E diela nisi me festë për Pep Guardiolan dhe përfundoi me festë. 54-vjeçari e shënoi fitoren e 716-të në ndeshjen e 1000-të si trajner. Ai e udhëhoqi Manchester Cityn drejt fitores bindëse ndaj Liverpoolit në “Etihad”.
“E kemi Guardiolan”, ishte thirrja e tifozëve të Cityt. Ata po i këndonin trajnerit, ndërsa ishin të bindur se spanjolli ka vendosur themelet për një rindërtim të fundit të skuadrës, në përpjekje për titullin e shtatë në Premier League.
Guardiola dhe City dukeshin të lodhur në edicionin e kaluar. Energjia e tyre u shterua nga lëndimet e shumta, pas triumfit të katërt radhazi në Premier League.
Elementet e reja të përfshira në skuadrën e Cityt sinjalizojnë një rigjallërim për Guardiolan, që po e udhëheq skuadrën në rrugën drejt kthimit gradual në garë për titull.
“Ekipet e fitojnë Premier Leaguen kur rriten çdo muaj”, ka thënë Guardiola.
“Kur ndodh kjo, në fund lufton për titull. Ne flasim shumë dhe kemi ndjesinë se jemi në atë gjendje. Po ndiej se energjia është kthyer”.
Buzëqeshja e Guardiolas
Buzëqeshja në fytyrën e Guardiolas derisa po ecte në fushë pas fitores ndaj Liverpoolit tregonte shumë. Ishte pamja e një njeriu që ka rigjetur kënaqësinë në futboll.
Që kur iu bashkua Cityt nga Bayerni në vitin 2016, Guardiola ka ndryshuar fytyrën e futbollit anglez.
Por edicioni i kaluar ishte dëshpërues. Për herë të parë në tetë vjetët e fundit Pep po dështonte të fitonte trofe.
Kishte pyetje nëse ishte fundi i Guardiolas dhe nëse ai do të mund të kthehej.
Performanca mbresëlënëse e së dielës, në fitoren ndaj skuadrës që Guardiola tha se e kishte shtyrë të tregonte versionin më të mirë të vetes, iu përgjigj çdo dyshimi.
Guardiola ka folur vazhdimisht për “atmosferën e mirë” përreth skuadrës, që nga Kupa e Botës për Klube. Dhe kjo tani po duket në fushë. Në epokën kur goditjet standarde dhe pasimet e gjata janë në modë, City ende luan lojën karakteristike me shumë pasime. Por versioni i ri i skuadrës ka aftësinë të ndryshojë lojën dhe të vazhdojë me pasime të gjata në drejtim të Erling Haalandit, nëse kjo është e nevojshme.
Statistikat tregojnë që lojtarët e Manchester Cityt kanë vrapuar më shumë se lojtarët e skuadrave tjera. Ata kanë vrapuar 1268 kilometra, përkatësisht 115,3 kilometra për ndeshje. Është për 5,5 kilometra më shumë se edicionin e kaluar.
“Ne jemi më të paparashikueshëm në mënyrën se si sulmojmë dhe mbrohemi. Është mirë që kundërshtarët nuk e dinë se çka do të bëjmë. Është energji e mirë ta kesh gjatë ndeshjeve”, ka theksuar Guardiola.
Telashet që u kaluan
City ka pasur vështirësi këtë edicion, duke pësuar humbje nga Brightoni, Tottenhami dhe Aston Villa.
Por dy prej këtyre ndeshjeve ishin në muajin gusht. Lojtarë si Kevin de Bruyne, Kyle Walker, Jack Grealish, Ilkay Gundogan dhe Ederson u larguan pasi luajtën rol vendimtar në sukseset e viteve të kaluara.
Skuadra ka vetëm një humbje në 14 ndeshjet e fundit dhe kjo tregon se ka rigjetur qëndrueshmërinë e rezultateve që ia siguroi gjashtë tituj në periudhën prej tetë vjetëve.
Pas humbjes nga Villa muajin e kaluar, Guardiola kërkoi që mesfushorët dhe lojtarët e krahut të kontribuojnë me gola. Nico Gonzalez dhe Jeremy Doku iu përgjigjen thirrjes së trajnerit në ndeshjen kundër Liverpoolit.
Në mungesë të Rodrit, spanjolli tjetër Gonzalez është rritur në rolin e “numrit gjashtë”. Ai ka pasur më shumë prekje të topit se çdo lojtar tjetër i Cityt. Mbrojtësi i majtë, Nico O’Reilly e ruajti në mënyrë të shkëlqyer Mohamed Salahun për periudhë të gjatë në ndeshje.
Guardiola e ka sjellë ekipin aty ku dëshiron. City tani po dominon ndeshjet dhe duket sërish skuadra që është gati për gjëra të mëdha.