Ron Raçi luajti vetëm pesë minuta në ndeshjen debutuese për Hajdukun e Splitit. Por, qendërmbrojtësi i talentuar fillimisht synon të stabilizohet te gjiganti kroat e më pas ta sigurojë një kalim në njërën prej ligave më të mëdha në Evropë.
Pra 25 mijë shikuesve të pranishëm në stadiumin “Poljud”, Raçi 22-vjeçar luajti nga minuta e 85-të për Hajdukun e Splitit që fitoi ndaj Gocicës 2:0, në kuadër të xhiros së dytë të elitës së futbollit kroat.
Raqi u nda i kënaqur me përkrahjen e madhe nga tifo-grupi i famshëm “Torcida”. Këtë moment do ta mbajë në mend shumë gjatë.
“Ishte një ndjenjë e veçantë dhe një moment që do ta mbajë mend gjithmonë. Hajduku është një klub me histori të madhe dhe tifozë të jashtëzakonshëm, dhe për mua ishte nder i madh të vesh fanellën e tij për herë të parë”, ka thënë Raçi për KOHËN të hënën.
Raçi e sheh Hajdukun si trampolinë për t’u transferuar në njërën prej pesë ligave më të forta në Evropë.
“Çdo lojtar ëndërron të luajë në ligat më të forta. Sigurisht, me punë të madhe dhe paraqitje të mira gjithçka është e mundur, por tani jam i fokusuar vetëm te Hajduku”, theksoi Raçi.
Në të kaluarën disa futbollistë shqiptarë pikërisht nga futbolli kroat janë transferuar në topligat botërore. Disa prej tyre janë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, Ardian Ismajli e Emir Sahiti. Rrahmani është pjesë e kampionit të Italisë, Napoli.
Mbrojtësi i talentuar iu bashkua më 26 korrik gjigantit kroat. U transferua nga Prishtina për 300 mijë euro. Ai me Hajdukun ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2029. Te klubi kroat e vesh fanellën me numrin 14-të.
22-vjeçari te Hajduku është bashkëlojtar edhe me Adrion Pajazitin, një tjetër futbollist kosovar. Ai ka treguar se si është pritur nga bashkëlojtarët por edhe nga shtabi teknik.
“Më kanë pritur shumë mirë që nga dita e parë. Skuadra dhe stafi janë treguar të hapur dhe mbështetës, kështu që përshtatja ka qenë shumë më e lehtë. Po ndihem çdo ditë e më mirë në ambientin e ri. Synimi im kryesor është të japë maksimumin për Hajdukun, të ndihmoj skuadrën të arrijë objektivat dhe të rritem si lojtar. Dua të tregoj vlerat e mia në çdo ndeshje”, ka thënë Raçi.
Pas paraqitjeve të mira me fanellën e Prishtinës, Raçi mori ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda. Ai ishte pjesë e Kosovës për dy ndeshjet miqësore ndaj Armenisë dhe Komoreve. Ndaj kësaj të fundit, Raçi bëri debutimin me fanellën e “Dardanëve”.
Raçi pret të ftohet sërish nga Kosova.
“Dardanët” në shtator i zhvillojnë dy ndeshjet e para kualifikuese për Kupën Kupës së Botës që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Kosova më 5 shtator luan në Basel kundër Zvicrës. Tri ditë më pas e pret Suedinë në Prishtinë.
“Kosova ka një grup shumë të fortë dhe cilësor. Me besim, përkushtim dhe mbështetjen e tifozëve tanë, unë besoj se mund të arrijmë rezultate të mëdha”.
Raçi karrierën e ka nisur te Ramiz Sadiku. Në Kosovë ka luajtur edhe për Besën e Pejës e Trepçën ’89.