euro dhe shtesat e njëhershme shtatë herë për 5 vjet për pensionistët.
Nga fundi i vitit 2024, pensioni bazik është 150 euro.
Sipas ASK-së, paga mesatare në Kosovë në vitin 2025 ka qenë 636 euro neto.
Edhe
Inflacioni në maj rritet për 6.8 për qind
Në raportin vjetor të publikuar ditë më parë, Banka Qendrore ka parashikuar rritje ekonomike të ngadalësuar, ndërsa rritje të ndjeshme të inflacionit. Sipas raportit, parashikohet parashikon rritje ekonomike prej 3.5 për qind dhe inflacion mesatar prej 6.7 për qind. Sipas raportit, ekonomia do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga konsumi dhe eksportet. E, tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë në ekonominë globale, sipas BQK-së, mbeten rreziqet kryesore për ekonominë.
Rezana Bozhlani