Futboll

Çeferini flet për Evropianin Shqipëri – Serbi, tregon qëndrimin e UEFA-s

Aleksandar Çeferin

Kampionati Evropian U21 i vitit 2027 në Shqipëri e Serbi është gjë e duhur për Konfederatën Evropiane të Futbollit. Në fakt ishte UEFA që vendosi për këtë organizim shumë të kontestuar, sidomos në Kosovë, por presidenti i Konfederatës Evropiane të Futbollit, Aleksandar Çeferin, insiston se çdo gjë do të jetë në rregull.

Slloveni Çeferin javën e kaluar qëndroi në Tiranë për mbledhjen e Komitetit Ekzekuti të UEFA-s.

Federata Shqiptare e Futbollit të hënën publikoi një intervistë që Çeferini e ka dhënë për FSHF TV.

Çeferini është i njoftuar që Evropiani Shqipëri – Serbi hasi në kundërshtime të shumta.

“Në këtë rajon pothuajse çdo gjë kontestohet. Mendimi im është që futbolli është përtej politikës. Futbolli duhet të sjellë miqësi, paqe dhe jo dhunë e përdorim politik. Çfarëdo që të bësh, sidomos në diçka si futbolli, kontestohet nga dikush. Më e rëndësishmja është që të shohësh veten në pasqyrë dhe të thuash që ishte gjëja e duhur. Po ndjekim çdo gjë bashkë, së bashku me Armand Dukën dhe Federatën, gjithashtu dhe me Federatën serbe, dhe jam i sigurt që gjithçka do të shkojë shkëlqyeshëm. Do të tregojmë që futbolli është mbi politikën e përditshme”, ka thënë Çeferin.

Ai ka lavdëruar FSHF-në. Ka thënë se sikur Federata Shqiptare të mos bënte punë të përkryer, Duka nuk do të ishte zëvendëspresident i UEFA-s.

Çeferini ka treguar se përmes Ligës së Konferencës, UEFA ka hapur dyert për sukses të klubeve nga vende të vogla. Nga ky ndryshim në fakt ka përfituar edhe Ballkani e tani edhe Drita. Ballkani ishte dy herë në grupet e Ligës së Konferencës, ndërsa tani Drita është në fazën e ligës.

“Kemi ndihmuar me Conference League, kompeticionin e ri, ku fituesi i një kampionati të vogël, jo vetëm që mund të marrë pjesë, por edhe të ketë rezultate të mira, siç shumë kampionate të vegjël e kanë treguar”, ka thënë presidenti i UEFA-s.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Çeferini ka folur edhe për telashet që huliganët serbë i shkaktuan në ndeshjen ndaj Anglisë.