Futboll

Arteta: Donnarumma e bëri diferencën

Gianluigi Donnarumma

Gianluigi Donnarumma

Foto: Associated Press

Mikel Arteta ka insistuar se Arsenali ka qenë skuadër më e mirë se Paris Saint-Germaini në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. 

Por sipas teknikut spanjoll të skuadrës angleze, ka qenë portieri Gianluigi Donnarumma, ai i cili e ka bërë diferencën në dy ndeshjet. 

PSG-ja e siguroi finalen e Championsit dhe në fund të muajit luan kundër Interit. 

Donnarumma në ndeshjen e zhvilluar në Paris të mërkurën mbrëma, pati disa pritje të mira. 

“Ishim skuadër shumë më e mirë. Kur i shihni të dyja ndeshjet, kush ishte lojtari më i mirë në fushë? Ishte portieri”, ka thënë spanjolli për “CBS Sports”. 

“Ai e bëri diferencën. Ishim shumë afër, shumë më afër sesa që tregon rezultati”.

Donnarumma do të luajë në finale të Ligës së Kampionëve për herë të parë në karrierë. 

Ai iu bashkua ekipit francez nga Milani në vitin 2021, pak pasi e fitoi Evropianin 2020 me Italinë. Ishte zgjedhur lojtari më i mirë i turneut. 

26-vjeçari Donnarumma nuk ka pranuar gola në 11 ndeshje nga 38 sa i ka zhvilluar me PSG-në në këtë sezon. Në total është mposhtur 38 herë. 

Portieri italian ka kontratë me PSG-në deri në vitin 2026.