Granit Xhaka është futbollist i Bayer Leverkusenit për afër një vit të plotë. Më 7 korrik të vitit 2023, Xhaka u transferua nga Arsenali te Leverkuseni për 15 milionë euro.
Ai e ka ndryshuar krejtësisht lojën e skuadrës së Bundesligës gjermane dhe pati suksese të mëdha, duke e fituar kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë.
Tani lideri i mesfushës do ta zhvillojë ndeshjen e 65-të të edicionit.
Kapiteni i Zvicrës do të jetë sërish udhëheqës i përfaqësueses në çerekfinalen e Evropianit 2024 kundër Anglisë që luhet të shtunën nga ora 18:00 në Duesseldorf.
Në Premier Leaguen angleze, Xhaka bëri karrierë për shtatë edicione te skuadra londineze, Arsenal.
Pas fitores 2:0 në një të tetën e finales në Kampionatin Evropian kundër Italisë, Xhaka pati telashe me një lëndim, por ai është krejtësisht i gatshëm për lojën e së shtunës.
Xhaka ka 129 paraqitje me Zvicrën dhe e mban rekordin.
“The Guardian” së fundmi e ka përmendur Xhakën si kandidat potencial për ta fituar “Topin e Artë”.
“Jam këtu për çerekfinalen e Kampionatit Evropian kundër Anglisë. Do të jap gjithçka në fushën e lojës dhe do të mundohem ta jap më të mirën sepse vetëm si skuadër mund të arrijmë diçka historike”, ka thënë Xhaka, shkruan “Bild” të premten.
Historik ishte edhe suksesi me skuadrën gjermane në edicionin që përfundoi. Madje, trajneri i skuadrës, Xabi Alonso, kishte lavdëruar paraqitjet e Xhakës.
“Graniti ma ka lehtësuar shumë punën”, kishte thënë Alonso pasi Xhaka e kishte shënuar golin e fitores 1:0 në Kupën e Gjermanisë kundër Kaiserslauternit.