Zyrtarë të lartë të BE-së japin detaje për misionet në Kosovë (KOHA Ditore, 14 shkurt 2008)
Dy zyrtarë të lartë të BE-së kanë thënë se BE-ja nuk dëshiron të zëvendësojë UNMIK-un, por t’u ndihmojë autoriteteve të Kosovës që të ndërtojnë një Kosovë demokratike. Sipas tyre, misioni i BE-së do të ketë disa fuqi ekzekutive, të cilat nuk do të hezitojë t’i përdorë në rastet e krimit të organizuar, krimeve të luftës, korrupsionit dhe mbrojtjes së pakicave. Nuk do të tolerohet personeli i MUP-it të Serbisë në territorin e Kosovës, thonë ata
Bruksel, 13 shkurt 2008 - Në pritje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës brenda disa ditësh në selinë e BE-së në Bruksel janë përgatitur të gjitha hollësitë për dy misionet që Bashkimi Evropian do t’i ketë në Kosovën e pavarur. Dy zyrtarë të lartë të BE-së të mërkurën u kanë dhënë një grupi të ngushtë të gazetarëve hollësi rreth këtyre misioneve, përmes të cilave, siç kanë thënë, BE-ja nuk dëshiron të zëvendësojë UNMIK-un, por të asistojë autoritetet e Kosovës që të ndërtojnë një Kosovë demokratike, tolerante, multietnike në të cilën do të sundojë rendi dhe ligji në mënyrë që të mund të ecë drejt integrimeve evropiane. BE-ja do të ketë misionin në fushën e rendit dhe ligjit që tashmë është pagëzuar me emrin EULEX dhe ky do të jetë misioni më i madh i tillë që BE-ja ka lansuar deri tash.
Misioni tjetër që do të ketë BE-ja është udhëheqja e Zyrës Civile Ndërkombëtare që do të jetë njëherësh edhe zyre e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Kosovën. Tashmë dihet se shef i misionit civil do të jetë diplomati holandez, Peter Feith, ndërsa shef i misionit EULEX gjenerali Yves de Kermaboun, i cili është i njohur për kosovarët si ish-komandant i KFOR-it. “Roli i përfaqësuesit të posaçëm (EUSR) të BE-së në Kosovë do të jetë të këshillojë autoritetet e Kosovës dhe të mbikëqyrë ato, të koordinojë punën e institucioneve të ndryshme të BE-së në Kosovë, ndërsa më së shumti do të fokusohet në mbështetjen e të drejtave të pakicave“ ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së në Bruksel, duke folur për angazhimin e BE-së në Kosovë në misionin civil ndërkombëtar. Ai ka thënë se janë bërë përgatitjet e nevojshme dhe ka mbështetje të plotë nga pala kosovare, por nuk ka pasur konsensus me Beogradin deri tash.
“Sidoqoftë sa i përket Beogradit ne mbetemi të hapur dhe jemi të interesuar që të ketë linja komunikimi, në mënyrë që të evitohen keqkuptimet”, ka thënë ky zyrtar i lartë i BE-së. Ai ka paralajmëruar se së shpejti, madje deri në fund të kësaj jave, do të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në BE pas së cilave do të fillojë faza transitore. Kanë konfirmuar se kjo fazë do të zgjasë 120 ditë dhe gjatë asaj BE-ja në pesë faza do të dislokojë personelin e vet në Kosovë. “Deri në atë moment, pra deri sa të kalojë faza transitore, ne do të vendosemi në Kosovë, por nuk do të kemi kurrfarë kompetencash. Të gjitha kompetencat do t’i ketë UNMIK-u”, ka thënë ky zyrtar, duke shprehur bindjen që deri në atë kohë OKB-ja do të gjejë rrugë për të përfunduar angazhimin e UNMIK-ut në Kosovë.
Zyrtarët e BE-së gjithmonë kanë insistuar se asnjë nga misionet e BE-së nuk do të zëvendësojë UNMIK-un sepse, sipas tyre, UNMIK-u do të transferojë pushtetin në duart e autoriteteve të Kosovës Dy zyrtarë të lartë të BE-së kanë thënë se edhe misioni civil edhe ai në fushën e rendit dhe ligjit do të kenë disa fuqi ekzekutive, të cilat do t‘ua japin dhe vetë kosovarët, dhe nuk do të hezitojë t’i përdorë në rast, siç janë krimi i organizuar, krimet e luftës, korrupsioni dhe mbrojtja e pakicave. Nuk do të tolerohet personel i MUP-it të Serbisë në territorin e Kosovës.
Përqendrimi në krimin e organizuar, krime lufte, korrupsion dhe të drejtat e pakicave
Misioni në fushën e rendit dhe ligjit do të jetë më i madh dhe në të, sipas një zyrtari të lartë të BE-së, do të ketë mbi 2000 persona ndërkombëtarë dhe rreth 1000 staf lokal. Siç ka njoftuar më parë “Koha Ditore” ky mision do të ketë disa komponentë dhe do të përqendrohet në ndihmë policisë, sistemit gjyqësor dhe doganave të Kosovës. Kjo, siç shpjeguan në BE në Bruksel, tregon se në veprimet e veta misioni EULEX do të përqendrohet në rastet e rënda të hetimeve për krimin e organizuar, krimet e luftës, mbrojtjen e pakicave dhe luftën kundër korrupsionit.
“Besojmë se misioni në ato të drejta ekzekutive që do të ketë nuk do të hezitojë t’i përdorë dhe shpresojmë që në këtë drejtim të ketë mbështetjen e udhëheqësve dhe të popullit të Kosovës, sepse ata e dinë se luftimi i këtyre dukurive është në të mirë të tyre“ kanë thënë zyrtarët e BE-së, duke konfirmuar se masa ndëshkuese mund të presin dhe zyrtarët e lartë vendorë që mund të jenë të inkuadruar në vepra të tilla apo pengojnë luftën kundër këtyre dukurive. Por, duke bërë krahasime me Bosnjën, ata thanë se misioni i BE-së në Kosovë nuk do të jetë atje për të marrë mendime në vend të dikujt tjetër.
Të pyetur nga “Koha Ditore” se nga cilat dokumente do të nxjerrin fuqitë ekzekutive për misionet e BE-së pasi që plani i Ahtisaarit nuk ka pasur ndonjë miratim zyrtar, këta zyrtarë të lartë të BE-së thanë se vetë Kosova do t’i bëjë ftesë BE-së të vijë në Kosovë dhe të ketë edhe këto fuqi ekzekutive.
“Kemi marrë garanci nga zoti Thaçi gjatë vizitës së tij këtu në Bruksel se ai dhe autoritetet vendore janë tërësisht në të njëjtën linjë me ne”, kanë thënë këta zyrtarë të lartë të BE-së. Pos Rezolutës 1244 në BE mendojnë se me ftesën e autoriteteve të Kosovës ka fuqi të mjaftueshme ligjore për misionet në Kosovë edhe pse Beogradi dhe Moska mendojnë ndryshe.
Në misionin e BE-së pritet të jenë pothuajse të gjitha shtetet anëtare të saj sikur edhe shtetet joanëtare, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Kroacia, Norvegjia dhe Zvicra. Misioni do të kushtojë 2005 milionë euro për 16 muajt e parë e pastaj nga 190 milionë euro në vit. Do të ketë edhe njësi speciale për qëllime të posaçme që do të dislokohen në rast nevoje dhe do të kenë mbështetje edhe të KFOR-it kur ka nevojë.
Misionet në tërë Kosovën
Ndonëse kanë lënë të kuptohet se në fillim do të kenë “mirëkuptim” për shqetësimet e popullatës serbe në veri të Kosovës, zyrtarët e BE-së janë mundur të lënë përshtypjen se nuk do të ketë kurrfarë hapash që mund të çojnë nga ndarja e Kosovës. Kështu thanë se EULEX do të jetë në tërë territorin e Kosovës sikur edhe KFOR-i dhe Shërbimi Policor i Kosovës.
“Ne kemi mirëkuptim për shqetësimet e serbëve, sidomos në veri, dhe gradualisht do të fitojmë edhe besimin e tyre”, shprehu bindjen një zyrtar i lartë i BE-së. “Ata mund të refuzojnë në fillim, por pas JO në fillim mund të bëhen më pragmatikë dhe të shohin se ne jemi atje për ta dhe në të mirë të tyre, prandaj shpresojmë se do të hasim edhe në bashkëpunim të Serbëve”, thanë këta zyrtarë.
Të pyetur se me këndë do të komunikojnë nëse serbët e Kosovës e shohin misionin e tyre si “ilegal”, zyrtarët e BE-së thanë se do të kontaktojnë me autoriteteve lokale, me kryetarë komunash, me përfaqësues të kishës dhe liderë të tjerë të cilët do të jenë të interesuar që të sigurojnë jetë më të mirë për njerëzit e tyre. Por të pyetur nga “Koha Ditore” se “ku do të jenë kufijtë e kuptimit dhe tolerancës ndaj sjelljeve të serbëve dhe si do të reagohet në rast të përpjekjeve që në territorin e Kosovës të dërgohen, për shembull, përfaqësues të policisë së shtetit fqinj, Republikës së Serbisë?” zyrtarë të lartë të BE-së thanë se “nuk do të ketë MUP dhe nuk do të ketë dhunë” dhe përsëriten se misionet e BE-së do të veprojnë pa diskriminim në tërë territorin e Kosovës.