Futboll

Elena Sadiku ka nisur ta ndiejë presionin te kampioni suedez

Elena Sadiku

Elena Sadiku ishte shumë afër që të nënshkruante për një klub tjetër. Por, trajnerja më e mirë shqiptare e futbollit vendosi për Hackenin, kampionin në fuqi të Suedisë.

Dhe tashmë sfida e vërtetë për 32-vjeçaren ka nisur. Në një intervistë për “FotbollSkanalen”, ajo ka thënë se është duke e ndier presionin.

“Kënaqem kur fitoj dhe e bëj më të mirën për të qenë e suksesshme”, ka theksuar Elena Sadiku.

Sadiku drejtimin e Hackenit e mori në fund të muajit dhjetor, kur u largua nga Celticu skocez.

Me skuadrën e famshme skoceze pati shumë suksese. E fitoi titullin historik, ndërsa e kualifikoi Celticun edhe në Ligën e Kampionëve.

Sadiku në krye të Hackenit erdhi pas largimit të trajnerit Mak Lind.

“Po, isha shumë afër një klubi tjetër. Më pas u shfaq Hackeni dhe që nga ajo kohë kemi biseduar dhe e di çfarë kërkon klubi, vizionin dhe ambiciet. Mendoj se këto na përshtaten”, ka theksuar kosovarja.

“Unë gjithmonë dua të fitoj. Fakti që Hackeni vjen pas sezonit ku u shpall kampion do të thotë se kemi cilësi dhe grup të mirë të lojtareve. Për mua është e rëndësishme ta menaxhoj tani dhe ta zhvilloj edhe më tutje ekipin”.

Hackeni e kompletoi stërvitjen e parë të hënën mbrëma me Sadikun udhëheqëse.

“Nëse e keni shikuar stërvitjen, mund të thoni se jam shumë e motivuar. Tani jam duke u njohur me skuadrën, stafin dhe të gjithë së bashku do të mundohemi ta nxjerrim më të mirën nga të gjithë”.

Kur një ekip e fiton kampionatin suedez, është e pazakontë që shumica e lojtareve të tij të largohen në klube të huaja. Por, kjo ka ndodhur te Hackeni. Pesë lojtare: Emilie Byrnak, Alice Bergstrom, Hanna Wijk, Matilda Nilden dhe Jennifer Falk janë shitur apo janë huazuar te klube të tjera, qëkur Sadiku erdhi në krye të ekipit. Sadiku situatën aktuale e vlerëson si sfidë tjetër.

“Natyrisht se është sfidë. Nuk mund t’i mbyllësh sytë në të tilla raste. Por, unë kam futbolliste shumë cilësore dhe nuk i dihet, ndoshta mund të përforcohemi me të tjera lojtare. Nuk jap detaje të tjera sepse i mbaj sekret. Do të shohim fillimisht se çfarë kemi. Nëse kemi nevojë për përforcime, do të shikojmë”, është shprehur Sadiku.

Futbolli i femrave në Suedi është shumë i zhvilluar. Dhe Elena Sadiku e udhëheq ekipin kampion të këtij vendi.