Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

E luajti vetëm një ndeshje, por 16-vjeçari Osmani është kampion i Gjermanisë me Bayernin

Erblin Osmani

A mjafton një paraqitje për të fituar titullin e kampionit në futboll? Po.

Dhe pikërisht me një ndeshje, të paktën deri më tani, talenti 16-vjeçar, Erblin Osmani, është kampion i Gjermanisë në futboll me Bayernin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bayerni e siguroi titullin e Gjermanisë për edicionin 2025/2026 të dielën, katër xhiro para fundit. Për Bayernin është titulli i 35-të i Gjermanisë.

Osmani, i lindur më 19 maj 2009 në Gjermani, është grumbulluar vetëm për një ndeshje të Bundesligës këtë edicion. Më 21 mars në fitoren 4:0 ndaj Union Berlinit ishte në stol e ndërkohë e fitoi rastin dhe luajti prej minutës së 87-të. Mesfushori i talentuar e zëvendësoi Leon Goretzkan.

Ai ka hyrë në librat e historisë si një prej lojtarëve kampionë të Bayernit. Titulli i fituar megjithatë shpresohet të jetë i pari prej shumë për Osmanin. E ardhmja e tij vlerësohet e ndritur.

Mesfushori ka kontratë me gjigantin bavarez deri në verën e vitit 2027, por së shpejti mund të firmosë kontratë të re.

Osmani me ekipin U17 të Bayernit këtë edicion i ka 16 paraqitje, ndërsa ka realizuar gjashtë gola e shtatë asistime. Ka edhe dy paraqitje me ekipin U19, por është debutimi në Bundesligë që dëshmon për besimin që klubi ka në të.

Osmani zhvillohet te Bayerni që nga viti 2017. Pos tij, titullin e parë me Bayernin e kanë fituar edhe plot lojtarë të tjerë.

Jonathan Tah e ka fituar titullin e parë të Gjermanisë me Bayernin, pasi këtë e kishte bërë me Leverkusenin në vitin 2024. Ndërkohë Luis Diaz, Nicolas Jackson dhe Tom Bischof kanë fituar titullin e parë të Gjermanisë. Jackson dhe Bischof janë për herë të parë kampionë, ndërsa Diazi ka fituar tituj edhe në Kolumbi, Portugali dhe Angli.

“Dhe më pas janë lojtarët që kanë ardhur nga sistemit i të rinjve të Bayernit dhe kanë shijuar për herë të parë futbollin profesional këtë edicion, të cilin e përfundojnë me trofe”, ka shkruar Bayerni.

Osmani është në mesin e 15 lojtarëve që Bayerni i ka rreshtuar në këtë listë. Nëntë prej tyre kanë debutuar në Bundesligë, ndërsa të tjerët ishin pjesë e stërvitjeve të skuadrës së parë.

Bayerni e ka përfshirë edhe fotografinë e kosovarit në posterin e atyre që e kanë fituar titullin.

Bayerni tani e kërkon edhe Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve. Me katër ndeshje kampionale të mbetura deri në fund, nuk përjashtohet mundësia që Osmani të ketë edhe ndonjë rast tjetër.