Futboll

Dënimi ndaj Shqipërisë 161 mijë franga, ndaj Serbisë përgjysmë më pak

Berat Gjimshiti

Gara në Grupin K të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2026 po shoqërohet me dënime për të paktën dy prej ekipeve të këtij grupi. Në këtë grup janë Anglia, Shqipëria, Serbia, Letonia dhe Andorra.

Më 23 korrik, Federata Shqiptare e Futbollit ishte dënuar nga Komisioni Disiplinor i FIFA-s me 161 mijë e 500 franga zvicerane dhe mbyllje të 20 për qind të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen e radhës ndaj Letonisë.

Shqipëria ishte dënuar rëndë për shkeljet e bëra në ndeshjen e 7 qershorit ndaj Serbisë, të luajtur në “Air Albania”.

Ndërkohë për shkelje të ngjashme, të bëra në ndeshjen ndaj Anglisë, Federata e Futbollit e Serbisë është gjobitur të martën përgjysmë më pak. Serbët duhet të paguajnë 80 mijë franga zvicerane, përkatësisht 85 mijë euro, dhe po ashtu mund të detyrohen të mbyllin 20 për qind të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen e radhës, që është pikërisht ndaj Shqipërisë. Por mbyllja e tribunave nuk është përfundimtare.

FSHF-ja ishte dënuar rëndë për “sjellje të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë – këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorim të gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare”.

Federata e Futbollit e Serbisë u dënua me 80 mijë franga për “pamundësi për të siguruar rend dhe disiplinë brenda dhe rreth stadiumit; përdorim të dritës së laserit dhe veprime, fjalë e mjete të palejuara; për pengim gjatë intonimit të himnit; sjellje diskriminuese të disa tifozëve”.

Arsyet pak a shumë janë të ngjashme, shuma e dënimit jo.

Me miratim paraprak të FIFA-s, edhe 20 për qind të tribunave pas portave, që sipas vendimit duhet të jenë të zbrazta, mund të mbushen me “grupe të interesit të veçantë: familje, nxënës, anëtarë të organizatave me fokus në luftën kundër diskriminimit”.

FSHF-ja ishte dënuar nga FIFA edhe për “sjellje diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes ndaj Andorrës”, të zhvilluar më 24 mars të këtij viti. FSHF-ja ishte dënuar me 20 mijë franga dhe me mbylljen e të paktën 20 për qind të stadiumit për ndeshjen e qershorit ndaj Serbisë.

Por, si tani me federatën serbe, ishte lënë mundësia që ajo pjesë të mbushet me grupe të komunitetit dhe organizata kundër diskriminimit. Dhe në ndeshjen ndaj Serbisë nuk ishte asnjë vend i lirë.

Ka pasur fyerje të vazhdueshme ndaj serbëve në atë ndeshje në Tiranë. Kishte edhe hedhje të gjësendeve, por pa rrezikuar rrjedhën e lojës.

Në ndeshjen e 9 shtatorit mes Serbisë dhe Anglisë, të luajtur në Beograd, ka pasur fyerje ndaj shqiptarëve e Kosovës dhe plot shkelje tjera. Ka pasur edhe sulm fizik ndaj shikuesve nga grupe kriminale të afërta me pushtetin në Serbi.

Anglia e fitoi ndeshjen me rezultatin 5:0.

Ndeshja Serbi – Shqipëri luhet më 11 tetor në Leskovc.