Euro 2024

Spalletti mbetet selektor i Italisë

Spalleti - Itali

Luciano Spalletti nuk do të largohet nga Italia edhe pas eliminimit nga “Euro 2024”.

Të dielën presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, në një konferencë për shtyp ka konfirmuar se Spalletti do të jetë përzgjedhës i Italisë deri në vitin 2026.

“Nuk kemi asgjë për të fshehur, por duhet të vazhdojmë të marrim përgjegjësi. Dje u bë një bisedë e gjatë me trajnerin dhe mendoj se është e paimagjinueshme të zgjidhen problemet duke braktisur një projekt shumëvjeçar. Në qendër të projektit tonë është një trajner që ka qenë këtu për nëntë deri në dhjetë muaj, i cili nuk i ka pasur gjithmonë të gjithë lojtarët në dispozicion”, u shpreh Gravina.

Spalleti u emërua selektor i Italisë në shtator të vitit 2023. Ai ka udhëhequr Italinë në 14 ndeshje, kurse ka arritur shtatë fitore, katër barazime dhe tri humbje.

Italia u ndal në një të tetën e finales në Euro 2024.