Futboll

Avdullahu fokusin e ka në Bundesligë, jo te Zvicra apo Kosova

Leon Avdullahu

Leon Avdullahu e udhëhoqi mesfushën e Baselin drejt dy trofeve. Pse ai nuk ka notuar asnjëherë në lumin Rajn? Pse zgjodhi Hoffenheimin në vend të ekipeve më të mira? Dhe nëse do të luajë së shpejti për ekipin e Zvicrës

Çanta e notit është një shpikje e shkëlqyer. I fut rrobat brenda, nisesh nga Muzeu Tinguely nëpër lumin Rajn, që kalon nëpër Basel dhe përfundon duke lundruar deri në urën e mesme. 

Leon Avdullahu nuk është i aspak i sigurt. “Sepse nuk kam notuar kurrë në lumin Rajn”, thotë ai, duke parë dhjetëra njerëz që zhyteshin në ujin e freskët në temperaturat që djersitin.

Deklarata se nuk është notar nuk është për t’u habitur. Të paktën jo për ata që janë afër Avdullahut. Sepse për mesfushorin qendror, që nga fëmijëria e hershme ka pasur vetëm një gjë – futbolli.

Në verën e vitit 2017, atëherë 14-vjeçari u zhvendos nga qyteti i lindjes , Gerlafingen, në konviktin e FC Baselit. Pothuajse shtatë vjet më vonë ai është bërë lojtari i parë vendas që nga Noah Okafor që bën përparim.

Interesimi i Portos

Me 21 vjet, Avdullahu i ka luajtur 71 ndeshje zyrtare për Baselin, si mesfushor qendre. Truri i mesfushës së ekipit që fitoi dy trofe. Kishte saktësi të jashtëzakonshme në pasime dhe ndërhyrje të forta. Një mesfushor defensiv perfekt. FC Porto shprehu interesim në dimër, Bourssia Monchengladbachu, po ashtu, ishte i interesuar, ashtu si edhe klube të tjera të Bundesligës.

Klubet angleze e synonin, po ashtu. Në fund, ai u bë lojtar i Hoffenheimit, disi e habitshme duke i parë cilësitë e Avdullahut.

Pse Hoffenheimi? “Sepse u ndjeva i vlerësuar nga fillimi. Sepse klubi më ka ndjekur për vite me radhë dhe ka punuar me mua në detaje. Sepse ata e kanë një plan të qartë për mua dhe duan të më mbështesin në maksimum”, përgjigjet Avdullahu. Dhe, sepse Hoffenhemi po i kryen detyrat e veta.

Lojtarë të tjerë të Superligës do të kishin rrezikuar, do t’i kishin analizuar ofertat dhe do të kishin pritur deri në ditën e fundit të afatit për të nxjerrë sa më shumë nga limoni. Por Avdullahu dhe menaxheri i tij, Sascha Fischer, donin planifikim, siguri dhe kushte optimale për fillimin e sezonit. Sepse ata e dinë sa e vlefshme është të integrohesh menjëherë në strukturën e ekipit.

Është një lëvizje që i përshtatet të riut, të cilin të gjithë, pa përjashtim, e përshkruajnë si një sportist model. Leon profesionisti. Një punëtor i palodhur që punon nga tri orë në ditë para se t’i nisë përgatitjet, në vend që të pushojë pranë lumit Rajn dhe t’i shijojë pushimet e tij të merituara.

Prindërit e tij ende punojnë

Avdullahu thotë se prindërit e tij ia kanë ngulitur këtë disiplinë. Nëna e tij ende punon në një fabrikë perimesh, ndërsa babi i tij në ndërtim. Asnjëri prej tyre nuk e mendon aktualisht të lërë punën vetëm sepse djali i tyre sapo ka nënshkruar një kontratë fitimprurëse me një klub të Bundesligës.

Hoffenheimi ka raportuar se Avdullahu e ka nënshkruar një kontratë “afatgjatë”. Nuk ka gjasa që ai ta përmbushë kontratën e tij. Lojtari që luan më mirë me këmbën e djathtë, është tashmë shumë dominues në fushë në një moshë kaq të re. Mund të mos jetë i mjaftueshëm për Real Madridin, klubin e tij të preferuar, është i aftë për një karrierë të shkëlqyer në një ligë të fortë.

Nëse bëhet një krahasim, i madhi Granit Xhaka, i cili iu bashkua Gladbachut  në moshën 20-vjeçare, ka luajtur më pak ndeshje për Baselin sesa Avdullahu. Nuk është çudi që po bëhen krahasime ndërmjet dy strategëve të mesfushës. Xhaka është “një model për t’u ndjekur”, thotë Avdullahu.

Por zemra e tij i përket njërit prej mesfushorëve defensivë më të mirë në histori të futbollit – Sergio Busquets.

A do të bëhet Avdullahu një ditë pasardhës i Xhakës te Zvicra? Federata e Futbollit e Zvicrës është pa diskutim entuziaste për lojtarin e Zvicrës U21, i cili mund të luajë edhe për vendin e prindërve të tij, Kosovën.

Është e qartë se kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës po e josh talentin të cilin e vizitoi në Zvicër.

Avdullahu aktualisht nuk po humb kohë duke menduar se për cilën përfaqësuese do të luajë një ditë. Fokusi i tij është te Bundesliga. Dhe te Hoffenheimi. Një klub që ka pasur një sezon dëshpërues, që luftoi deri në fund për të mbetur në elitë. Por mesfushori nuk ka frikë se me ekipin e tij do ta rrezikojnë rënien nga elita. Dhe, nëse po, ai e ka mësuar se çfarë do të thotë të jesh në krizë. E ka përjetuar në sezonin e tij të parë me Baselin.

Si Timo Schulz, ashtu edhe Heiko Vogel dhe Fabio Celestini mbështeteshin vazhdimisht te 19-vjeçari, i cili së pari e ndihmoi Baselin të mbijetonte e më pas e udhëhoqi drejt dy trofeve.

Baseli nuk ra për shkak të Avdullahut. As ai nuk ra. Sepse luan futboll pa pushim për ta bërë ëndrrën e tij realitet.