Manchester City ka dhuruar spektakël në fitoren e thellë ndaj Juventusit të enjten mbrëma, në ndeshjen e fundit të Grupit G të Kupës së Botës për klube.
Me fitoren 5:2, City i Pep Guardiolas e ka siguruar vendin e parë dhe si fitues i grupit, do të luajë me vendin e dytë të grupit ku është Real Madridi, Salzburgu apo Al Hilali.
Juventusi do të luajë me fituesin e këtij grupi.
Në ndeshjen e zhvilluar në Orlando, në të gjitha shtatë golat, shënuesit ishin të ndryshëm.
Jeremy Doku e hapi serinë e golave në minutën e nëntë për Cityn.
Teun Koopmeiners e barazoi rezultatin në minutën e 11-të, ndërsa Pierre Kalulu, shënoi autogol për rezultatin 2:1 në të mirë të ekipit të Premier Leagues angleze.
Erling Haaland u inkuadrua në lojë në fillim të pjesës së dytë. Norvegjezi menjëherë në minutën e 52-të shënoi për 3:1.
Gol pas një aksioni mirë të ndërtuar realizoi edhe Phil Foden në minutën e 69-të, kurse me gjuajtje shumë të fuqishme në minutën e 75-të, shënoi Savinho.
Dushan Vlahoviq e realizoi golin e fundit në ndeshje për 5:2.
City është i vetmi ekip në Kupën e Botës për Klube që i ka fituar të tria ndeshjet e fazës grupore.
City e fitoi grupin me nëntë pikë, kurse Juventusi i dyti pas trindeshjeve i fitoi gjashtë pikë.