Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Finalja e Championsit, dëshmi e madhështisë së Enriques si trajner

Enrique

Paris Saint-Germaini përballet me Arsenalin në finale të Ligës së Kampionëve, të shtunën. PSG drejtohet nga Luis Enrique, trajneri që ka kaluar dekadën e fundit duke ofruar një nga bilancet më të frikshme në ndeshjet më të mëdha të futbollit modern.

Luis Enrique ka fituar 11 nga 12 finalet e klubeve që ka drejtuar. Ky bilanc i mahnitshëm shtrihet në dy epoka, dy kultura futbolli dhe dy versione të dominimit elitar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shkëlqimi individual te Barcelona i dha spanjollit shijen e parë të suksesit evropian. Stuhia kolektive e PSG-së e ktheu Enriquen atje.

Mënyra se si Luis Enrique i fitoi finalet është frymëzuese.

Ekipet e tij nuk mjaftohen duke iu mbijetuar finaleve. Skuadrat e Enriques i dominojnë finalet heret, i përfshijnë në ritimin e tyre dhe i detyrojnë kundërshtarët të lodhen.

Barcelona e mposhti 3:1 Juventusin në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2015. Ishte kompletim i tripletës.

Muaj më pas, Barça e mposhti Sevillan 5:4 në ndeshjen e çmendur të Superkupës së Evropës. Ishte një shembull i lojës sulmuese.

Pati triume në Kupën e Mbretit, titull në Kupën e Botës për Klube kundër River Plates dhe ndjesi se skuadra e tij e Barcelonës ishte në lëvizje të përhershme para.

Te PSG-ja, paraqitja ka evoluar.

Skuadra është më pak dekorative, më agresive me topin, më e gatshme për të “mbytur” lojën e kundërshtarit përmes presionit dhe lëvizjes. Nuk ka të bëjë vetëm me periudha të gjata të posedimit të topit.

Megjithatë, shumë gjëra mbesin të njëjta. Skuadrat e Enriques luajnë finalet sikur të besojnë se hezitimi është fatal.

Ky mentalitet ishte i dukshëm vitin e kaluar në Mynih, ku PSG-ja e shkatërroi 5:0 Interin në finale.

E vetmja njollë në bilancin e finaleve të Enriques me klube erdhi disa javë më vonë në Kupën e Botës për Klube. PSG-ja humbi 3:0 nga Chelsea.

Humbja, megjithatë, erdhi në rrethana të jashtëzakonshme, në fund të një fushate të lodhshme në të cilën PSG-ja kishte shkuar deri në fund në çdo garë. Dhe ngarkesa fizike dhe emocionale ishte e jashtëzakonshme.

Por humbja thuajse e forcoi Luis Enriquen.

Këtë edicion Luis Enrique ka arritur të ringjallë qëndrueshmërinë në një ekip që dukej se kishte mbetur pa energji gjatë dimrit.

Tani vjen një tjetër finale, kurse Enrique u tha gazetarëve që Arsenali është ekipi më i mirë në lojën pa top. Lojtarëve të tij u tha se janë më të mirët në lojën me top.

PSG-ja zakonisht luan me top në këmbët e lojtarëve, ndërsa loja e skuadrës franceze në tranzicion është padyshim më “vdekjeprurësja”.

Për Arsenalin, sfida është psikologjike sa edhe teknike e taktike. “Topçinjtë” përballen me një ekip që i ka bërë finalet të duken si rutinë nën drejtimin e Enriques. Spanjolli duket më i rrezikshëm kur presioni është më i madh.

Përvoja te Barça e PSG-ja e bën një gjë të qartë: kur Luis Enrique arrin në finale, ai zakonisht largohet me trofe.