Klubi i basketbollit Bora nga Prishtina të dielën e ka zyrtarizuar Lubomir Minchevin si trajner të ri të skuadrës.
Minchev te Bora e zëvendëson trajnerin malazez, Danilo Rakoçeviq. Bullgari Minchev në Superligën e Kosovës në basketboll më herët e drejtoi edhe Trepçën gjatë edicionit 2022/23. Së fundit e udhëhoqi skuadrën nga Bullgaria, BC Spartak Pleven.
Ai ka qenë edhe selektor i Përfaqësueses së Bullgarisë në basketboll.
“Minchev sjell profesionalizëm, disiplinë dhe vizion të qartë për ngritjen e ekipit tonë në një nivel më të lartë. Synimet janë të mëdha dhe me Minchevin në krye, jemi të bindur se do të ndërtojmë një ekip konkurrues dhe të përkushtuar për suksese”, ka shkruar Bora të dielën në rrjetet sociale.
Bora edicionin e kaluar e siguroi mbijetesën në Superligë pasi në plejaut e mposhti KEK-un. Bora edicionin e përfundoi si e parafundit.