Ndjekja e lavdisë në finalen e Ligës së Kampionëve nga Arsenali do të varet shumë se si bërthama e londinezëve do të përballet me skuadrën shumë të fortë të Paris Saint-Germainit.
Pasi nuk e ka më presionin për titullin e Premier Leagues, Arsenali tani e synon edhe një trofe për të treguar se duhet të jetë pjesë e elitës së Evropës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Topçinjtë” do të kenë sfidë të vështirë në Budapest kundër ekipit të shkëlqyer të udhëhequr nga Luis Enrique, i përbërë nga talenti, inteligjenca dhe vendosmëria.
Arsenali i trajnerit Mikel Arteta ka ndërtuar një shtyllë të fortë mbrojtëse, që mund të jetë pengesë e përkryer.
Portieri David Raya e ka mbajtur portën e paprekur në nëntë prej 14 ndeshjeve të Arsenalit pa humbje, rrugës për në finale.
Arteta e pranon se i kishte disa pengesa kur e solli spanjollin para tre vjetësh, por e sheh si një prej vendimeve që ia solli Arsenalit titullin e parë në 22 vjet dhe finalen e Ligës së Kampionëve në 20 vjet.
Në qendër të mbrojtjes, shpejtësia dhe loja e mirë me top nga francezi William Saliba, është e balancuar në mënyrë të përkryer nga loja agresive dhe golat e rëndësishëm, kryesisht nga goditjet e këndit, nga braziliani Gabriel Magalhaes.
28-vjeçari Gabriel iu bashkua Arsenalit në vitin 2020, më pak se një vit pasi Arteta e mori drejtimin e skuadrës.
Dhe derisa kishte raportime se ai mund të shitej për të përfituar financiarisht, një gjë e tillë tani duket e pamundur.
Qendra e mbrojtjes e ka shfaqur rëndësinë, si intervenimi që e ndaloi Giuliano Simeonen e Atletico Madridit t’i barazonte shifrat në gjysmëfinale, shkruan “Reuters”.
Në ndeshje të mëdha “dikush duhet të shfaq momente magjike”, ka thënë Arteta, “dhe Gabriel sërish e bëri një gjë të tillë”.
Nëse Arsenali duhet t’i parandalojë shpërthimet e PSG-së, që e shkatërroi 5:0 Interin në finale vitin e kaluar, Declan Rice që mban rekordin e transferimit prej 105 milionë funteve, duhet të ketë ndeshje të përkryer në mesfushë.
Vrapimet e palodhshme të 27-vjeçarit, harkimet e sakta nga ndërprerjet dhe ndërhyrjet e sakta, janë thelbësore për lojën e Arsenalit.
Ai nuk e ka luajtur vetëm një ndeshje të Arsenalit në Premier League këtë edicion, ndërsa i ka luajtur 3000 minuta në të gjitha garat. Është i dyti pas Rayas.
“Është finale dhe çdo gjë mund të ndodhë”, ka thënë Rice për BBC. “Ne do të jemi gati. E duam edhe këtë trofe”.
Në majë të boshtit të ekipit të Arsenalit është Viktor Gyokeres, i cili i ka shënuar pesë gola në Ligë të Kampionëve.
Kjo mund të duket modeste në krahasim me 10 golat e Khvicha Kvaratskhelias së PSG-së, por sulmuesi suedez po ashtu e nis presionin e Arsenalit i pari – çelësi pse trajneri Luis Enrique i PSG-së mendon se kundërshtari është “ekipi më i mirë në botë kur nuk e ka topin”.
Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ekipi i të cilit e mbylli sezonin pa humbje në Premier League në vitin 2004, gjithashtu kishte mbrojtje të vendosur mirë. Ai ka thënë se Arsenali tani është ekip mbresëlënës.