Edicioni i parë i zgjeruar i Kupës së Botës për Klube ka ofruar spektakël në fushë, me triumfe të autsajderëve dhe mbështetje magjepsëse nga tifozët e Amerikës së Jugut dhe Arabisë Saudite.
Megjithatë, shqetësimet për mirëqenien e lojtarëve dhe pjesëmarrja e zbehtë e shikuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndezur debat ndërsa Botërori i Klubeve po futet në fazën finale.
Shumë njerëz kanë pritur që Botërori me 32 skuadra të dominohet nga evropianët. Por skuadrat e mëdha të Ligës së Kampionëve të UEFA-s kanë përjetuar eliminime tronditëse.
Skuadrat braziliane Flamengo, Botafogo dhe Fluminense si dhe ajo arabe, Al Hilal, kanë shkruar disa nga tregimet më të bukura dhe më emocionuese të turneut.
Fluminense tronditi Interin me një fitore 2:0 në një të tetën e finales. Al Hilali bëri tjetër befasi të madhe duke e eliminuar Manchester Cityn e Pep Guardiolas.
Inter Miami i Lionel Messit po ashtu la gjurmë më herët në turne, duke fituar 2:1 ndaj Portos në fazën e grupeve. Inter Miami i dha fund serisë 13-vjeçare pa humbje të ekipeve evropiane kundër klubeve nga kontinentet e tjera në këtë garë.
Botafogo dhe Flamengo morën fitore të paharrueshme në fazën e grupeve ndaj PSG-së dhe Chelseat.
Në një përballje plotësisht braziliane, Palmeirasi siguroi vendin në çerekfinale duke fituar në kohën shtesë ndaj Botafogos.
Shfaqja në fushë ka magjepsur tifozët, ndërsa sfidat jashtë saj sollën pyetje të shumta. Moti ekstrem i verës amerikane, vapa përvëluese dhe stuhi të papritura, kanë ndërprerë ndeshjet dhe kanë ngritur shqetësime serioze përpara Kupës së Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Temperaturat e larta dhe lagështia kanë nxitur ankesa të mëdha nga lojtarët dhe trajnerët. Organizata globale e lojtarëve, FIFPRO, ka kërkuar të shqyrtohet zgjatja e pushimit mes pjesëlojëve në 20 minuta si dhe përfshirja e më shumë ndërprerjeve për freskim të lojtarëve. FIFPRO konsideron se kështu lojtarët mbrohen më shumë nga vapa e madhe.
Nëntë nga 16 qytetet ku organizohet Botërori i vitit të ardhshëm përballen me kushte të vlerësuara si “rrezik ekstrem” për sëmundje që lidhen me nxehtësinë. Kjo solli shqetësime për sigurinë e lojtarëve dhe ka nxitur thirrje për më shumë mjete ftohëse gjatë ndeshjeve apo edhe ndryshim të orarit.
“Kushtet e nxehtësisë janë një temë serioze që ndikojnë në futbollin global”, kanë thënë nga FIFA.
“Diskutimet se si të përballojmë nxehtësinë duhet të jenë kolektive. Mbrojtja e lojtarëve duhet të jetë në qendër”.
Me gjysmëfinalet dhe finalen e planifikuar për në orën 3 pasdite, sipas kohës lokale, në stadiumin MetLife në New Jersey, ku temperatura mund të arrijë në 32 gradë celsius, debati për nxehtësinë vetëm sa pritet të rritet.
Sugjerimet për Botërorin 2026 përfshijnë planifikimin e ndeshjeve të mesditës në stadiume të mbuluara për të luftuar të nxehtit.
Stuhitë kanë shkaktuar gjithashtu ndërprerje, me disa ndeshje të pezulluara. Lojtarët lanë fushën përkohësisht dhe tifozët kërkuan strehim.
Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, kritikoi SHBA-në si nikoqire, pasi një ndërprerje dyorëshe zbehu fitoren ndaj Benficas në një të tetën e finales.
Ndeshja në stadiumin gjysmë të zbrazët dëshmoi se pjesëmarrja e shikuesve ishte zhgënjyese për takimet ku luanin skuadrat evropiane. Ishin tifozët nga Amerika e Jugut dhe ata nga Arabia Saudite që siguruan gjallërinë e turneut.
Pavarësisht emocioneve në fushë, ende ka bileta në dispozicion për ndeshjet e mbetura, duke nisur nga ato çerekfinale. Kjo ka ngritur pyetje për atë nëse turneu ishte mjaftueshëm atraktiv për tifozët.
Ndërsa FIFA reflekton mbi sukseset dhe sfidat e Kupës së Botës për Klube, mësimet e nxjerra do të jenë me rëndësi për Botërorin e vërtetë, atë të përfaqësueseve që mbahet pas një viti.