Futboll

Çka thotë Federata serbe, pse e përmend ndeshjen e vitit 2014 në Beograd?

Federata Serbe e Futbollit në Kosovë

Për zhvendosjen e ndeshjes Serbi – Shqipëri nga Beogradi në Leskovc, komunikatë ka lëshuar edhe Federata e Futbollit e Serbisë.

Sipas federatës serbe, vendimi u mor pas analizave të detajuara të të gjitha aspekteve lidhur me organizimin e ndeshjes së rrezikshmërisë së lartë.

“Arsyeja kryesore është e sigurisë. Jo vetëm të publikut, por mbi të gjitha të lojtarëve dhe të gjithë akterëve të ndeshjes. Një ndeshje e tillë sjell shkallën më të lartë të rrezikut dhe kërkon kontroll të plotë në mënyrë që të evitohen incidentet që kemi pasur rastin t’i shohim në ndeshjet dy ekipeve.  Të gjithë i kujtojmë mirë ngjarjet dhe pasojat nga Beogradi në vitin 2014”, shkruan në komunikatën e federatës serbe të lëshuar të hënën mbrëma.

Në vitin 2014 në Beograd ndeshja mes Serbisë e Shqipërisë ishte ndërprerë që në pjesën e parë. Huliganët serbë por edhe lojtarët dhe pjesëtarët e sigurisë, kishin sulmuar lojtarët e Shqipërisë, pas shfaqjes së flamurit të famshëm me dron. Në fund ndeshja ishte regjistruar me rezultat 3:0 në të mirë të Shqipërisë, pas një procesi të gjatë.

Por federata serbe fillimisht kishte vendosur që ndeshja e 11 tetorit të luhej në Beograd dhe vetëm së fundi vlerësoi se më mirë është të organizohet në Leskovc.

Federata serbe ka shkruar se për kohë të gjatë është nën vëzhgimin e disiplinorit të FIFA-s dhe UEFA-s për shkak të incidenteve në tribuna. Serbët kanë pranuar se ekziston rreziku real që të suspendohen për kohë më të gjatë.

“Ndryshimi i lokacionit dhe organizimi i ndeshjes në Leskovc zvogëlon dukshëm rrezikun nga incidentet eventuale dhe kështu i shërben ruajtjes së imazhit të futbollit serb dhe interesit të ekipit nacional”.

Arsye tjetër, sipas federatës serbe, është përkrahja që Serbia kishte në Leskovc në ndeshjet e kaluara.

Federata serbe ka falënderuar UEFA-n dhe FSHF-në që kanë kuptuar kërkesën për ndryshim të stadiumit.