Ekonomi

Shatri: Pa institucione s’ka as buxhet – praktikisht shpërbërje e shtetit

shatri

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, ka thënë se nëse nuk do të ketë Kuvend të konstituuar, rrjedhimisht as formim të Qeverisë, shteti do të bllokohet. Ai ka theksuar se pa miratimin e Ligjit për buxhet, për shkak të moskonstituimit, nuk do të ketë mundësi për asnjë pagesë.

Shatri ka shtuar se nuk ka kushte që të miratohet ky ligj këtë vit.

“Parimisht nuk ka kushte e as mundësi që kjo të ndodhë sepse nëse 12 ditë janë për Kuvend, atëherë është edhe një afat që qeveri. Pa pasë qeveri të plotfuqishme, nuk ka të drejtë qeveria në detyrë të procedojë dokumente të nivelit të ligjeve në Kuvend. E dyta, nuk ka edhe kujt t’ia dorëzojë sepse nuk ka Kuvend të konstituuar”, ka thënë ai.

Shatri ka shpjeguar se çfarë mundësie mund të ketë qeveria e re që ta ndalojë bllokimin dhe të lejojë funksionimin normal edhe muajt e parë të vitit të ardhshëm.   

“Nëse arrin të konstituohet një qeveri, ata mund që brenda këtij afati parashihet me ligj që nëse nuk aprovohet buxheti në Kuvend me procedura normale, qeveria i propozon Kuvendit që të fillojë janarin dhe shkurtin me 1/12 e mesatares së vitit paraprak. Pra nuk bllokohet, por disa pagesa mund të bëhen... Nëse nuk ka Kuvend dhe nëse nuk ka qeveri e cila i propozon Kuvendit për të vazhduar me 1/12 dhe nëse nuk ka Kuvend që e miraton 1/12, atëherë prej 1 janarit mbyllet. S’ka asnjë pagesë. Fillimi me 1/12 është mundësia më e mirë, por aty janë vetëm kategoritë e shpenzimeve vijuese”, ka thënë ai.

Shatri ka theksuar se rrezik mund të mbetet që prej 1 janarit shteti të mbesë pa buxhet të miratuar.

“Brengën e kam nëse nuk konstituohet Kuvendi dhe nuk arrijmë ta kemi një qeveri të plotfuqishme, atëherë prej 1 janarit mund të shkojmë në bllokadë. Praktikisht i bie me shpërbë shtetin sepse buxheti është baza materiale e funksionimit të shtetit. Pa buxhet, nuk ka shtet”, përfundoi ai.