Mikel Arteta e ka vlerësuar shumë lart ish-lojtarin e tij, Granit Xhakën. Trajneri i Arsenalit ka folur për Xhakën në prag të ndeshjes me Sunderlandin.
Ndeshja Sunderland – Arsenal zhvillohet të shtunën nga ora 18:30 dhe i takon Premier Leagues. 33-vjeçari Xhaka po shkëlqen te Sunderlandi, ku është kapiten. Ai ishte tek Arsenali prej vitit 2016 deri në vitin 2023.
Në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, spanjolli Arteta ka theksuar se Xhaka e ka bërë trajner më të mirë.
“E kam dashur çdo minutë që e kemi kaluar së bashku”, ka thënë Arteta kur është pyetur për raportet me Xhakën.
“Kur u bashkova unë, ai ishte në një moment të veçantë në jetë dhe në karrierë. Ne jemi munduar ta këshillojmë, t’i japim perspektivë tjetër dhe ta bëjmë të dashur dhe të çmuar. Dhe ai është përgjigjur në mënyrë të pabesueshme. Ai më bëri trajner më të mirë, na ka ndihmuar të zhvillohemi dhe të përmirësohemi si ekip futbolli dhe si trajner. Do të jem përjetësisht mirënjohës sepse kam kujtime të shkëlqyera me të”, ka thënë Arteta.
Pas karrierës tek Arsenali, Xhaka luajti dy vjet te Bayer Leverkuseni. Dhe tashmë është lider i pakontestueshëm i Sunderlandit.
Pas xhiros së dhjetë, Sunderlandi është në vendin e katërt në Premier League me 18 pikë. Arsenali është shkëputur dhe udhëheqë në tabelë me 25 pikë.
Arteta është pyetur nëse ka dashur që Xhaka të qëndrojë në ekip në vitin 2023.
“E kisha bërë një herë dhe ia vazhduam kontratën. Kur ai erdhi dhe shpjegoi arsyet, duhet ta kuptosh qenien njerëzore, duhet të jesh mirënjohës. Ishte mundësi unike për të që të kthehej në Gjermani te familja e tij. Dhe kishte gjëra që edhe ai dëshironte t’i përjetonte. Besoj që ishte momenti i duhur. Ai ishte shumë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë siç është gjithmonë.Dhe gjetëm një mënyrë për një zgjidhje të mirë për të gjithë ne”, ka theksuar Arteta.
Trajneri i Arsenalit është pajtuar që Xhaka është prej transferimeve më të mira të bërë në verë nga klubet e Premier Leagues.
“Me ndikimin që po e ka, do të thosha që është prej lëvizjeve më të mira. Mendoj se ajo që kanë bërë si klub, edhe në vitet e kaluara, është shumë impresive. Është impresive si kanë nisur edicionin, se sa stabil duken dhe vendimet që morën”, ka theksuar Arteta.