(BBC) – Imazhi përcaktues i humbjes së Arsenalit në finalen e Ligës së Kampionëve ishte Gabrieli duke qëndruar me duar në kokë, ndërsa ngushëllohej nga kapiteni i Paris Saint-Germainit dhe shoku i tij te Brazili, Marquinhos.
Ishte një fund mizor i finales së parë evropiane të mbrojtësit. Penalltia e tij, që përfundoi mbi traversë, rezultoi vendimtare. “Topçinjtë” mbetën të pikëlluar pas penalltive, ndërsa PSG-ja mbrojti titullin e Evropës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGabriel ka bërë shumë shpesh dallimin tek Arsenali në edicionin që tashmë përfundoi. Dhe ajo penallti nuk ishte kontributi që ka parashikuar për finalen e parë të Arsenalit në Champions që nga viti 2006.
Ishte penalltia e parë që Gabriel e gjuajti për Arsenalin. Trajneri Mikel Arteta zbuloi se mbrojtësi ishte “përgatitur dhe stërvitur për këtë moment”.
“Ai donte ta gjuante penalltinë”, tha Arteta. “Normalisht gjuajtësit e penalltive ishin Bukayo Saka, Martin Odegaard dhe Kai Havertz. Por ne e dinim se nëse ndeshja do të shkonte në kohën shtesë dhe në penallti, lojtarë të tjerë do të duhej të dilnin përpara”.
Ishte një mënyrë e dhimbshme për të mbyllur kampanjën për njërin prej lojtarëve më të mirë të Arsenalit në edicionin që përfundoi me titull të Anglisë dhe finale të humbur të Championsit.
Ishte një natë që filloi ndritshëm për Arsenalin. Kur Kai Havertz shënoi supergol në fillim të ndeshjes, tifozët e Arsenalit ishin në “botën e ëndrrave” në “Pushkash Arena” në Budapest.
Pavarësisht se dominonte në posedim, skuadra franceze nuk ishte në gjendje të krijonte raste të pastra për treshen e frikshme të sulmit të përbërë nga Khvicha Kvaratskhelia, Ousmane Dembele dhe Desire Doue. Mbrojtja e Arsenalit i mbajti ata kryesisht nën kontrolll.
Në zemër të kësaj ishte Gabriel. Mbrojtësi bëri 13 largime të topit, më shumë se çdo lojtar tjetër në fushë. Por pasi Dembele barazoi nga pika e bardhë, synimi kryesor ishte që ndeshja të mos humbej. Asnjëri portier nuk u testua më seriozisht, ndërsa tensioni u rrit në kryeqendrën hungareze dhe ndeshja shkoi në penallti.
Në penallti, PSG-ja pati avantazh të hershëm kur Eberechi Eze gjuajti jashtë portës pas një vrapimi të ngadaltë. Por portieri i londinezëve, David Raya, u përgjigj duke ndalur gjuajtjen e Nuno Mendes.
Goditjet tjera përfunduan në cak dhe braziliani 28-vjeçar, Gabriel Magalhaes, kishte gjuajtjen e fundit. Ai e dërgoi topin mbi traversë.
“Të humbësh penallti në finale të Ligës së Kampionëve, padyshim që nuk është mirë”, tha mesfushori i Arsenalit, Declan Rice.
“Por ne i duam dhe jemi me ta. Ndodh në futboll. Ata nuk do të jenë lojtarët e fundit që humbin penallti në finale. Të gjithë kanë humbur penallti dhe pa ata të dy këtë edicion nuk do ta kishim fituar Premier League. Kjo është e sigurt. Për Gabrielin më kanë mbaruar fjalët si person dhe si lojtar. Eze ka shënuar disa gola vendimtarë për ne këtë edicion”, ka theksuar Rice për bashkëlojtarët.
Ai ka thënë se futbolli është mizor. Por ka shtuar se skuadra merr anët pozitive dhe do të vazhdojë para.
Pamja e Gabrielit duke fshirë lotët, ndërsa lojtarët e PSG-së festonin trofeun, do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve të Arsenalit.
Mbrojtësi brazilin është prej lojtarëve të parë të transferuar nga Mikel Arteta. Ai ishte forcë lëvizëse pas ngritjes së klubit në majën e futbollit anglez dhe triumfit në Premier League këtë edicion.
Ai luajti si titullar në 48 prej 63 ndeshjeve të Arsenalit në të gjitha garat. Ndonëse mbrojtës i qendrës, kontributoi me nëntë gola e asistime, më shumë se Martin Odegaard e Gabriel Jesus.
Derisa tifozët rivalë mund të fokusohen në gjuajtjen e humbur të Gabrielit në Budapest, tifozët e Arsenalit do të kujtojnë ndeshjet e tij të shumta të mira.
Për një natë, Gabriel ishte fytyra e pikëllimit të Arsenalit. Kjo nuk duhet të zvogëlojë faktin se ai ishte një nga arsyet që skuadra nga Londra arriti në atë ndeshje finale.
