Sot (e mërkurë) Baleti Kombëtar i Kosovës do ta prezantojë shfaqjen “Terminal” në kuadër të edicionit të 35-të të festivalit “Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater Festival” në Graz të Austrisë. Prej aty më 18 dhe 20 korrik do ta prezantojë “Carmina Burana” në Itali. Fillimisht në Romë, në skenën e “Teatro Grande” të Akademisë Kombëtare të Vallëzimit, e më pas në Lecce
Baleti Kombëtar i Kosovës po e shtrin hartën e prezantimit ndërkombëtar të artit të vallëzimit, duke e çuar krijimtarinë e tij bashkëkohore në skena e institucione me traditë të gjatë kulturore në Austri e Itali. Pas suksesit të turneut në Amerikën Qendrore dhe atë të Jugut, ku “Carmina Burana” u prit me salla të mbushura plot, trupa shtetërore e vallëzimit në Kosovë do të ngjitet në skena prestigjioze në Graz, Romë dhe Lecce. Kjo vulos ambicien e anëtarëve të saj për ta bërë Baletin të njohur ndërkombëtarisht me produksionet e saj.
Sot (e mërkurë) Baleti Kombëtar i Kosovës do ta prezantojë shfaqjen “Terminal” në kuadër të edicionit të 35-të të festivalit “Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater Festival” në Graz të Austrisë, një prej festivaleve me traditë shumëvjeçare të vallëzimit bashkëkohor dhe teatrit të vallëzimit, i cili prej tri dekadash bashkon artistë, koreografë e kompani ndërkombëtare në një program që ndërthur performancat me punëtoritë profesionale dhe kërkimin artistik në fushën e vallëzimit.
Në kuadër të këtij festivali, “Terminal” do të shfaqet në hapësirën “Kristallwerk” në Graz. Vepra me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Romane Petite është një produksion bashkëkohor që eksploron kompleksitetin e mekanizmave të brendshëm të sigurisë së njeriut, përballjen me frikën dhe nevojën për kontroll, duke e trajtuar tranzicionin si një gjendje të vazhdueshme njerëzore. Përmes gjuhës së vallëzimit bashkëkohor, “Terminal” shndërrohet në hapësirë simbolike ku individi përballet me kufijtë e vet emocionalë e psikologjikë.
Kjo shfaqje vjen si dëshmi e orientimit të Baletit Kombëtar të Kosovës drejt krijimtarisë bashkëkohore, e cila vitet e fundit është bërë një prej shtyllave të repertorit të institucionit, edhe si një lloj imponimi prej mungesës së hapësirave si rrjedhojë e mbylljes së objektit të Teatrit Kombëtar për rinovime për plot katër vjet të shënuar këtë muaj.

Vetëm pak ditë më vonë prej prezantimit në Graz, më 18 dhe 20 korrik, Baleti Kombëtar do ta prezantojë “Carmina Burana” në Itali. Fillimisht në Romë, në skenën e “Teatro Grande” të Akademisë Kombëtare të Vallëzimit, e më pas në Lecce, në hapësirën historike “Ex Convento dei Teatini”, një ndër monumentet më të rëndësishme kulturore të qytetit italian.
Edhe
Baleti Kombëtar i Kosovës pret shkëlqim me “Carmina Burana” në Venecia
Performanca në Romë shënon një moment të veçantë për institucionin, pasi është hera e parë që Baleti Kombëtar i Kosovës prezantohet në kryeqytetin italian. Ndërsa, Lecce do ta presë trupën e Kosovës në një ambient të ndërtuar në shekullin XVII, që sot shërben si qendër e rëndësishme për aktivitete kulturore dhe artistike në rajonin e Puglias.
“Carmina Burana”, me koreografi të italianit Toni Candeloro, mbështetet mbi kantatën skenike monumentale të Carl Orffit, një prej veprave më të njohura të muzikës së shekullit të kaluar. Në interpretimin e Baletit Kombëtar të Kosovës, vepra vjen si bashkëdyzim i fuqishëm i muzikës, lëvizjes dhe dramaturgjisë skenike, duke trajtuar temat universale të fatit, dashurisë, fuqisë dhe kalueshmërisë së jetës.
Shfaqja ka dëshmuar tashmë suksesin e saj përtej kufijve të Kosovës. Vetëm pak javë më parë, Baleti Kombëtar realizoi një turne në El Salvador dhe Kolumbi, ku “Carmina Burana” u prezantua gjashtë herë në katër qytete të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe Latine.
Koreografi italian Toni Candeloro e ka vlerësuar lart punën e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe vizionin e zëvendësuesit të drejtorit, Kreshnik Musolli, për ndërkombëtarizimin e institucionit.
“Më pëlqeu shumë ky bashkëpunim me Niki Musollin, aktualisht udhëheqës i Baletit Kombëtar të Kosovës, sepse është mënyrë shumë e fortë për ta marrë këtë trupë dhe për ta treguar atë në botë. Kjo nuk është e thjeshtë, ky është arti, organizimi, koha për të menduar se si mund ta bëjmë në turne. Dhe falë tij, trupa po qarkullon në botë”, ka thënë Candeloro për KOHËN.
Ai ka vlerësuar gjithashtu profilin artistik dhe menaxhues të drejtuesit të institucionit.
Edhe
“Terminali” i Baletit në Çeki – mundësi larg improvizimeve në Prishtinë
“Më kujtohet kur kam filluar të kërcej. Ai ma kujton vetveten. Mënyrën klasike të drejtorit që na duhet, sepse harrojmë se është drejtor. Dhe Niki Musolli është drejtor, sepse ai e kupton artin, kupton gjërat teknike dhe është e vështirë të gjesh një person që e kupton gjithë këtë cilësi të jetë në formë, të jetë në botë”, ka thënë ai.
Ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte pritur në takim anëtarët e Baletit Kombëtar të Kosovës, duke vlerësuar suksesin e tyre ndërkombëtar.
“Arti e kultura janë ambasadorë të rëndësishëm të Republikës dhe turneu i fundit i Baletit Kombëtar të Kosovës në El Salvador dhe Kolumbi është dëshmia më e mirë për këtë. Në gjashtë paraqitjet fantastike të balerinëve tanë në shfaqjen ‘Carmina Burana’ me koreografi nga Toni Candeloro, në katër qytete të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe Latine, të gjitha biletat ishin të shitura dhe sallat ishin përplot”, kishte shkruar Kurti.
Ai kishte shtuar se institucionet do ta mbështesin trupën edhe në vazhdim.
“Derisa balerinët tanë do të vazhdojnë me shfaqje në Itali, Turqi e Austri, si Qeveri do t’i mbështesim, sepse vetë i kemi parë sa të shkëlqyeshëm janë, por edhe na bëjnë krenarë në arenën ndërkombëtare”, kishte shkruar ai.
Edhe
Baleti Kombëtar lë në Venecie traditën e artit skenik të Kosovës
Prej Amerikës Latine e deri në skenat prestigjioze të Austrisë dhe Italisë, Baleti Kombëtar i Kosovës po ndërton kapitullin e prezantimit ndërkombëtar, duke e bërë vallëzimin një prej ambasadorëve kulturorë të vendit.
Festivali në Graz zhvillon edicionin e tij të 35-të dhe konsiderohet platformë ndërkombëtare e rëndësishme për vallëzimin bashkëkohor, ndërsa “Kristallwerk” është një nga hapësirat kryesore të performancave të festivalit.